Nuk është e vërtetë se “jemi bërë mbështetës zyrtarë të nazizmit” në OKB

Në postimin që po e recensojmë, janë lënë qëllimisht arsyetimet dhe argumentet kryesore të vendeve që votuan kundër dokumentit të Rusisë në OKB. Arsyet e një qëndrimi të tillë nuk kanë lidhje me luftën e përgjithshme dhe origjinale kundër nazizmit, ideologjive neo-naziste e të ngjashme. Synimi i keqpërdorimit të këtyre elementeve nga Rusia për të denigruar Ukrainën, si dhe për të gjetur justifikim për agresionin rus kundër sovranitetit ukrainas, është i qartë.

 

 

Recensojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, në të cilin shpërndahet teksti me titullin:

U bëmë mbështetës zyrtarë të nazizmit edhe atë në Kombet e Bashkuara! Ja cilat janë vendet tjera.

Në tekst thuhet se 52 vende, përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Austrinë, në OKB votuan (më 4 nëntor 2022) kundër rezolutës vjetore ruse për të luftuar glorifikimin e nazizmit.

Një vit më parë kishte vetëm dy prej tyre – SHBA dhe Ukraina. Është gjithmonë në rregull përderisa bëhet fjalë për terroristët tanë” – Perëndimi. Problemi është edhe më i madh se edhe Maqedonia kësaj radhe votoi KUNDËR glorifikimit të nazizmit. Vazhdon tendenca e paturpshme e barazimit të komunizmit dhe fashizmit, si dhe rehabilitimi i fashistëve të tipit Vanço Mihailov, thuhet në artikull.

Në postimin që po e recensojmë, mungon konteksti kur thuhet se Maqedonia e Veriut u bë mbështetëse zyrtare e nazizmit së bashku me vendet e tjera. Pas një debati të ashpër, Komisioni miratoi draft-rezolutën për luftën kundër glorifikimit të nazizmit me 105 vota “pro”, 52 “kundër” dhe 15 abstenime. Në Asamblenë e OKB-së u shprehën shqetësime për glorifikimin e lëvizjes naziste, neonazizmit, si dhe ngritjen e monumenteve dhe protestave publike për të lavdëruar të kaluarën naziste. Duke prezantuar tekstin, delegati i Federatës Ruse shprehu shqetësimin për retorikën raciste dhe ksenofobike, thirrjet për deportim të emigrantëve dhe refugjatëve, islamofobisë, afrofobisë dhe antisemitizmit. Disa delegatë morën fjalën për të shprehur shqetësimin se Moska po përpiqet të shfrytëzojë tekstin anti-neo-nazist për të justifikuar luftën e saj brutale kundër Ukrainës. Nga ana tjetër, delegati ukrainas theksoi se drafti nuk ka asgjë të përbashkët me një luftë reale kundër nazizmit dhe neo-nazizmit. Delegati i Mbretërisë së Bashkuar tha se rezoluta ishte pjesë e përpjekjes së Moskës për të justifikuar agresionin e saj kundër Ukrainës duke përjetësuar gënjeshtra dhe duke shtrembëruar historinë.

Delegati amerikan e quajti rezolutën përpjekje cinike të Moskës për të çuar përpara qëllimet e saj gjeopolitike duke iu referuar Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore.

Ndryshe, SHBA-ja ka votuar kundër kësaj rezolute çdo vit që nga viti 2005 deri sot.

Në vitin 2020, ata thanë se SHBA-të do të votonin kundër kësaj rezolute, sepse dokumenti është një formë e shtrembëruar e përpjekjes për të legjitimuar narrativat e dezinformatave ruse për të denigruar kombet fqinje (Ukrainaën n.z.) nën maskën cinike të luftimit të glorifikimit të nazizmit.

Më 4 nëntor të këtij viti, në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian është shpjeguar pse BE-ja ka votuar kundër kësaj rezolute. Thuhet se edhe Ukraina është dakord me qëndrimin. Në deklaratë thuhet se për shumë vende evropiane, fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli liri, por pushtim të thelluar dhe represion akoma më të madh e në disa raste edhe krime kundër njerëzimit nga regjimet e tjera totalitare.

Në të vërtetë, pjesët më të shkatërruara të historisë evropiane janë rezultat i ideologjive totalitare, përfshirë nazizmin. Sot, nën maskën e rreme të luftimit të nazizmit, Rusia ka sjellë tmerret e luftës përsëri në Evropë, së bashku me kujtesë se paqja nuk mund të merret si e mirëqenë. Ne dënojmë fuqishëm keqpërdorimin e argumentit të luftës kundër nazizmit dhe hedhim poshtë përdorimet e rreme dhe të papërshtatshme të termave denazifikimi nga Rusia për të justifikuar luftën dhe agresionin e saj çnjerëzor mizor dhe të paligjshëm kundër Ukrainës, efektet e të cilit janë të tmerrshme jo vetëm për popullin në Ukrainë, por edhe për njerëzit në mbarë botën. Një shtrembërim i tillë minon të kuptuarit tonë për Holokaustin, nuk respekton mesazhin e tij dhe minon parimet demokratike.

Lidhur me rezolutën që kemi sot, Bashkimi Evropian ka argumentuar për vite me radhë se lufta kundër ekstremizmit dhe dënimi i ideologjisë së neveritshme të nazizmit nuk duhet të keqpërdoret për qëllime të motivuara politikisht që kërkojnë të justifikojnë shkeljen e të drejtave të njeriut. Dëshirojmë të theksojmë sërish se e kaluara tragjike e Luftës së Dytë Botërore duhet të vazhdojë të shërbejë si frymëzim moral dhe politik për përballimin e sfidave të botës së sotme. Bashkimi Evropian është i paekuivok në angazhimin e tij për luftën globale kundër nazizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë, antisemitizmit dhe intolerancave të ngjashme. Lufta jonë e përbashkët kundër formave bashkëkohore të ekstremizmit dhe ideologjive totalitare, përfshirë neo-nazizmin, duhet të jetë prioritet i përbashkët për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Për këto arsye, shtetet anëtare të BE-së duhej të përshtatnin qasjen e tyre ndaj rezolutës. Për këto arsye BE-ja do të votojë kundër kësaj rezolute, thuhet në shpjegimin e shteteve anëtare të BE-së.

Përfaqësuesi i Maqedonisë së V deklaroi se dorëzuesi i rezolutës, Federata Ruse, zyrtarisht dhe publikisht e ka justifikuar luftën e saj agresore, duke pretenduar se po kryen të ashtuquajturin “denazifikimin” e Ukrainës. Ai shtoi se Agjencia kombëtare ruse në një Deklaratë zyrtare si një nga katër arsyet e pushtimit ushtarak në Ukrainë, përmend denazifikimin. Sipas përfaqësuesit të Maqedonisë së V, ky lloj narrativi është lajtmotiv propagandistik i agresorit.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se nuk është e vërtetë që Maqedonia e V u bë mbështetëse zyrtare e nazizmit në OKB. Në postimin që po e recensojmë, janë hequr qëllimisht arsyetimet dhe argumentet kryesore të vendeve që votuan kundër dokumentit. Arsyet e një qëndrimi të tillë nuk kanë lidhje me luftën e përgjithshme dhe origjinale kundër nazizmit, ideologjive neo-naziste e të ngjashme. Synimi i keqpërdorimit të këtyre emrave nga Rusia për të denigruar Ukrainën, si dhe për të gjetur justifikim për agresionin rus kundër sovranitetit ukrainas, është i qartë.

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.