Progres modest në reformat në administratën publike
Ministritë kyçe për zbatimin e reformave në administratën publike janë Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) dhe Ministria e Financave (MF), e cila, nga ana tjetër, është përgjegjëse për zbatimin e transparencës financiare dhe racionalitetit në krijimin e politikave buxhetore. Reforma e administratës publike e vitit 2017 po zbatohet më sistematikisht se më parë, thuhet në Raportin e “Metamorfozis” për reformat në administratën publike me titull: “Administrimi” me administratën – parakusht kyç për reformat, në të cilin vlerësohet gjendja e procesit të reformave nga viti 2021 deri më 31 mars 2022
Për këtë qëllim është themeluar një ekip për reforma në MSHIA, Sekretariati për RAP, i cili përgatit dhe shqyrton pikat e diskutuara nga Këshilli për Reformën e Administratës Publike (KRAP), i kryesuar nga Kryeministri i RMV-së.
Këshilli, i themeluar në dhjetor 2017, mblidhet rregullisht nga viti 2018. Që atëherë, për shembull, daton ideja e rregullimit të shërbimit të menaxhmentit të lartë, pra rregullimi i tij me një ligj të veçantë, i cili ende nuk ekziston. Në seancën e shtatë të Këshillit në dhjetor 2019, u bisedua edhe për koordinimin e procesit të analizës funksionale horizontale për riorganizimin dhe optimizimin e organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve inspektuese. E njëjta temë dominoi në mbledhjen e parafundit të 8-të të Këshillit në dhjetor 2020. Në fund të takimit, i cili u mbajt në dy pjesë, kryeministri i atëhershëm Zaev konkludoi si në vijim:
Reforma në administratën publike është objektiv strategjik i Qeverisë dhe është detyrimi ynë ndaj Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha ndaj qytetarëve tanë. Plani është që deri në fund të marsit 2021 të harmonizohen të gjitha propozimet dhe vërejtjet për ndryshimet e propozuara në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, në koordinim me të gjitha ministritë, në mënyrë që Ligji të miratohet nga Kuvendi deri në korrik.
Projekti për riorganizimin dhe optimizimin e organeve të administratës shtetërore zbatohet aktivisht prej më shumë se 2 vitesh me fondet IPA, por nuk ka progres të madh.
Shënimi i fundit për mbledhjen e SRFJ-së është nga korriku i vitit 2021, kur u prezantua “Raporti i integruar për strukturën e ardhshme organizative të organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve inspektuese në nivel qendror”, si pjesë e Projektit “Mbështetje për riorganizimin shtetëror”:
Si konkluzion i takimit ishte se në periudhën e ardhshme do të finalizohet dhe do të dorëzohet në seancën e Qeverisë Propozimi për organizimin e ardhshëm organizativ të organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve inspektuese në nivel qendror.
Edhe pse, siç shihet, ka pasur konkluzione që në mars 2021 për riorganizimin e administratës shtetërore, deri në mars 2022, nuk ka rezultate nga kjo.
Vetë zbatimi bëhet sipas Planit të Veprimit, i cili tashmë është ndryshuar një herë në vitin 2019 dhe rishikohet vazhdimisht për sa i përket funksionalitetit të tij, dmth mundësisë për zbatimit. Për disa sektorë të reformave, të cilat vendosen në katër fusha kryesore, miratimi i ligjeve bazë është vendimtar, në këtë rast ndryshimet e përmendura në LUML, LAP dhe miratimi i LU. Këto rregullore janë veçanërisht të rëndësishme për zbatimin në sektorin e menaxhimit të shërbimeve publike dhe burimeve njerëzore.
Suksesi i zbatimit të deritanishëm vlerësohet i moderuar, megjithëse në disa fusha është më i lartë. Vlerësimet i jep vetë MSHIA në raportet tremujore dhe vjetore për zbatimin e RAP, pastaj organizatat ndërkombëtare si BE-ja apo institucionet e financuara prej tyre, si ajo e OECD-së dhe BE-së, Iniciativa SIGMA. Raportet vjetore dhe tremujore ndonjëherë vonohen. Për shembull, për 2021 ai raport në mars 2022 ende nuk është publikuar, ndërkohë që sipas tij për ecurinë në vitin 2020 mund të arrihet vlerësim i përgjithshëm prej rreth 18% të përmbushjes së aktiviteteve në katër fushat sektoriale ku zbatohen reformat (Krijimi dhe koordinimi i politikave, shërbimi publik dhe menaxhimi i burimeve njerëzore, përgjegjësia, llogaridhënia dhe transparenca dhe ofrimi i shërbimeve dhe mbështetje për TIK për AP).
Nga gjithsej 108 aktivitete që janë raportuar në periudhën janar – dhjetor 2020, 19 aktivitete janë realizuar plotësisht, 24 aktivitete janë në zhvillim e sipër dhe 65 aktivitete janë me vonesë. Afati kohor i caktuar për vitin 2020 është realizuar 18 për qind.
Sipas draft raportit gjashtëmujor për vitin 2021, realizimi i përgjithshëm i aktiviteteve për sa i përket realizimit të plotë është vetëm 10 për qind (5 nga 51 aktivitete), dhe nëse marrim parasysh aktivitetet që ishin në zbatim, përqindja është rritur në 53 për qind të aktiviteteve.
Sipas të njëjtit dokument, i cili tregon përqindjen e zbatimit të Planit të Veprimit për periudhën janar 2018 – qershor 2021, 48% e aktiviteteve janë realizuar, 12% kanë qenë në zbatim e sipër, ndërsa 40% kanë qenë me vonesë.
Sipas Raportit të Monitorimit të SIGMA të nëntorit 2021, RMV ka bërë progres në 4 fusha, krahasuar me vitin 2017 dhe situatën në rajon, ndërsa në dy fusha është nën mesataren e rajonit. Është bërë përparim në kuadrin strategjik për reformën e administratës dhe llogaridhënien dhe ofrimin e shërbimeve, ndërkohë që vendi mbetet prapa mesatares rajonale për sa i përket politikëbërjes dhe koordinimit dhe në shërbimin publik dhe burimeve njerëzore.
Vlerësimi i përgjithshëm i deklaruar në përmbledhjen ekzekutive të këtij raporti për RMV-në në vitin 2021, krahasuar me vitin 2017, është se:
Është bërë progres i dukshëm në fillimin e reformave të ndryshme në fushën e administratës, ndërkohë që zbatimi është me rezultat të kufizuar, pasi më pak se gjysma e aktiviteteve të planifikuara në vit, realizohen.
Krijimi i politikave dhe koordinimi
Historitë e suksesshme, sipas vet MSHIA-së në raportin gjashtëmujor, janë përpjekjet e Sekretariatit të Përgjithshëm (SP) të Qeverisë për të prezantuar masat e ngritjes së kapaciteteve për planifikimin afatmesëm sektorial dhe vjetor, si dhe për monitorimin dhe raportimin dhe vlerësimin e politikave.
SP së bashku me përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të tjera (Ministria e Financave, MSHIA, Sekretariati për Çështje Evropiane – SÇE dhe Sekretariati për Legjislacion – SL), përgatiti një sërë dokumentesh si draft udhëzime, formularë dhe dokumente të tjera të dedikuara për organet e administratës shtetërore për mënyrat e planifikimit strategjik, strategjitë sektoriale, raportimin për to e të ngjashme.
Pjesë e madhe për vitin 2021 në këtë pjesë të reformave është Regjistrimi i Popullsisë i realizuar me sukses në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore të miratuara më parë.
Gjithashtu, SP publikoi plan strategjik për zhvillimin e tij për periudhën 2021-2023, të cilin mund ta shihni në linkun KËTU.
Shikuar formalisht në këtë segment reformash të quajtur Krijimi i politikave dhe koordinimi, ekzistojnë disa dokumente më të nevojshme: rregullat dhe rregulloret, metodologjitë, planet operacionale dhe udhëzimet dhe të gjitha ato janë të disponueshme publikisht në këtë link. Problemi është rinovimi i tyre dhe përmirësimi i teksteve dhe që po bëhet ose planifikohet të bëhet në përputhje me Planin e Veprimit për RAP. Si shembull mund të theksohet Manuali për planifikim strategjik, i cili është nga viti 2014.
Nga bashkëbisedimi me ekspertët e fokus-grupit, mund të konstatohet se për sa i përket kornizës strategjike dhe ligjore, ekziston një koordinim në krijimin e politikave. Planifikimi strategjik tashmë është krijuar, ka mekanizma për plane strategjike dhe plane për zbatimin e tyre. Këto aktivitete drejtohen dhe koordinohen nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, nëpërmjet departamenteve apo sektorëve të planifikimit strategjik në ministri dhe poshtë vertikalisht në të gjitha institucionet e administratës shtetërore, të cilat janë të obliguara për të pasur dokumente të tilla në lidhje me punën e tyre. Ekspertët, megjithatë, theksojnë se si do të zhvillohet i gjithë procesi varet nga institucioni në institucion dhe cilësia e stafit që kanë në dispozicion. Përveç kësaj, sipas ekspertëve të fokus grupit, mund të jetë pengesë që përpunimi dhe obligimi për përpunimin e strategjive nuk vërehet askund si obligim i veçantë, por janë nxjerrë nga Ligji për Qeverinë.
Si problem që lind në këtë pjesë, krijimi i politikave, është menaxhimi ose qeverisja e mirë. Për shembull, në periudhën nga tremujori i parë i këtij viti, shtrohet pyetja se çfarë mekanizmi duhet të vendoset në kontrollin e shpenzimeve publike dhe funksionimin e institucioneve sipas ligjit, për të cilin në masë të madhe është përgjegjës Enti Shtetëror për Revizion. Problemi kryesor është në çështjet që shqyrton dhe kush duhet të veprojë sipas raporteve dhe gjetjeve të këtij institucioni. Sipas mendimit të kreut të ESHR-së dhe zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Kuvendi duhet të përfshihet shumë më aktivisht në shqyrtimin e të paktën raporteve kyçe të ESHR-së, por përveç kësaj, duhet të ketë edhe mekanizëm në kuadër të Qeverisë dhe ministrive për veprim më të shpejtë në gjetjet e ESHR-së, nëse institucionet janë inerte dhe nuk veprojnë sipas vërejtjeve.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari