Nuk është e vërtetë që Rusia nuk bombardon ndërtesa civile dhe se pamjet e Mariupolit janë të rreme

Фото: Принтскрин видео

Deklarata e ambasadorit rus në vend, Sergei Bazdnikin, se forcat e armatosura ruse nuk bombardojnë ndërtesa civile dhe se pamjet nga Mariupol janë false, duket e çuditshme dhe të paktën tingëllon e paarsyeshme në një situatë ku media të shumta botërore dhe vendase publikojnë vazhdimisht pamjet e ndërtesave të shkatërruara civile. Nuk është e mundur që të gjitha ato regjistrime që dalin në media dhe në rrjetet sociale të jenë false. Konfirmimi se forcat ruse po sulmojnë ndërtesat civile ka ardhur edhe nga autoritetet ukrainase

 

 

Duke folur për situatën me konfliktin ruso-ukrainas dhe bombardimin e ndërtesave civile në qytetin ukrainas të Mariupolit nga ushtria ruse, ambasadori i Federatës Ruse në Maqedoni, Sergei Bazdnikin bëri deklaratën e mëposhtme:

Ne bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar viktimat civile. Në fillim të operacionit special ushtarak, udhëheqja ushtarake ruse dha urdhër të qartë dhe të vendosur për të mos sulmuar vendbanimet dhe infrastrukturën civile. Forcat tona të armatosura, së bashku me trupat e republikave Donetsk dhe Luhansk, përdorin armë me precizitet të lartë dhe shkatërrojnë ekskluzivisht, theksoj, infrastrukturën ushtarake të autoriteteve ukrainase në kuadër të detyrës së çmilitarizimit. Ky urdhër është duke u përmbushur. Megjithatë, të gjitha operacionet luftarake për fat të keq shoqërohen me viktima. Një nga problemet kryesore është përdorimi i popullatës civile nga formacionet naziste të Ukrainës si mburojë edhe atë jo figurativisht, por them fjalë për fjale. Ne nuk bombardojmë as spital për fëmijë e as objekte civile.

I pyetur nga gazetari nëse regjistrimet e postuara nga Mariupol ishin false, Bazdnikin tha: E saktë.

[Burimi– TV Sitel (prej 15:15 deri 17:54 në video );  Data: 10.03.2022]

 

ARSYETIMI:

Pretendimi i ambasadorit rus në vend, Sergei Bazdnikin, se ushtria ruse nuk sulmon apo granaton objektet civile në Ukrainë, është i pavërtetë. Regjistrimet nga Mariupoli, por edhe nga qytete të tjera ku shihen ndërtesa të shkatërruara civile, nuk janë false, siç dëshiron të tregojë Bazdnikin.

Më 11 mars, siç raportoi TV 21, duke transmetuar video materiale, objektivi i sulmeve ruse ishte qyteti i Dnipros. Tre sulme ajrore goditën qytetin në orët e para të mëngjesit. Një kopsht fëmijësh, një pallat dhe një fabrikë këpucësh u goditën. Gjithashtu ka pasur raportime për bomba në qytetin Lutsk, në veriperëndim të Ukrainës. Në ditën e 16-të të agresionit rus, u godit edhe një spital psikiatrik në qytetin lindor të Izum, informuan autoritetet rajonale. Në spital ndodheshin 330 persona, ndërsa numri i viktimave nuk dihej.

Sa i përket qytetit të Mariupolit, ai ishte nën granatimet 14 orëshe nga ushtria ruse më 2 mars, gjë që u konfirmua nga autoritetet lokale ukrainase.

Siç raporton SDK.mk, civilë të shumtë kanë humbur jetën si pasojë e granatimeve intensive 14 orëshe të qytetit, i cili prej ditësh është nën rrethim nga forcat ruse. Ky qytet në brigjet e detit Azov është strategjikisht i rëndësishëm për Rusinë, pasi siguron lidhje tokësore me gadishullin e aneksuar të Krimesë me trupat separatiste në Ukrainën lindore.

Nuk e dimë numrin e saktë të viktimave, por besojmë se ka qindra të vdekur. Nuk mund t’i mbledhim trupat. Ushtria ruse po përdor të gjitha armët e mundshme dhe po përpiqet të shkatërrojë plotësisht qytetin, tha zv.kryetari i komunës, Sergij Orlov.

Kryetari i komunës Vadim Bojçenko, tha se trupat ruse kishin ndaluar evakuimin e civilëve.

Ka shkatërrime të mëdha në infrastrukturën e banesave. Ka shumë të plagosur dhe, për fat të keq, të vdekur, mes tyre gra, fëmijë dhe pleq. Ndodh gjenocidi i popullit ukrainas. Forcat pushtuese të Federatës Ruse bënë gjithçka që ishte e mundur për të parandaluar evakuimin e civilëve nga qyteti. Trafiku hekurudhor është ndërprerë dhe lokomotivat janë granatuar. Qëllimi i tyre është të na shkatërrojnë, tha Bojçenko.

Më 10 mars u bombardua edhe spitali i fëmijëve në Mariupol, siç u konfirmua nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski dhe kreu i administratës ushtarake rajonale, Pavlo Kirilenko.

Presidenti Zelenski postoi një video të incidentit në Twitter – të cilën ai e përshkroi si “goditje të drejtpërdrejtë”, dhe pamjet treguan dhoma të shkatërruara përgjatë korridorit të ndërtesës.

Sulmi ushtarak në një maternitet është prova përfundimtare që po kryhet gjenocid ndaj ukrainasve. Evropianë, nuk mund të thuash se nuk e dinit se çfarë po ndodhte me ukrainasit në Mariupol. Kjo është arsyeja pse ju duhet të rritni sanksionet ndaj Rusisë në mënyrë që ajo të mos mund të vazhdojë kurrë këtë gjenocid. Duhet të bëni presion mbi Rusinë që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe t’i japë fund kësaj lufte barbare, tha Zelenski në video-fjalim.

Kreu i administratës ushtarake rajonale, Kirilenko, postoi gjithashtu video të sulmeve në Facebook.

Në këtë sulm u vranë disa fëmijë dhe u plagos një grua shtatzënë që priste të lindte. Sipas autoriteteve ukrainase, ky ishte vetëm një nga tre sulmet e ushtrisë ruse mbi spitalet. U bombarduan gjithashtu dy spitale në qytetin Zhitomir, rreth 150 km në perëndim të Kievit.

Pamjet e sulmit mbi spitalin për fëmijë në Mariupol, ku u vranë gratë shtatzëna, publikuan edhe New York Times dhe ABC News.

Ministria e Jashtme e Ukrainës më 12 mars njoftoi se forcat ruse kishin bombarduar një xhami në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, ku ishin strehuar më shumë se 80 fëmijë dhe të rritur. Ministria ukrainase njoftoi në Twitter se xhamia e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm në Mariupol ishte granatuar nga “sulmuesit” rusë.

Më 14 mars, u publikuan pamjet nga granatimet në Mariupol, të bëra nga ajri.

Videoja nga droni kapi momentin kur raketat ruse e kthyen qytetin e rrethuar jugor të Ukrainës, Mariupol, në një peizazh djallëzor, ndërsa forcat e Moskës vazhduan të bombardojnë ndërtesat, duke lënë civilët pa ushqim dhe ujë.

Për atë se si është gjendja pas granatimit në Mariupol, raportoi edhe Radio Evropa e Lirë.

Pretendimi i ambasadorit rus në vend, Sergei Bazdnikin, se forcat e armatosura ruse nuk bombardojnë ndërtesa civile dhe se pamjet nga Mariupol janë false, duket e çuditshme dhe të paktën tingëllon e paarsyeshme në një situatë ku media të shumta botërore dhe vendase publikojnë vazhdimisht, pamjet e ndërtesave të shkatërruara civile. Nuk është e mundur që të gjitha ato regjistrime që dalin në media dhe në rrjetet sociale të jenë false. Konfirmimi i një informacioni të tillë vjen edhe nga autoritetet ukrainase

Nisur nga të gjitha këto, deklaratën e Bazdnikin e vlerësojmë si të pavërtetë.

 

BURIME:

 

Vlerësoi: Аna Anastasovska

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.