Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza ka lindur në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe ka vdekur më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani. Origjinën e saj shqiptare të deklaruar nga ajo personalisht e njeh e gjithë bota.

Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenare që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Rrethi i Shkodres dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy nga të cilët u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare. Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel me 1979 dhe lutja në shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës me 17 qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi:

“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri në fillim të viteve ’90. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këtë realitet e ka dokumentuar Blendi Fevziu në librin e tij “Enver Hoxha”.

Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tri letra. Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Ja se si e shpjegon Lolja letrën e të madhes Nëna Terezë dërguar Presidentit te Republikës në vitin 1989, të cilit i theksonte se: “për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim”, që është edhe një fakt se ajo e konsideronte Shqipërinë atdheun e saj. Më në fund, e para pasaportë (për këtë rast ishte diplomatike) e dhëne për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezes, e cila vizitoi Shqipërinë më 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pasaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë për pasaportën Shqiptare ajo u përgjigj: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam Nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do te jem vetë aty”. Kur mori çmimin Nobel në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi.

Me 5 shtator 1997 bota mësoi se Nënë Tereza (Angel of Mercy) vdiq në moshën 87 vjeçare duke lënë pas dashuri .

Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut është botuar një monografi që paraqet Nënë Terezën si maqedonase! Sipas gazetës Washington Post, 16 tetor 2003, deklarohet qartë se Nënë Tereza ka lindur në Shkup në kohën kur Shkupi ishte qytet i Perandorisë Otomane. Më tej rikujtohet fjala e Nënë Terezës qe sipas gjakut ajo është shqiptare. Në librin e Kathryn Spink të përkthyer në gjermanisht, biografi që është e autorizuar nga Nënë Tereza, thuhet se babai i Nënë Terezës ishte një nacionalist shqiptar i cili angazhohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe, për këtë ai kishte shkuar ne Beograd tok me konsullin italian. Kishte shkuar atje me një shëndet shumë të mirë dhe u kthye prapa i shtrirë për vdekje. Ai i kishte 45 vjet kur vdiq. Mjeku dhe anëtarët e familjes ishin të bindur se Nikola ishte helmuar në Beograd.

Janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të madhen Nena Terezë, por të gjitha flasin në të vërtetën se ajo ishte shqiptare, siç e ka deklaruar edhe vetë. 

Letra e rrallë e Nënë Terezës/ Daton në tetor 1989 dhe përmban pasazhe shqip

Letra e Nënë Terezës e shkruar në shqip-Burimi i fotografisë: RTSH