Nuk është e vërtetë që OBSH dhe qeveria bullgare janë dakorduar për një valë të re të llojit Omikron

Nuk është e vërtetë që Kiril Petkov dhe një përfaqësues i OBSH-së kanë rënë dakord me qeverinë bullgare për shpërthim të llojit omikron me 10,000 raste në ditë dhe doza përforcuese për nxënësit. Është një trillim i plotë. OBSH nuk ka autoritetin të lëshojë urdhra për shtetet anëtare, as të ndërhyjë në vendimet e tyre të brendshme për çështjet e shëndetit publik. Po ashtu, pretendimet në postim nuk përputhen me deklaratën e kryeministrit bullgar Petkov të datës 14 korrik, në të cilën i njoftonte qytetarët bullgarë se i pret një verë e qetë në lidhje me pandeminë COVID. Sa i përket vaksinimit në Bullgari, ai nuk është i detyrueshëm, përfshirë edhe për fëmijët

 

 

Recensojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, në të cilin thuhet se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë një marrëveshje me Bullgarinë dhe që është publikuar nga Rusia përmes agjencisë TASS. Marrëveshja e supozuar, së bashku me bisedën e pretenduar skandaloze sipas postimit, ka ndodhur më 5 korrik të këtij viti dhe dyshohet se ka ndodhur mes njëfarë John David nga OBSH dhe kryeministrit bullgar Kiril Petkov. Në postim biseda citohet në fjalim të drejtpërdrejtë, dhe gjoja Davidi nga OBSH i kërkon Petkovit të garantojë se qeveria e Bullgarisë do të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes dhe do të ketë kulm të llojit omikron. Pastaj Petkov citohet të ketë thënë:

Dua që të jeni të qetë! Gjithçka është gati për valën e re, do të keni 10.000 pacientë në ditë! Ju paguani, ne dorëzojmë!

Pastaj në pjesën e cituar, Davidi i kërkon Petkovit që të vendosë dozë përforcuese të vaksinës për nxënësit në Bullgari, për të cilën Petkov, sipas postimit, u përgjigj se edhe për këtë ishte rënë dakord dhe se përsëri do të vendosej panik në shoqërinë bullgare.

Kirill Petkov: Do t’i detyroj prindërit t’i japin fëmijët për dozë përforcuese. Gjithashtu dua të dihet se kabineti i ardhshëm, kush do që të jetë, do t’i dëgjojë urdhrat tuaja!

John David: Perfekt, të gjithë do të jeni shumë të lumtur!

Petkov: Dua ta dini se gjithçka është gati! Tashmë kemi përgatitur, për 10.000 pacientë në ditë!

E gjithë biseda në këtë postim është e shpikur. Në kohën kur postimi u recensua, një link ishte i disponueshëm nga një media bullgare që kishte publikuar bisedën në bullgarisht, por postimi u fshi më vonë nga faqja e internetit. Në link, derisa ishte në dispozicion, nuk kishte asnjë provë, asnjë video apo regjistrim audio, asnjë burim i cituar për bisedën e supozuar.

“Vërtetmatësi” kërkoi dhe nuk arriti të gjente zyrtar të vetëm të angazuhar, punësuar ose konsultuar zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë me emrin John David – emri i personit që postimi pretendon të jetë zyrtari i OBSH-së i cili dyshohet se ka pasur bisedën me Kiril Petkov. Nga ana tjetër, kryeministri bullgar Petkov më 14 korrik, (pikërisht pas 9 ditësh pasi biseda e supozuar skandaloze u publikua më 5 korrik në novinitebg.eu), i njoftoi qytetarët bullgarë se i pret një verë e qetë.

Dua t’u them qartë të gjithë qytetarëve bullgarë se nuk ka asnjë masë kufizuese në lidhje me mbylljen e bizneseve, nuk ka kërkesë për certifikata Covid dhe nuk ka asnjë parashikim për të kufizuar lëvizjen. Dua t’i siguroj të gjithë se po e ndjekim situatën me shumë kujdes, por ditët tregojnë se bullgarët mund të kalojnë një verë të qetë, tha Petkov.

Ai shtoi se ka gjashtë faza në planin e veprimit të Bullgarisë për trajtimin e koronavirusit, bazuar në zënien e shtretërve spitalorë, shtretërve të kujdesit intensiv dhe treguesve të përgjithshëm epidemiologjik.

Për momentin, pjesa më e madhe e Bullgarisë është në fazën zero, me përjashtim të disa zonave në fazën numër një, tha Petkov.

Kryeinspektori shtetëror shëndetësor, Angel Kunçev, nga ana tjetër, theksoi se nuk ka asnjëfarë ndryshimi revolucionar të planit.

Në fakt, arsyeja kryesore pse kemi përgatitur një plan të ri është ndryshimi i Ligjit për Shëndetësinë, i cili kërkon plan të tillë që ministri i Shëndetësisë, nëse është e nevojshme, të prezantojë masa të ndryshme kundër epidemisë. Rritja e të infektuarve vazhdon, por është larg kulmit që kishim vetëm pak muaj më parë. Sot janë 118 të sëmurë më pak se dje, tha Kunçev.

Ai shtoi se në zonën numër një në të cilën ndodhet Sofja, do të vendosjet mbajtja e maskës në objektet shëndetësore, shtëpitë sociale dhe shtëpitë e të moshuarve. Nëse punëdhënësit vendosin, ata mund të organizojnë në mënyrë vullnetare procesin e punës duke punuar nga shtëpia.

Më 8 korrik, në faqen e Facebook-ut të Ministrisë së Shëndetësisë së Bullgarisë u publikua një rekomandim që personat e kategorive të rrezikut të mos vonojnë vaksinimin kundër Covid-19, si qytetarët e moshuar, ata me sëmundje të zemrës, mushkërive, sëmundje të veshkave, përfshirë fëmijët me sëmundje të tilla shoqëruese, personat me imunitet të kompromentuar dhe gratë shtatzëna, të cilat përndryshe kanë rrezik më të lartë për të kërkuar shtrimin në spital.

Pra, në Bullgari vaksinimi për të gjithë, përfshirë fëmijët, është rekomandim, jo ​​i detyrueshëm. Kështu që, pretendimi në postim, se do t’u imponohet vaksinë fëmijëve në shkolla duke krijuar panik në shoqëri, është i pavërtetë.

Shërbimi i kontrollit të fakteve të Bullgarisë tashmë është marrë me pretendimet e rreme që qarkullojnë në mediat sociale se OBSH dyshohet se po urdhëron rritje të pandemisë me llojin omicron. Këto pretendime, përveçse nuk kanë burim konkret dhe asnjë provë, nuk korrespondojnë me mënyrën se si funksionon OBSH në përgjithësi. OBSH nuk ka fuqinë të lëshojë urdhra dhe të ndërhyjë në politikat kombëtare shëndetësore të vendeve anëtare. OBSH nuk jep para sipas numrit të infeksioneve të reja, siç pretendohet rrejshëm në postimin që po e recensojmë. Këtë e ka konfirmuar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një intervistë për “Sloboden Peçat” në verën e vitit 2020. I pyetur “nëse është e vërtetë që OBSH-ja i jep mbështetje financiare vendit tonë sipas numrit të të infektuarve dhe të vdekurve, pra sa më shumë pacientë të infektuar me Covid-19 të kemi, aq më shumë para derdhen në buxhetin e shtetit nga OBSH”, Filipçe tha:

Jo, është një lajm absolutisht i rremë.

…Nuk ka absolutisht asnjë përfitim financiar, as nga numri i pacientëve, as nga të vdekurit, është padyshim lajm i rrejshëm.

Deri më tani, në dy vjet e gjysmë të pandemisë së Covid-it, është treguar se koronavirusi është i paparashikueshëm, se ka infektuar një numër të madh njerëzish dhe ka marrë shumë jetë, por gjithsesi për teoricienët e konspiracionit, të cilët e nënvlerësojnë, nuk e njohin ose shtrembërojnë pasqyrën e rrezikut të sëmundjes Covid-19, çdo valë e re është e planifikuar për kufizime dhe uzurpime të lirive të njeriut dhe vaksinim të detyruar (edhe pse vaksina është plotësisht vullnetare me pëlqim me shkrim).

Informacione të rreme u shfaqën edhe në Bullgari se ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, zbuloi një plan të supozuar të OBSH-së për të rifilluar pandeminë në Bullgari, diçka që verifikuesit bullgarë të fakteve e konsiderojnë të pabesueshme dhe të pambështetur me prova, pra të pavërtetë.

E vërteta është se asnjë nga bisedat, përfshirë edhe atë të cituar në postimin që po e rercensojmë, nuk ekziston në realitet, por është një sajesë e plotë që synon krijimin e imazhit të pavërtetë në publik se pandemia është më pak e rrezikshme se sa është, se nëse numri i të infektuarve rritet, atëherë kjo është statistikë e sajuar. Edhe pse në realitet, numri i të infektuarve dhe numri i shtrimeve në spital bazohen në testet PCR dhe personat e shtruar në ambientet spitalore.

OBSH nuk ka autoritetin t’u japë urdhra vendeve ose të ndërhyjë në politikat dhe vendimet e tyre shëndetësore. Baza e marrëdhënieve ndërmjet organizatës dhe vendeve janë udhëzimet ndërkombëtare shëndetësore që përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e shteteve gjatë krizave ndërkombëtare shëndetësore. Komunikimi i OBSH-së bëhet kryesisht përmes udhëzimeve dhe rekomandimeve që nuk janë të detyrueshme ose ligjërisht të detyrueshme. OBSH mund të shpallë pandemi në nivel botëror, por nuk mund të urdhërojë mbylljen e vendeve, vaksinimin e detyruar, as nuk mund të rrisë me qëllim dhe objektiv numrin e të infektuarve me Covid-19. Në postimin që po shqyrtojmë, burimi i bisedës së shpikur, fiktive të publikuar, e cila nuk ka ndodhur asnjëherë mes Kiril Petkovit dhe një përfaqësuesi të OBSH-së, është faqja novinitebg.eu. Sipas verifikuesve bullgarë, ajo ekziston për më pak se një muaj dhe publikimi më i vjetër në të është vetëm nga 24 qershori i këtij viti. Që atëherë, disa informacione janë publikuar çdo ditë, të gjitha të nënshkruara nga Nikolai Dimitrov dhe janë variant me të njëjtën temë, se numri i pacientëve me Covid-19 në Bullgari gjoja do të rritet përsëri me urdhër të OBSH-së.

Tekstet janë të shkurtra, me shkronja të mëdha, me një numër të madh gabimesh drejtshkrimore, gramatikore dhe të pikësimit. Faqet janë bërë në platformën WordPress, pa impresione, ndërsa për një kohë shumë të shkurtër publikojnë një numër të madh materialesh të pavërteta ose tërësisht të fabrikuara për tema aktuale që më pas shpërndahen në mënyrë aktive në rrjetet sociale, shkruan Faktchek.bg.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se nuk është e vërtetë që Kiril Petkov dhe një përfaqësues i OBSH-së kanë rënë dakord me qeverinë e Bullgarisë për shpërthim të llojit omikron me 10.000 raste në ditë dhe doza përforcuese për nxënësit. Është trillim i plotë. OBSH nuk ka autoritetin të lëshojë urdhra për shtetet anëtare, as të ndërhyjë në vendimet e tyre të brendshme për çështjet e shëndetit publik. Po ashtu, pretendimet në postim nuk përputhen me deklaratën e kryeministrit bullgar Petkov të datës 14 korrik, në të cilën i njoftonte qytetarët bullgarë se i pret një verë e qetë në lidhje me pandeminë COVID. Sa i përket vaksinimit në Bullgari, ai nuk është i detyrueshëm, përfshirë edhe për fëmijët.




Qries


Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.