Pandemia i ka vendosur në plan të dytë trajtimin dhe zbulimin e sëmundjeve tejra

Korona Virus, foto: Mufid Majnun, Unsplash.

Përveç frikës për të shkuar te mjeku për shkak të virusit, zbulimi i vonuar i diagnozave tjera kontribuon ndjeshëm në zvogëlimin e vëllimit të termineve për kontrolle tek specialistët. Pandemia gjithashtu nxori në sipërfaqe problemet e mungesës së stafit mjekësor për patologji të tjera, që nuk lidhen me kovidin.

 

Shkruan: Mirosllava Burns

 

Pandemia me Kovid-19 ka vënë në plan të dytë kontrollet e rregullta dhe zbulimin e patologjive të tjera, thonë për “Vërtetmatësin” mjekët amë dhe specialistët që kontaktuam. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve të mos kenë frikë të shkojnë te mjeku, për ekzaminimet e rregullta të zemrës, mushkërive dhe aspektet të tjera shëndetësore, si dhe të bëjnë ekzaminime rutinë të gjëndrës tiroide, PAP testin, mamografinë dhe gjithçka që është pjesë përbërëse e kujdesit për shëndetin e tyre.

Përveç faktorit të frikës për të shkuar te mjeku për shkak të kovidit, ekziston një faktor tjetër që kontribuon në zbulimin e vonshëm të diagnozave të tjera, dhe ai është zvogëlimi i vëllimit të termineve për vizita te specialistët, thonë mjekët.

SISTEMI “TERMINI IM” I REZERVUAR

Mjekja Lilija Çolakova Dervishova, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Privatë të Familjes, thotë se numri i sëmundjeve malinje, kancereve të gjirit, mesotheliome (tumor i rrallë që ndodh në pleurë dhe nuk ishte i zakonshëm në të kaluarën), tani në zyrën e saj zbulohen me intensitet në rritje.

Në të kaluarën nuk kisha pacientë me mesothelioma, dhe tani kam dy pacientë në të njëjtin muaj. Në të njëjtën ambulancë dy raste, në një muaj. Tumori i zorrës së trashë është në rritje. Nuk mund të flasim vetëm për kovidin, kur njerëzit vuajnë dhe vdesin nga aritmitë, miokarditi, tromboza. Gjatë pandemisë, shumë pacientë kishin frikë të shkonin te mjeku, kështu që kanceri i mushkërive u zbulua vonë. Njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan janë diagnostikuar me kancer. Këta ishin pacientë që ishin ulur në shtëpi për pesë muaj dhe ishin të frikësuar, dhe kur erdhën në zyrën time, ata tashmë kishin metastaza dhe vdiqën shumë shpejt më pas. Nëse kishin ardhur në kohë, të gjitha subjektet shëndetësorë do të kishim qenë në gjendje të bënim diçka për të diagnostikuar, operuar dhe dhënë kimioterapi në kohë, në varësi të llojit të tumorit, thotë mjekja Çolakova Dervishova.

Ajo thotë se në sistemin “Termini im” ka kufizime për dërgimin e pacientëve nga mjeku i familjes te një specialist.

Në “Termini im” nuk ka termine të mjaftueshëm për kontrolle rutinë dhe i dërgojmë pacientët te specialisti me rekomandime urgjente. Nuk mund të gjejmë termin, sepse është kovid-kriza, një numër i madh specialistëve nuk vendosen fare në termin. Ne veprojmë me rekomandime urgjente që janë të vlefshme për shtatë ditë. Por edhe ata gjithashtu i bllokojnë, kështu që e vetmja gjë që na mbetet është t’i shkruajmë rekomandim urgjent pacientit dhe ta dërgojmë drejtpërdrejt në klinikë, kështu që kur të shohin gjendjen e tij, ekziston mundësi që vetë specialisti të krijojë rekomandim, shton Çolakova Dervishova.

Sipas saj, pandemia ka nxjerrë në sipërfaqe të gjitha problemet me mungesën e stafit mjekësor për patologji të tjera, të cilat nuk lidhen me kovidin.

Pacientët ankohen se nuk mund të vijnë për kontrolle për stenta. Ata që kanë stimulues kardiakë kanë probleme. Është thjesht e vështirë të rezervosh termin. Numri i degëve të caktuara të specialistëve siç janë oftamolog është i vogël, për shembull. Nëse keni pacient të ri dhe keni duhet të caktoni kontroll në Shkup, atëherë terminin duhet ta bëni për dy deri në tre muaj për kolonoskopi. Kështu që njerëzit shkojnë në klinika private. Ku mund të pres një kancer tre muaj? Kjo është arsyeja pse ne kemi një mori pacientësh që shkojnë në spitale dhe klinika private për analiza dhe operim të shpejta. Ka diagnoza që nuk presin, çdo sekondë është e çmuar, tha Çolakova Dervishova.

TRAJTOHEN VETËM RASTET URGJENTE

Mjekja Aleksandra Georgieva, kryetare e Lidhjes së specialistëve dhe mjekëve të rinj, ndryshe specialiste në Klinikën e Kardiologjisë, thotë se ka ngecje në punën në ambulanca.

Në mënyrë efektive për momentin ambulancat e rregullta të mjekëve specialistë, nëse keni mundësi të caktoni tek mjeku specialist, hiqen. Për shembull, në Klinikën e Kardiologjisë, ne nuk kemi klinika dhe kontrolle të rregullta. Gjithçka bëhet përmes ambulancës urgjente dhe me përparësi. Vetëm urgjencat ose pacientët që nuk janë trajtuar për një kohë të gjatë trajtohen, kështu që ata marrin rekomandim prioritar që është i vlefshëm për shtatë ditë. Pra, efektivisht ka ngecje dhe normalisht ulje të vëllimit të pacientëve që hospitalizohen, pasi pjesën më të madhe të spitaleve, një pjesë të hapësirave dhe kuadrit i kanë dhënë për kovid. Ka dy faktorë. Faktori i frikës tek pacientët që nëse vijnë në spital do të infektohen, veçanërisht pacientët që nuk janë vaksinuar. Zakonisht frika te pacientët e vaksinuar zvogëlohet, gjë që është e justifikuar, sepse ata kanë një nivel të caktuar mbrojtjeje dhe madje në rast infektimi nuk do të kenë komplikime më serioze. Dhe arsyeja e dytë pse pacientët vijnë me vonesë në ekzaminim është se “Termini im” nuk është operativ dhe ata nuk mund të caktojnë termin te mjeku që i drejton. Presin me shpresën se ato masa do të hiqen, por masat kanë qenë në vend për një kohë shumë të gjatë dhe vijnë shumë vonë kur gjendja e tyre vështirësohet, tha mjekja Georgieva për Vërtetmatësin.

E pyetur nëse mund të rendiste në cilat klinika kjo gjendje është më e theksuar, ajo thotë që gjendje të njejtë ka pothuajse në të gjithë klinikat.

Nuk mund të përmend klinikë konkrete. Ndodh në të gjitha klinikat, të gjitha klinikat e mjekësisë interne, pra 70 përqind e tyre kanë dhënë një pjesë hapësirave të tyre për pacientët me kovid. Për shembull, Klinika për Nefrologji, Gastroenterohepatologji, ORL, Klinika e Syve, Kardiologjia, Neurologjia tashmë janë rezervuar për një kohë të gjatë, Klinika e Dermatologjisë ka qenë kovid-qendër për një kohë shumë të gjatë, kështu që këto janë klinikat ku patologjia e rregullt vuan vërtet shumë, tha mjekja Georgieva.

Kolegu i saj, mjeku Ile Kuzmanoski, specialist në Klinikën e Kardiologjisë, thotë se gjendja ishte më mirë gjatë verës, gjegjësisht kishte kushte për procedura diagnostikuese. Sidoqoftë, në fund të verës dhe fillimit të vjeshtës, kur pati rritje të numrit të të infektuarve me kovid në vend, stafi dhe objektet spitalore janë kryesisht të orientuar për ata pacientë.

Rreth dhjetë ditë më parë, i hoqën edhe terminet edhe një pjesë të madhe të procedurave diagnostikuese. U liruan për një periudhë gjatë verës, dhe tani ata janë anuluar përsëri, terminet janë hequr. Për shembull, testi i stresit, holter, presioni i gjakut, për disa nga këto procedura nuk ka termine. Nëse dikush vjen me gjendje akute, ne me siguri do ta trajtojmë dhe do të bëjmë disa nga ato diagnoza, por vetëm për gjendjen akute, ndërsa tek pacientët kronikë përmes terminit nga mjeku amë ose të ngjashme, terminet janë tërhequr dhe nuk ka për një kohë, edhe në disa klinika ambulatore janë zvogëluar kontrollet, thotë mjeku Kuzmanoski.

“Vërtetmatësi” u drejtua gjithashtu te drejtori i Institutit të Mjekësisë së Transfuzionit, konkretisht mjekut Sadulla Useini. Në këtë institucion, pandemia nuk krijoi asnjë vonesë në vazhdimësinë dhe vëllimin e njësive të grumbulluara të gjakut, gjegjësisht situata me dhurimet e gjakut është “sikur të mos ketë pandemi”.

Për gjashtë muaj janë mbledhur 24,633 njësi gjaku. Kjo do të thotë se plani është realizuar. Aktualisht kemi sasi të mjaftueshme të produkteve të gjakut në të gjitha spitalet në të gjithë vendin. Ka gjithsej 1,637 njësi të koncentratit të eritrociteve. Nevojat për koncentrat të trombociteve plotësohen vazhdimisht, kryesisht për pacientët me hemato-onkologji, dhe ai ndahet nga gjaku i dhuruar, por gjithashtu mund të merret duke dhuruar trombocite me anë të procedurës së aferezës në një ndarës qelizash. Instituti tashmë ka regjistër të dhuruesve të gjakut dhe regjistër të dhuruesve të trombociteve. Çdo herë kemi mjaftueshëm plazmë të ngrirë në sasi të mjaftueshme. Vazhdojmë të dhurojmë plazmë shëruese të marra nga personat e shëruar nga COVID-19. Kemi 49 njësi rezervë dhe kemi prurje të vazhdueshme dhe sigurojmë të gjitha kërkesat e kovid-qendrave. Falënderoj të gjithë njerëzit human që dhurojnë gjak, dhurojnë trombocite dhe plazmë dhe ndihmojnë pacientët tanë, tha mjeku Useini.

Çdo vit më 15 shtator, shënohet Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Limfoma. Në shënimin e kësaj dite në kulmin e pandemisë, u bashkua edhe Klinika Universitare e Hematologjisë me apel për popullatën për seriozitetin e limfomës si sëmundje,rëndësinë e zbulimit të hershëm të saj dhe trajtimit në kohë, që është i mundshëm vetëm përmes bashkëpunimit në mes pacientëve dhe mjekëve.

Drejtoresha e Klinikës së Hematologjisë, Irina Panovska Stavridis, thotë se që nga fillimi i pandemisë ka pasur rënie të vazhdueshme të numrit të pacientëve me limfoma, e cila, që për fat të keq, është për shkak të mungesës së vizitave në kohë te mjekët e familjes, me çka zgjatet zbulimi i hershëm, që është me rëndësi të madhe për sëmundjet malinje.

Hematologjia nuk pushoi së punuari, por për fat të keq pacientët nuk erdhën. Vendosëm edhe ndërrim të dytë dhe një ambulancë, por kemi incidencë të reduktuar, që nuk do të thotë se ka më pak sëmundje malinje, por njerëzit nuk vijnë pasi filloi pandemia. Ky vit është ndryshimi më i rëndësishëm. Janë publikuar edhe të dhëna nga SHBA -ja se ekzaminimet parandaluese atje janë zvogëluar me 40 përqind, njerëzit kanë hequr dorë, thjesht nuk kanë ardhur, tha mjekja Panovska Stavridis.

Klinika për Hematologji në Shkup ka hapur ambulancë elektronike që thjeshton komunikimin në mes mjekëve amë dhe hematologëve. Kontrollet e rregullta dhe ndjekja e gjendjeve kronike janë pjesë integrale e menaxhimit të suksesshëm të diagnozave shëndetësore, sepse në këtë mënyrë, ka shans më të madh që ato të trajtohen në kohën e duhur dhe të bëhet gjithçka që është në fuqinë e mjekëve për shëndetin e njerëzve.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.