Pesë milionë euro janë shpenzuar nga institucionet për lidhjen e marrëveshjeve autoriale në 4 vitet e fundit

Фото: pixabay.com

Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë ka paguar të paktën 2.4 milionë euro, nga viti 2017 deri në fund të vitit 2021 për marrëveshjet për të drejtat e autorit. Paratë u paguan individëve për të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë dhe për të krijuar procesverbale, për të marrë pjesë në takime, për të krijuar përmbajtje në uebsajt ose për të ofruar konsultime të rregullta. Komisioni Anti-Korrupsion konsideron se është shkelur ligji, gjegjësisht Ligji për të Drejtën e Autorit nuk duhet të zbatohet për angazhimet e shumë prej këtyre personave, gjegjësisht aktivitetet e tyre nuk duhet të hyjnë në domenin e “veprave autoriale”.

 

Shkruan: Меri Jordanovska

 

Institucionet/organet shtetërore të drejtorisë shtetërore të ELS, si dhe ndërmarrjet publike në periudhën prej vitit 2018 deri tani kanë nënshkruar marrëveshje autoriale në vlerë prej gati pesë milionë eurove, me persona të ndryshëm, dhe një agjenci për pronësi intelektuale, tregojnë të dhënat e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Vërtetmatësi tashmë ka shkruar se praktika e lidhjes së kontratave për të drejtën e autorit për punësim të përkohshëm, pa shpallur njoftim, është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe është mundësi që nga buxheti i shtetit t’i jepen para anëtarëve të partisë, në vend të kuadrove të kualifikuar. Për këtë ka kritika të shumta në pothuajse të gjitha raportet për progresin e Maqedonisë së Veriut nga Komisioni Evropian.

Komisioni Anti-Korrupsion ka inspektuar aktivitetet dhe dokumentacionin lidhur me angazhimet në bazë të marrëveshjes autoriale për periudhën 01.01.2017 deri më 31.10.2021, sepse kjo periudhë është në kompetencë të tij.

Në bazë të veprimeve të ndërmarra në kuadër të veprimit kompetent, KSHPK-ja ka marrë informacion se në periudhën e theksuar, nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë është angazhuar një numër i madh i individëve në bazë të marrëveshjeve për të drejtën e autorit, thonë nga Komisioni.

Kështu, në vitin 2017, përveç punonjësve me marrëdhënie të rregullt pune, shtesë janë angazhuar edhe 93 persona të tjerë mbi bazën e marrëveshjes autoriale, të përfaqësuar nga agjencia e pronësisë intelektuale “Artpick”. Në vitin 2018, 119 persona të tjerë u punësuan në bazë të marrëveshjes për drejtat autoriale të përfaqësuar nga e njëjta agjenci dhe 25 persona të tjerë përmes një agjencie private punësimi. Në vitin 2019, 103 persona të tjerë u punësuan në bazë marrëveshjes për të drejtat e autorit dhe 32 të tjerë përmes një agjencie private punësimi. Në vitin 2020, përveç personave me orar të rregullt pune (të punësuar me orar të përhershëm ose të pacaktuar), 118 persona të tjerë u punësuan në bazë të marrëveshjes për të drejtat e autorit, të përfaqësuar nga agjencia e pronësisë intelektuale “Artpick”, dhe 36 persona të tjerë përmes agjencisë private për punësim. Deri në fund të tetorit të vitit të kaluar, 78 persona të tjerë janë punësuar në bazë të marrëveshjes për të drejtat e autorit dhe 18 të tjerë përmes një agjencie private punësimi.

Për angazhimin e shumicës prej tyre, sipas Komisionit Anti-Korrupsion, nuk është dashur të vlejë Ligji për të Drejtën e Autorit, gjegjësisht aktivitetet e tyre nuk duhet të hyjnë në domenin e “veprave autoriale”.

KSHPK konsideron se angazhimet nuk nënkuptojnë krijimin e veprave autoriale sipas definicionit të Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta apo kryerjen e veprimtarive që synojnë krijimin e një vepre me të drejtë autoriale, por i referohen ndërmarrjes së veprimeve specifike dhe të përsëritura në baza ditore, si p.sh. : pjesëmarrja në seancat e Qeverisë dhe krijimi i procesverbaleve, pjesëmarrja në takime dhe mbledhje, analiza e të dhënave dhe informacioneve, trajtimi i rasteve nga fusha të ndryshme, krijimi i përmbajtjes për uebsajt dhe rrjetet sociale, analiza e paraqitjeve në media, analiza mediatike, fotografimi i ngjarjeve, organizimi i eventeve, dhënia e konsultimeve të rregullta, organizimi i trajnimeve, kryerja e punëve për nevojat e kabineteve të personave të emëruar në Qeveri, kontaktimi me palët e jashtme, mirëmbajtja dhe analiza e TI-së, etj.

Në këtë mënyrë dhe përmes këtij lloj angazhimi, të cilat sipas komisionit nuk i përkasin domenit të veprave me të drejtë autori dhe për të cilat duhej shpallur konkurs për kohë të caktuar/pacaktuar, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë ka paguar të paktën 153.244.219 denarë ose 2.491.776 euro, nga viti 2017, deri në fund të vitit 2021.

Infografia e mëposhtme tregon pagesën e shumave për marrëveshjet e të drejtave të autorit sipas viteve:

Komisioni Anti-Korrupsionit konstaton se kjo mënyrë e punësimit të individëve ka anashkaluar zbatimin e dispozitave përkatëse të Ligjit për Punonjësit Publik dhe Ligjit për Nëpunësit Administrativë të cilët mbulojnë parimet e përgjithshme (parimi i kushteve të barabarta, aksesi i barabartë në punë, adekuat dhe përfaqësimi i drejtë, parimi i ekspertizës dhe kompetencës), si dhe mënyra e planifikimit të punonjësve dhe mënyra e zhvillimit të procedurave të punësimit.

Shteti ndodhet rregullisht në tapet për shkak të punësimeve përmes marrëveshjeve për të drejtën e autorit dhe punësimeve të përkohshme, të cilat janë praktikë për punësimin e njerëzve në institucione, duke anashkaluar procedurat e rregullta të punësimit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit reagoi para dy viteve se “punësime të tilla manipulohen nga fakti se punonjësit punësohen për të kryer detyrat e parashikuara nga sistematizimi për një periudhë më të gjatë dhe jo siç parashikon ligji, për vëllimin e madh të punës, zëvendësimi i punonjësve që mungojnë për një kohë të gjatë, ose për një punë të caktuar – projekte”.

E njëjta gjë konfirmohet në Raportin Vjetor për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021 – 2025 për periudhën 01.01.2021 – 31.12.2021. Në raport thuhet se Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është zotuar që të heqë mundësinë e punësimit përmes agjencive të punësimit të përkohshëm dhe mundësinë e shndërrimit të punësimit të përkohshëm në punësim me kohë të plotë pa procedurë të rregullt punësimi. Kjo nuk ka ndodhur në afatin që ishte planifikuar, pra në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Punësimi i përkohshëm, vitet e fundit, është kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si një mundësi për të punësuar ushtarë partiakë në administratën publike. Këto punësime quheshin “punësime të qëllimshme, politike dhe arbitrare”.

Procedurat për kontratat me afat të caktuar dhe kontratat e punës me kritere më të ulëta vazhdojnë të përdoren shpesh, duke anashkaluar kriteret e përcaktuara në Ligjin për nëpunësit administrativë, thuhet në raportin e fundit të progresit për vendin nga Komisioni Evropian.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.