RMV, sa herë që afrohen zgjedhjet përkeqësohet gjuha e urretjes në media mbi baza etnike
Duke pasur parasysh faktin se partitë politike në Maqedoninë e Veriut retorikën nacionaliste tradicionalisht e shfrytëzojnë për të fituar pikë politike, në çdo periudhë parazgjedhore rritet intensivisht gjuha e urrejtjes kryesisht me bazë etnike. Edhe këtë vit, asgjë nuk ka ndryshuar nga kjo praktikë, madje urrejtja nga rrjetet sociale ka kaluar dhe në media. Në formë jozyrtare fushata në vend filloi me ardhjen e qeverisë teknike, edhe pse konkretisht, fushata për zgjedhjet presidenciale duhet të fillojë më 4 prill dhe të mbarojë më 22 prill ndërsa fushata për zgjedhjet parlamentare duhet të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj, shkruan Portalb.mk.
Një nga format më shqetësuese të propagandës partiake në periudhë parazgjedhore në vendin tonë është përhapja e gjuhës së urrejtjes në bazë etnikë madje dhe fetare. E gjithë kjo situtatë bëhet edhe më shqetësuese kur përmbatje të tilla gjejnë hapsirë mediatike. Për shkak se në Maqedoninë e Veriut nuk ka një ligj që rregullon punën e mediave online, në pjesën më të madhe të platformave të informimit online jehon dezinforimi, propaganda dhe raportimi jo-profesional gazetaresk. Fenomeni kur mediat bëhen trumpete e propagadave nacionaliste nuk është diçka e re për opinionin në vendin tonë.
Sefer Tahiri, gazetar dhe profesor universitar i cili ndjek zhvillimet politike e shoqërore që nga shpallja e pavarsisë së vendit thotë se në mediat tona gjithmonë ka qenë e pranishme gjuha e urrejtes mbi baza etnike.
“Gjuha e urrejtjes ka qenë gjithmonë e pranishme në media, sidomos mbi baza etnike dhe fetare. Ka qenë e pranishme në tubimet politike të partisë së djathtë etnonacionaliste VMRO DPMNE, pas viteve 90ta, ndërsa nuk ka munguar as nga LSDMja nga viti 1993 deri në 1998. Ajo intesifikohet gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe më pas, pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit. Në vitet 2002 deri në 2006, pati një qetësim të raporteve ndëretnike dhe sëkëndejmi edhe ulje të nivleit të përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Ajo intensifikohet pas vitit 2010, kur Gruevski dhe partia e tij këtë gjuhë e stimulojnë përmes megafonëve të tyre prooagandues antishqiptarë. Në vitin 2017 ndodh sërish një relaksim politik dhe ndëretnik dhe rastet e përdorimit të kësaj gjuhe janë më të pakta”, deklaroi Sefer Tahiri, ekspert i komunikimit.
Duke pasur parasysh shikueshmërinë dhe kredibilitetin që kanë mediat dhe përgjegjësia e tyre në informim është tejet e lartë. Megjithatë, shembuj të caktuar në vendin tonë na tregojnë se jo çdo gazetar profesionin e tij e ushtron konform rregullave dhe etikës profesionale.
Shembull konkret për këtë është Televizioni Alfa, një medium nacional në gjuhën maqedonase që vazhdimisht shpërndan materiale mediatike të cilat kanë për qëllim nxitjen e urrejtës ndëretnike. Ky trend i televizionit në fjalë si duket bëhet edhe më aktivë gjatë fushatave parazgjedhore.
Më 28 janar në krye të qeverisë teknik erdh Talat Xhaferi nga radhët e BDI i cili u bë dhe shqiptari i parë në RMV që ushtron postin e kryeministrit. Xhaferi ka një karrier të gjatë politike në RMV, ndonse kjo është elementi i vetëm me rëndësi mbi të cilën mediat duhet të raportojnë nëse është personi adekuatë për ta ushtruar postin e kryeministrit teknik interesi i disa mediave shkon përtej etikës profesionale dhe e shfrytëzon situatën për të përhapur gjuhë të urretjes në opinionin publik. Shembull konkret për këtë është dhe ky material mediatik për Talat Xhaferin, e publikuar në Televizionin Alfa.
Edhe pse titujt tendecioz nuk kanë vend në gazetarinë profesionale e gjatë proceseve zgjedhore standardet profesionale ngushtohen edhe më shumë, mirëpo kjo nuk përbën problem që një televizion nacional përmes titujve tendecioz të përhap gjuhë urrejtje mbi baza etnike. Shembull i një titulli me tendecë për të nxitur urrejtje ndaj politikanë shqiptarë në skenën e politikës në vend është dhe titulli “Zoti i daltë në ndihmë MAqedonisë: Zijadin Sela kali i Torjes i fundit i Ali Ahmetit”.
Përveç në raportimet për çështje politike, përhapja e gjuhës së urrejtjes nuk mungon as në raportimet që kanë të bëjnë me kulturën. Ndonëse kultura supozohet të jetë urë lidhëse në diversitet, kur lajmet rreth kësaj fushe transmetohen jashtë çdo standardi profesional mundet të jenë shkëndijë konfliktesh të panevojshme. Se si shpërndahet gjuha e urrejtjes në raportimet për kulturë për kulturë e ilustron shembulli më poshtë.
Ajo që vijon pas këtyre raportiemve është një lum komentesh ku qytetarë të vendit tonë shfryejnë një mllef e urrejtje të madhe për bashkëqytetarët e tyre. Të nxitur nga përmbajtje të tilla komentet e publikut në rrjetet sociale ku janë shpërndarë materialet në fjalë shkojnë nga ofendimet e sharjet më banale deri te urimi për vdekje e zhdukje të një kombi të tërë.
Sipas profesorit Sefer Tahiri, propaganda të tilla janë të rrezikshme për shoqërinë tonë sepse në shumë raste mundet të jenë dhe indikator të dhunës fizike.
“Propaganda etnonacionaliste është e rrezikshme, sepse nxit urrejtjes etnike, por edhe shpie drejt dhunës fizike për motive etnike ose fetare. Media duhet të jete e kujdesshme sa i përket përdorimit të gjuhës që përmban paragjykime dhe stereotipe, por edhe gjuhës së urrejtjes, sepse media mund të nxisë tensione etnike dhe fetar e me pasoja katastrofale për shoqërinë”, shprehet Sefer Tahiri.
Sipas të dhënave nga anketa e IRI-it Televizioni Alfa është një nga 5 televizionet më të ndjekuara në vendin tonë. Pra numri i atyre që kanë ndikim nga përmbajtjet që përcjell ky medium është shumë i lartë. Në rastet kur mediat nuk kanë mekanizma vetrregullues dhe nuk dinë ti dallojnë limitet e etikës dhe profesionalizmit është e nevojshme që në shoqërinë tonë të zhvillohet edukimi mediatik mbi të gjitha.
“Së pari duhet të funksionojnë mekanizmat rregullues dhe vetërregullues, të zhvillohet koncepti i edukimit mediatik, të përdorcohet roli i shërbimit radioteleviziv publik dhe të ketë trajnime të gazetarëve dhe redaktorëve”, shtoi Sefer Tahiri.
“Liria e mediave është e drejtë e patjetërsueshme” sipas Kodit Etik të Gazetareve është një nga parimet themelore të gazetarisë, çdo gazetarë duhet të jetë plotësisht i vetëdijshëm se “Detyra themelore e gazetarëve është ta respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e opinionit të jetë i informuar, në përputhje me nenin 16 të kushtetutës tonë”.
Në Kodin Etik të gazetareëve me nen të veçantë përcaktohen detyrimet e gazetarit se si duhet të raporojë gjatë fushatave zgjedhore. Neni 10 i Kodit thotë:
“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”.
Për më tepër në Kodin Etik të gazetareve definohet dhe raportimi profesional kur janë në pyetje elemente diskriminuese. Krjet kjo duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që kanë mediat në krijimin e opinionit publik. Neni 10 i Kodit thotë:
Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)
“Prezenca e gjuhës së urrejtjes në media është një fenomen global me histori shumë të gjatë. Përkufizimi i “gjuhës së urrejtjes” u parashikua nga Konventa e Krimit Kibernetik, Këshilli i Europës, në vitin 1997. Termi “gjuhë e urrejtjes” do të kuptohet si mbulim i të gjitha formave të shprehjes që “përhapin, nxisin, promovojnë ose justifikojnë urrejtjen racore, ksenofobinë, antisemitizmin ose forma të tjera të urrejtjes bazuar në intolerancë, përfshirë intolerancën e shprehur nga nacionalizmi agresiv dhe etnocentrizmi, diskriminimi dhe armiqësia kundër pakicave, migrantëve dhe njerëzve me origjinë emigrante” thuhet në definimin e Këshillit Evropian.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari