Paguajmë metanin më të shtrenjtë në rajon, edhe pse Gazprom në shkurt uli çmimin me rreth 13%
Kompania ruse “Gazprom” me “Makpetrolin” arritën marrëveshje për uljen e çmimit të metanit (gazit natyror të kompresuar – CNG) për rreth 13 për qind në vend. Pra, në vend të 110 denarë për kilogram, prej dje në pompat e “Makpetrol” një kilogram metan mund të blihet për 96 denarë për kilogram
Problemi me metanin në vend u ngrit më 1 janar të këtij viti, pasi “Gazpromi” rus e rriti çmimin e metanit për mbi dyfish, nga 46,5 denarë për kilogram, që vlente deri në fund të dhjetorit në 110 denarë për kilogram. Ndaj kësaj rritje enorme, reaguan nga NTP-Shkup dhe autobusët privatë në Shkup, të cilët një pjesë të autobusëve i kanë me metan. Ata kërkuan ndihmën e qeverisë për të përballuar rritjen e çmimeve.
Sipas të dhënave aktuale për faqen e specializuar fuelo.net, e cila monitoron çmimet e derivateve në botë, shoferët e Maqedonisë paguajnë aktualisht metanin më të shtrenjtë në mesin e vendeve të rajonit. Në Bullgari çmimi i metanit në pompat e benzinës është 2,86 leva për kilogram, ose 90 denarë për kilogram. Në Greqi çmimet aktuale të metanit janë 0,837 euro për kilogram ose 51,5 denarë. Serbia, nga ana tjetër, ka kohë që paguan CNG-në më të lirë në mesin e vendeve të rajonit, që do të thotë 94,5 dinarë serb për kilogram, ose 49,4 denarë. Të dhënat nga fuelo.net tregojnë se metani mund të jetë më i shtrenjtë për t’u blerë në Itali dhe Gjermani, por në vende si Belgjika dhe Spanja ky karburant është dukshëm më i lirë.
Ndryshe, pas rritjes enorme të çmimit të metanit që nga fillimi i vitit, Komisioni Rregullator për Energjetikë ka lëshuar një deklaratë se nuk ka kompetencë të rregullojë çmimin e këtij derivati, pasi sipas Ligjit për Energjinë çmimin e metanit e përcakton tregu, së bashku me gazin natyror.
Nga kompania “Makpetrol” dje njoftuan se me marrëveshjen e re të arritur me “Gazprom”, çmimi i gazit natyror që do të shpërndahet në vend do të ulet në muajin shkurt. Çmimi i gazit natyror do të ulet me 204 euro për 1000 metër kub normalë krahasuar me muajin janar, gjë që do të ulë çmimin e gazit natyror.
Sipas Makpetrolit, ata me “Gazpromin” arritën “marrëveshje të shkëlqyeshme” në shkurt, e cila do t’u sigurojë partnerëve të tyre të biznesit një çmim të gazit 30 për qind më të ulët se çmimet e berzave.
Përndryshe, si pasojë e rritjes enorme të çmimit të gazit natyror që nga fillimi i vitit në Evropë, që ndikonte edhe në çmimin e gazit që merr vendi, ngrohja qendrore në Shkup u rrit nga 1 janari për 14 për qind për përdoruesit e fundit. Në të njëjtën kohë, Qeveria e RMV-së vendosi të shpallë krizë në furnizimin me ngrohje dhe kompania shtetërore ShA EMV e mori përkohësisht menaxhimin e BEG dhe SHA Shkup Veri për të siguruar furnizim të vazhdueshëm me ngrohje qendrore për konsumatorët në Shkup.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari