RMV, neglizhenca institucionale ndaj personave me nevoja të veçanta kritikohet edhe nga BE

Strugë, trotuare të bllokuara nga makinat

Një pjesë e madhe e personave me nevoja të veçanta, të kategorive të ndryshme, janë të padukshëm në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut për shkak të mungesës së bazike të kushteve për jetesë. Në qytetin e Strugës nuk respektohen njëjtë të drejtat e gjithë kategorive të qytetarëve. Në fakt, diskriminimi i personave me nevoja të veçanta është problem në nivel nacional dhe për këtë Maqedonia e Veriut u kritikua edhe në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët e pandërgjegjshëm dhe neglizhenca e autoriteteve lokale në Strugë jo vetëm që vështirëson lëvizjen e këmbësoreve në hapësirat publike por edhe pamundëson në përgjithësi lëvizjen e personave me nevoja të veçanta. 163 persona të moshave të ndryshme të klasifikuar në 7 kategori të ndryshme invaliditeti fizik, në nga më e lehta deri te më e rënda, janë të regjistruar në organizatën “Moblinost-Struga” megjithatë numri i kësaj kategorie pretendohet të jetë më i lartë se kaq. Lista e problemeve që raportohet nga kjo kategori e qytetareve është shumë e gjatë.

Trotuar të bllokuar- Strugë shkurt 2022 Foto 7

“Sa i përket respektimit të të drejtave të personave me nevoja të veçanta në qytetin tonë do kisha thënë se ato respektohen shumë pak. Duke nisur nga kultura elementare e qytetarëve për të vazhduar tek barrierat arkitektonike brenda qendrës por dhe gjithë qytetit në përgjithësi. Në shumë institucione, qofshin publike ose jo, mungojnë rampat për kalimin e personave që lëvizin me karrocë, ku ka mundësi të ndërtohen por nuk ka vullnet. Një tjetër problem i madh janë edhe trotuaret të cilat para shumë vitesh janë bërë me lartësi 40-5 cm, një lartësi e tillë mundet të jetë pengesë edhe për një njeri normal dhe jo më për një person i cili e ka të kufizuar lëvizjen, qofshin ato me paterica, me karrocë invalidore apo ndihmesa ortopedike. Përveç pengesës që krijon lartësia e trotuareve problem shtesë është bllokimi i tyre nga makina të parkuara. E për rregullimin e kësaj situate askush nuk e vret mendjen. Ato pak barriera arkitektonike që janë eliminuar janë bërë me intervenimin tonë si organizatë”, deklaroi Sulejman Destani, kryetar i organizatës “Moblinost-Struga”.

Disa muaj më parë Komuna e Strugës siguroi disa hapësira për parkim të automjeteve që drejtohen nga persona me nevoja të veçanta, megjithatë këto vend parkime vazhdimisht uzurpohen na persona të aftë fizikisht.

“Kur bëhet fjalë për kulturën e qytetarëve, nuk flas për aspektin human sepse në përgjithësi janë shumë human, por ja që kur bëhet fjalë për respektimin e atyre pak benefiteve që ne me mund të madh i kemi siguruar qytetarë të pandërgjegjshëm na i uzurpojnë, duke filluar nga vend parkimet për invalid, trotuaret, ato pak shtigje të përshtatshme për kalimin e personave me karroca bllokohen me makina. Fenomeni i parkimit të makinave në hapësirat publike e trotuare pamundëson edhe lëvizjen relaksuese të këtyre personave. Ne reagojmë në mënyrën tonë ndaj këtij fenomeni të shëmtuar duke ju lënë letra me mesazhe sipër makinave, që pak a shumë njerëzit të vetëdijesohen por nuk është se ka ndonjë rezultat të madh. Para 2 muajsh Komuna siguroi vend parkime për ne, diku 2 e diku 4, por ato janë shumë pak hapësira për nevojat që ne kemi, pasi në Strugë janë të regjistruara 33 makina invalidore që i plotësojnë të gjitha kriteret e nevojshme për të pasur hapësirë në komunikacion dhe respekt. Më e keqja është se ato vend parkime uzurpohen nga makina të cilat i drejtojnë njerëz të aftë fizikisht. kemi reaguar në polici, ata na thonë se i marrin masat e nevojshme duke i dënuar ata shofer mëngjitë ndryshim të situatës nuk ka, zgjidhja qëndron vetëm në vetëdijesimin e qytetarëve. Ne gjithmonë kërkojmë dhe luftojmë për të drejtat tona por nga ajo që kërkojmë vetëm 5-10% realizohet”, u shpreh Sulejman Destani

Personat me nevoja të veçanta në Strugë ankohen se ato ndihen të diskriminuar, si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat, të cilët nuk e zbatojnë siç duhet Ligjin që parashikon rregullimin e të drejtave të kësaj kategorie qytetarësh.

Trotuar të bllokuar- Strugë shkurt 2022 Foto 8

“Këtu Inspektorati jep leje për të ndërtuar një objekt por askush nuk i merr parasysh masat se duhet të jetë i përshtatshëm për personat me nevoja të veçanta. Për shembull, hapet një barnatore dhe kur duhet të të miratohet nga Inspektorati vendohet një rampë e thjeshtë metalike për tu arsyetuar se ka kushte inkluzive dhe më pas për X arsye hiqet dhe ne duke mos pasur mundësi të hyjmë brenda duhet të bërtasim prej jashtë që të dalin të na shërbejnë. Kemi shumë problem, madje edhe kemi reaguar, që të na mundësohet qasja në banka sepse në kushtet aktuale është e pamundur që një person me karrocë të hyj në bakë për ti kryer obligimet e tij qytetare”, shtoi Sulejman Destani.

Të revoltuar dhe të shqetësuar për realitetin në Strugë shprehen edhe nga shoqata e të verbërve. Simon Petkovski nga “Shoqata e personave të verbër në Strugë”, thotë për Portalb.mk se ata ndihen të lënë pas dore në këtë qytet dhe kërkojnë kushte dhe mundësi minimale që të zhvillojnë një jetë sa më normale dhe të sigurt.

“Ne si shtet jemi të varfër dhe dhe mendojë se problemet tona si persona me nevoja të veçanta janë të ngjashme në çdo qytetet. Për ne më të moshuarit problemi më i madh është se nuk kemi një vend ku mundemi të shoqërohemi dhe rrugë të sigurt ku të lëvizim lirshëm. Më 15 tetor ishte dita ndërkombëtare e personave të verbër, me çrast kishim organizuar një eveniment ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës. Dhe e pyetëm kryetarin: Pse trotuaret janë shndërruar në parking dhe ne personat e verbër assesi nuk mundemi të lëvizim lirshëm? Duke mos mundur të lëvizim në trotuar detyrohemi të ecim në rrugë ku është rrezik se mundet të na godasë ndonjë makinë. Në fakt ky fenomen nuk është vetëm problemi jonë por i të gjithë qytetarëve në përgjithësi. Të gjithë shoqatat e personave me nevoja të veçanta në Strugë, por edhe në Ohër, kanë bërë kërkesë tek institucionet që trotuaret të lirohen nga makinat e parkuara dhe të shërbejnë për qëllimin e tyre që është lëvizja e sigurt e këmbësoreve”, deklaroi Simon Petkovski, sekretar i “Shoqatës së peronave të verbër-Strugë”.

Numri i kategorisë së qytetarëve në Strugë të cilët kanë pengesë në shikim është shumë i lartë.

“Shoqata jonë ka të anëtarësuar rreth 50 persona me pengesë në shikim. Megjithatë numri i kësaj kategorie në Strugë është shumë i lartë, jo zyrtarisht mbase mbi 160 persona. Megjithatë ka shumë nga ata të cilët për arsye të ndryshme refuzojnë ta pranojnë problemin që kanë”, shtoi Simon Petkovski.

Në foto galerinë më poshtë mundet të shikoni gjendjen e  trotuareve në disa nga rrugët kryesore në qendër të qytetit të Strugës.

Pse Komuna e Strugës i mbyll sytë para këtij fenomeni të shëmtuar?

I gjithë ky lëmsh dhe uzurpim i hapësirës publike ndodh në zemër të qytetit, shumë pak metra larg stacionit të policisë apo edhe objektit të komunës. Ndërkohë duhet theksuar fakti se kaosi dhe lëmshi në trafik përkeqësohet shumë herë më tepër gjatë periudhës së verës kur fillon edhe sezoni turistik.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Komuna është e obliguar të kujdeset për mbarëvajtjen e komunikacionit në territorin e saj.

LIGJI PËR VETQEVERISJE LOKALE 

Neni 22
Lista e kompetencave
(1) Komunat janë kompetente për kryerjen e punëve vijuese:

4. Veprimtaritë komunale – rregullimi i regjimit të komunikacionit; ndërtimi dhe mirëmbajtja e sinjalizimeve rrugore të komunikacionit, ndërtimi dhe mirëmbajtja e hapësirës publike të parkimit; mënjanimi i automjeteve të parkuara gabimisht;

Me pyetjet se: A planifikon Komuna  e Strugës të ti eliminojë barrierat arkitektonike dhe se çfarë e pengon këtë institucion të lirojë hapësirat publike duke respektuar Ligjin për Vetëqeverisje Lokale? Redaksia e   Portalb.mk më 17 shkurt paraqiti kërkesën për informacion në Komunën e Strugës, para disa ditësh kërkesën e ri-dërguam përsëri megjithatë deri në këto momente nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ky institucion.

Personat me nevoja të veçanta anashkalohen në RMV, kritikon edhe BE-ja

Në fakt, respektimi i të drejtave të personave me nevoja të veçanta lë shumë për të dëshiruar edhe në nivel nacional. Edhe përkundër faktit se Maqedonia e Veriut është nënshkruese e konventave botërore për të drejtat e kësaj kategorie specifike të qytetarëve përsëri diskriminimi i cili manifestohet në forma të ndryshme mbetet i lartë.  Vendi jonë është pjesë e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila i detyron shtetet janë të ofrojnë mundësi dhe të drejta të barabarta për personat me nevoja të veçanta.

Neni 3 – Parimet bazë

  • Respektimi i dinjitetit të lindur, autonomisë individuale, duke përfshirë lirinë e zgjedhjes dhe pavarësinë e personave;
  •  Indiskriminimi;
  •  Pjesëmarrja dhe përfshirja e plotë dhe efektive në shoqëri;
  •  Respektimi i dallimeve dhe pranimi i personave me aftësi të kufizuara si pjesë e diversitetit njerëzor dhe njerëzimit;
  • Mundësi te barabarta;
  • Qasja;
  •  Barazia midis burrave dhe grave;
  • Respektimi i aftësive zhvillimore të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe respektimi i të drejtës së fëmijëve me aftësi të kufizuara për të ruajtur identitetin e tyre

Shtetet nënshkruese marrin përsipër të sigurojnë dhe promovojnë realizimin e plotë të të gjitha të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të të gjithë personave me aftësi të kufizuara pa asnjë diskriminim në bazë të aftësisë së kufizuar.

Megjithatë, vendi jonë nuk bën mjaftueshëm në këtë drejtim për këtë arsye kritika të ashpra Maqedonia mori në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian. Në Raportin e Progresit për vendin tonë thuhet se është bërë pak progres në përmirësimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

“Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me diskriminim të madh, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, për shkak të ndërprerjeve të infrastrukturës, mungesës së informacionit dhe shërbimeve, sjelljeve diskriminuese dhe përjashtimit social. Avokati i Popullit mori 37 ankesa për diskriminim ndaj fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara në vitin 2020”, theksohet mes tjerash në raportin të KE-së.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.