Pesë narrativa manipuluese kundër NATO-s për luftën në Ukrainë

Foto: nato.int

Në internet qarkullojnë disa narrativa kundër NATO-s, të cilat janë bërë veçanërisht të zakonshme pas agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, dhe që synojnë të krijojnë një justifikim për të njëjtin agresion në një mënyrë që akuzojnë Aleancën për veprime ushtarake.

 

Shkruan: Miroslava Simonovska

 

  1. NATO është një kërcënim për paqen në botë

NATO është një aleancë mbrojtëse, qëllimi i së cilës është të mbrojë vendet anëtare. Çdo vend që i bashkohet NATO-s pajtohet me politikat dhe parimet e saj. Kjo përfshin angazhimin se NATO nuk kërkon konfrontim dhe nuk përbën kërcënim për Rusinë, siç u riafirmua në Samitin e Brukselit.

Zgjerimi i NATO-s nuk është i drejtuar kundër Rusisë. Çdo komb sovran ka të drejtë të zgjedhë konstelacionet e veta të sigurisë. Ky është një parim themelor i sigurisë evropiane, që edhe Rusia i është bashkuar zyrtarisht dhe duhet ta respektojë. Në fakt, pas Luftës së Ftohtë, Rusia pranoi të ndërtonte një arkitekturë gjithëpërfshirëse të sigurisë evropiane, nëpërmjet krijimit të OSBE-së, krijimit të Këshillit Euro-Atlantik, etj.

Siç thuhet në faqen e NATO-s, NATO nuk sulmoi Gjeorgjinë dhe NATO nuk sulmoi Ukrainën. Rusia e bëri atë..

NATO ka kontaktuar vazhdimisht Rusinë gjatë 30 viteve të fundit. Ne kemi punuar së bashku në tema që kanë të bëjnë me parandalimin e e krimit narkotik, kundër terrorizmit, shpëtimit në nëndetëse edhe në periudha kur NATO zgjerohej. Por në vitin 2014, në përgjigje të veprimeve agresive të Rusisë kundër Ukrainës, NATO pezulloi bashkëpunimin praktik me Rusinë. Ne nuk kërkojmë një konfrontim, por nuk mund të anashkalojmë faktin se Rusia po shkel rregullat ndërkombëtare, duke minuar stabilitetin dhe sigurinë tonë, thuan nga NATO.

Në përgjigje të përdorimit të forcës ushtarake nga Rusia kundër Ukrainës, NATO dërgoi katër grupe në shtetet baltike dhe Poloni në vitin 2016.

Përpara se Rusia të aneksonte ilegalisht Krimenë, nuk kishte trupa të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës. Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, NATO ka forcuar ndjeshëm pozicionet e saj mbrojtëse, duke përfshirë katër grupe të reja në pjesën lindore të Aleancës. Në samitin e NATO-s në Madrid, aleatët ranë dakord se Rusia është kërcënimi më i rëndësishëm dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre dhe për paqen dhe stabilitetin e zonës euro-atlantike. Aleatët ranë dakord të forcojnë pozicionet e NATO-s edhe në të ardhmen. Megjithatë, aleatët mbeten ende të hapur për të pasur kanale të hapura komunikimi me Moskën për të shmangur rreziqet, për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të rritur transparencën, shkruan në faqen e Aleancës, e cila rendit faktet për marrëdhëniet NATO-Rusi.

NATO ekziston që nga viti 1949, e themeluar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Qëllimi i formimit është të sigurojë paqen në Evropë dhe të promovojë bashkëpunimin midis anëtarëve si dhe të mbrojë lirinë e tyre, të gjitha në kuadër të përballjes së kërcënimit të asaj kohe nga Bashkimi Sovjetik. Dokumenti themelues për formimin e NATO-s i angazhon aleatët për demokracinë, lirinë individuale dhe sundimin e ligjit, si dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve. Ai gjithashtu hedh themelet për idenë e mbrojtjes kolektive, që do të thotë se një sulm kundër një aleati është një sulm kundër të gjithë aleatëve. Që nga fillimi i ekzistencës së NATO-s e deri më sot, paqja botërore nuk ka qenë kurrë nën kërcënim siç ishte pasi Rusia pushtoi Ukrainën.

 

2. NATO-ja bombardoi pa mëshirë Serbinë dhe Sirinë

Më 14 prill 2018, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan aleatët për veprimin e tyre të përbashkët ushtarak të 14 prillit. Ata informuan se një sasi e konsiderueshme informacioni tregonte se regjimi sirian ishte përgjegjës për sulmin ndaj civilëve në qytetin sirian të Douma më 7 prill të po këtij viti dhe se veprimi i tyre ushtarak ishte i kufizuar vetëm në regjimin sirian, gjegjësisht objektet e saj përmes të cilave prodhoheshin armët kimike. Të tre vendet aleate theksuan se praktikisht nuk kishte alternativë përveç përdorimit të forcës.

Aleatët kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për një veprim të tillë, i cili synon të dobësojë regjimin sirian, aftësitë e tij për të përdorur armë kimike dhe parandalimin e përdorimit të mëtejshëm të armëve kimike kundër njerëzve në Siri. Përdorimi i armëve kimike nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar dhe as të normalizohet, pasi është një rrezik për popullin sirian dhe sigurinë kolektive të NATO-s.

Aleatët dënojnë me forcë përdorimin e përsëritur të armëve kimike nga regjimi sirian dhe bëjnë thirrje për përgjegjësi. Aleatët po i bëjnë gjithashtu thirrje regjimit sirian që të lejojë qasje të shpejtë, të qëndrueshëm dhe të papenguar në ndihma humanitare. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike për ta parandaluar atë, regjimi sirian ka përdorur vazhdimisht armë kimike kundër civilëve, duke kontribuar në vuajtje të paprecedentë që nga fillimi i konfliktit në vitin 2011. Përdorimi i armëve të tilla është një shkelje flagrante e standardeve dhe normave ndërkombëtare, disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe konventës së armëve kimike që Siria ratifikoi në vitin 2013. NATO konsideron se përdorimi i armëve kimike në Siri nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë është një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, tregohet në deklaratën e atëhershme të Këshillit të Atlantikut të Veriut mbi veprimet e ndërmarra kundër përdorimit të armëve kimike në Siri.

Nga ana tjetër, ish-Jugosllavia nuk u shpërbë për shkak të NATO-s. Aleanca nuk përdori forcën ushtarake për të ndryshuar kufijtë e ish-Jugosllavisë. Nga viti 1992 deri në vitin 1995, NATO kreu disa operacione ushtarake në Bosnje, aktivitete që ishin nën mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pjesë e të cilit ishte edhe Rusia.

Rusia nuk e kundërshtoi operacionin e NATO-s në Libi në vitin 2011. Operacioni i NATO-s në Kosovë në vitin 1999 pasoi një përpjekje diplomatike njëvjeçare të OKB-së dhe grupit të kontaktit, pjesë e të cilit ishte Rusia, për t’i dhënë fund konfliktit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e vlerësoi spastrimin etnik në Kosovë dhe rritjen e numrit të refugjatëve e vlerësoi si kërcënim për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare. Misioni i NATO-s ndihmoi t’i jepet fund keqpërdorimeve të mëdha të të drejtave të njeriut dhe vrasjeve të civilëve, thuhet në uebsajtin e NATO-s.

Qeveria serbe vlerëson se 2,500 njerëz vdiqën dhe 12,500 u plagosën në bombardimet e NATO-s të vitit 1999, megjithëse numri i saktë i viktimave mbetet i panjohur. Sipas informacioneve të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka pasur 756 të vdekur gjatë bombardimeve. Në Ukrainë, 8,101 civilë u konfirmuan të vdekur nga fillimi i pushtimit rus deri më 26 shkurt 2023. Prej tyre 488 janë fëmijë. 13,479 persona u plagosën. Shifrat aktuale mund të jenë më të larta. Nuk ka aq shumë viktima në aksionet e NATO-s sa në bombardimet që Rusia po kryen në Ukrainë.

 

3. NATO-ja është një organizatë agresore

NATO nuk ka aneksuar kurrë territorin e askujt, ndryshe nga Rusia, e cila që nga viti 1993 ka pushtuar pjesë të territoreve të Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës.

NATO është një aleancë mbrojtëse. Vendimi i Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO është një vendim individual. Rusia nuk mund të parandalojë apo të ndikojë në këtë proces sovran. Qëllimi i Rusisë është të ngatërrojë ose të tjetërsojë publikun, në mënyrë që ata të mos dallojnë faktin nga trillimi. Fushata ruse synon të rrisë tensionet gjeopolitike midis Moskës dhe Perëndimit dhe ta portretizojë NATO-n si një armik.

Vetë Ukraina është vendimtare se agresioni ushtarak është vetëm një nga elementët e luftës hibride ruse kundër Ukrainës. Elementët e tjerë janë propaganda të bazuara në gënjeshtra dhe falsifikime, presionet ekonomike, bllokada energjetike, frikësimi i popullit ukrainas, sulmet kibernetike, mohimi i fortë i luftës kundër Ukrainës, pavarësisht provave dërrmuese dhe akuzave të palës tjetër për krimet e veta.

Në vitin 2019, në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës u njoftua se agresioni rus çoi në fatkeqësi të mëdha humanitare, 9,940 të vdekur, 23,455 të plagosur. Kjo shifër përfshin 80 fëmijë të vrarë në një sulm terrorist më 17 korrik 2014. Rreth 1,584,000 njerëz nga Donbass dhe Krimea janë zhvendosur brenda vendit pasi janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

NATO dënon fuqishëm sulmet brutale dhe të paprovokuara të Rusisë ndaj Ukrainës, e cila si një vend i pavarur, paqësor dhe demokratik është një partner i ngushtë i NATO-s. NATO dhe aleatët vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në përpjekjet e saj për të ruajtur të drejtën e saj themelore për vetëmbrojtje.

Që kur Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë dhe destabilizoi Ukrainën lindore në vitin 2014, NATO ka miratuar një qëndrim të fortë në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Aleatët dënojnë dhe nuk do ta njohin kurrë Krimenë e aneksuar ilegalisht dhe në mënyrë të paligjshme, shkruan në faqen e NATO-s.

NATO gjithashtu dënon përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të aneksuar katër rajone nga Ukraina – Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kharkiv në shtator 2022, që është përpjekja më e madhe për aneksimin me forcë të territorit evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Referendumi i rremë në këto rajone u projektua nga Moska dhe u imponua me forcë Ukrainës. Ata nuk kanë legjitimitet dhe NATO nuk do t’i njohë. Këto territore janë Ukraina dhe do të jenë gjithmonë Ukrainë. Numri i madh i votave në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që dënon përpjekjen ruse për të përvetësuar territoret dërgoi një mesazh të qartë dhe të fortë se Rusia është e izoluar dhe se bota është në anën e Ukrainës, thuan nga NATO.

 

 

4. Perëndimi përmes NATO-s dëshiron ta kthejë të gjithë botën në skllav të interesave dhe ekonomisë së tyre

Politika ekonomike e Perëndimit në lidhje me globalizimin ka çuar në përparim të jashtëzakonshëm dhe rritje ekonomike në mbarë botën. Numri i njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme ka rënë në mënyrë dramatike. Është një tregues se nuk bëhet fjalë për skllavërim. Nëse doni të robëroni dikë ekonomikisht, atëherë ai nuk do të lejohet as të zhvillohet ekonomikisht.

Agresioni rus në Ukrainë çoi në trazira masive në ekonominë globale, veçanërisht në tregjet e energjisë dhe ushqimit, dhe çmimet filluan të rriten. Krahasuar me rajonet e tjera ekonomike, rajoni evropian ndjen pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës. Sidomos sepse rajoni evropian kishte importe energjie nga Rusia, ndërsa Rusia dhe Ukraina së bashku luanin një rol të rëndësishëm në eksportet e ushqimit përpara fillimit të pushtimit rus.

Organizata Botërore e Tregtisë paralajmëroi që në prillin e kaluar (2022) se pushtimi i Ukrainës, përveçse shkaktoi vuajtje të mëdha njerëzore, dëmtoi tregtinë globale, e cila do të prekte më shumë vendet më të varfra.

5. Lufta në Ukrainë është një rezistencë kundër fushatës ushtarake të NATO-s

Nuk ka asnjë fushatë ushtarake të NATO-s, dhe veçanërisht jo në Ukrainë dhe rreth saj. NATO nuk është në luftë me Rusinë dhe nuk kërkon konfrontim me Rusinë. Ajo që NATO po bën është të mbështesë Ukrainën në të drejtën e saj për vetëmbrojtje, siç përcaktohet në Kartën e OKB-së. NATO po merr vetëm masa rreptësisht mbrojtëse për të forcuar praninë e saj në pjesën lindore të Aleancës.

Kjo siguron se nuk ka vend për keqkuptime në Moskë për gatishmërinë tonë për të mbrojtur aleatët tanë. Detyra jonë kryesore është t’i mbajmë kombet të sigurta. Ne kemi përgjegjësinë të sigurojmë që konflikti të mos përshkallëzohet jashtë Ukrainës, sepse kjo do të ishte edhe më e rrezikshme…

Stërvitjet tona nuk kanë për qëllim Rusinë apo ndonjë vend tjetër, thuhet në faqen e NATO-s.

Ky mit gjithashtu injoron gjeografinë. Vetëm 6 për qind e kufijve të territorit rus prekin vendet e NATO-s. Rusia ka kufij tokësorë që kufizohen me 14 vende. Vetëm pesë prej tyre janë anëtarë të NATO-s. Jashtë territorit të NATO-s, Aleanca ka një prani ushtarake vetëm në Kosovë dhe Irak. Në Irak, misioni i NATO-s kontribuon në luftën kundër terrorizmit dhe është me kërkesë të qeverisë irakiane me respekt të plotë për sovranitetin e Irakut. Në të kundërt, Rusia ka baza dhe trupa ushtarake në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë pa pëlqimin e qeverive të këtyre vendeve. Përveç kësaj, lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka prishur paqen, stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.