Nuk është e vërtetë se George Soros është fajtori për krizën e qumështit në vend
George Soros nuk është pronar i Imlek, siç shkruan autori i postimit që po e recensojmë, ai nuk shkakton krizë artificiale me qumështin, ndërsa kriza ndodh për shkak të rritjes së çmimeve, por edhe për shkak të uljes së prodhimit të shkaktuar nga ulja fondit për blegtori, si në Maqedoni, ashtu dhe në Serbi. Fondacioni “Shoqëria e Hapur” ka mohuar tashmë pretendimet se Soros bleu Danube Foods Group, që zotëron Imlek, Bambi, Knjaz Milos dhe Suboticka, për faqen serbe të kontrollit të fakteve “Istinomer“.
Një postim në Facebook përhap gënjeshtra lidhur me krizën e qumështit që preku Serbinë, por edhe Maqedoninë e V. Në postim thuhet se për krizën e qumështit fajtor është biznesmeni George Soros. Kjo nuk është e vërtetë.
Njoftime për krizë të qumështit në Serbi dhe Maqedoni.
George Soros po shkakton krizë qumështi përmes kompanive të tij të qumështit! Imlek, qumështorja më e madh serbe, po redukton prodhimin për shkak të “rritjes së kostove”. Imlek është pronar i qumështoreve në të gjithë ish-Jugosllavinë, në BeH, Mal të Zi dhe Qumështores “Manastiri” në Maqedoni. Imlek bleu Qumështoren “Manastiri” në vitin 2005 dhe që atëherë ka qenë monopol. Prodhimi i qumështit po bie vazhdimisht, fermat po mbyllen sepse çmimi i blerjes së qumështit është betonuar për më shumë se 10 vjet. Fermerët mbijetojnë vetëm me subvencionet e qeverisë. George Soros përmes fondit të tij të investimeve blen Imlek në 2015. Sot Soros është pronar i qumështores “Manastiri”. 2022, shtator, po vjen kriza e qumështit!, thuhet në postimin që po e analizojmë.
Postimi përmban disa gënjeshtra.
Së pari, nuk është e vërtetë që Soros është pronar i qumështores “Imlek”, e cila ka në pronësi ish-qumështoren e Manastirit. Fondacioni “Shoqëria e Hapur” e George Soros për faqen serbe të kontrollit të fakteve “Istinomer” mohon pretendimet se Soros bleu “Danube Foods Group”, i cili zotëron “Imlek”, “Bambi”, “Knjaz Milos” dhe “Qumështorja Subotica”. Istinomer shkruan se bëhet fjalë për dezinformim, më saktë për lajm të ndryshuar nga viti 2015.
Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë thashetheme. George Soros nuk ka asnjë lidhje me kompanitë e përmendura, thanë ata për Istinomer.
Faqja e verifikimit të fakteve shkruan se fondi i investimeve me seli në Londër “Mid Europe Partners” ka njoftuar më 02.02.2015 se është në proces të blerjes të “Danube Foods Group”, e cila zotëron kompanitë serbe “Imlek”, “Suboticka Mlekara”, “Bambi”, “dhe “Knjaz Milos”. Lajmi i shitjes u publikua më pas nga media të shumta vendase, por në disa portale lajmi u përditësua me një pretendim të pasaktë se “pronari jozyrtar i fondit më të madh evropian të investimeve “Mid Europa Partners” është biznesmeni kontrovers George Soros”.
Gënjeshtra e dytë e paraqitur në postim është arsyeja pse u mbyllën fermat. Postimi pretendon se kjo për shkak të çmimit të blerjes së qumështit, i cili është betonuar prej më shumë se 10 vitesh. Nga verifikimi i Vërtetmatësit rezultoi se nuk është e vërtetë që çmimi i blerjes së qumështit është betonuar prej më shumë se 10 vitesh.
Në ueb-faqen e Qendrës Informative të Tregut Bujqësor, shihet se çmimi i blerjes së qumështit nga viti 2012 deri në vitin 2015 ka variuar dhe më së shumti ka shënuar rritje.
Se çmimet nuk kanë qenë fikse, shihet edhe nga raporti i Ministrisë së Bujqësisë për periudhën 2013-2018.
Stevançe Jordanoski, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Federatës Kombëtare të Fermerëve dhe prodhues i qumështit të lopës, në një prononcim për “Sloboden Peçat” thotë se çmimi i qumështit të lopës që e shesin fermerët tanë është rritur pak dhe tani ai shitet nga 24 deri në 27 denarë për një litër.
Sipas tij, blegtoria në Maqedoni po ballafaqohet me një problem të madh, sepse është zvogëluar fondi blegtoral dhe nuk ka kush të punojë, sepse nuk ka interes te të rinjtë.
Fondi blegtoral është në rënie edhe në rajon, jo vetëm këtu. Sipas njohurive që kemi, kjo po ndodh edhe në Serbi, megjithëse kanë sipërfaqe bujqësore të zhvilluara. Por blegtoria për nga interesi është në gjendje edhe më të keqe se bujqësia. Këtu do t’ju tregoj në mënyrë ilustruese se çfarë po ndodh në fshatin tim, por kjo është situata kudo në Maqedoni. Në fshatin Mazhuçishtë të Prilepit, para 10 viteve kishte një fond blegtorial me nga 200 deri në 300 dele, tani nuk ka asnjë. Për sa i përket lopëve, fondi i blegtorisë është përgjysmuar. Pyes veten nga do ta gjejë populli ushqimin kur askush nuk dëshiron të merret me blegtori, qoftë edhe me bujqësi. Duhet bërë një riorganizim serioz dhe i plotë i sektorit për të tërhequr fermerët dhe blegtorët e rinj. Duhet menduar se dikush duhet të prodhojë edhe ushqim, thotë Jordanoski.
Nga e gjithë kjo mund të konkludohet se George Soros nuk është pronar i Imlek-ut, se nuk po shkakton krizë artificiale me qumështin dhe se kjo po ndodh për shkak të rritjes së çmimeve, por edhe për shkak të uljes së prodhimit të shkaktuar nga pakësimi i bagëtive, si në Maqedoni ashtu edhe në Serbi. Prandaj, postimin që po recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari