Nuk është e vërtetë që Japonia po nis një hetim për vaksinat kundër Covid 19 për shkak të miliona vdekjeve

Фото: pixabay.com

Nuk ka asnjë provë për miliona vdekje, as nuk ka ndonjë lajm zyrtar askund për ndonjë hetim të nisur kundër vaksinave. Sipas OBSH-së, deri në fund të nëntorit 2022, në Japoni ishin administruar mbi 349.2 milionë doza të vaksinave Covid-19. Sipas një studimi të nëntorit 2022, midis 17 shkurtit 2021 dhe 17 prillit 2022, në Japoni u raportuan 1690 vdekje të shkaktuara nga efektet anësore të lidhura me vaksinën. Megjithatë, studiuesit nuk ishin në gjendje të vlerësonin plotësisht “një marrëdhënie shkakësore midis vaksinimit dhe vdekjeve” për shkak të “mungesës së informacionit të mjaftueshëm”

Një postimFacebook pretendon se Japonia ka urdhëruar një hetim për vaksinat kundër Covid ndërsa numri i të vdekurve u rrit në qiell. Kjo nuk është e vërtetë. Ky është një dezinformim i vjetër, por ky postim e shpërndan si të ishte lajm i ri, i fundit

Japonia urdhëron hetimin për vaksinat kundër Covid ndërsa numri i vdekjeve rritet
Një rast tjetër – teoria konspirative e djeshëm u bë fakt i sotëm:
– Për të pavaksinuarit nuk kishte “dimër të sëmundjeve të rënda dhe vdekjes”.
– Realisht tani është pandemi e të vaksinuarve!, thuhet në postimin që po shqyrtojmë

Postimi ndan një artikull të botuar më 10 qershor, i cili nga ana tjetër i referohet një artikulli nga portali Expose i botuar më 3 janar 2023. Expose është një portal që njihet për përhapjen e dezinformatave në lidhje me Covid-19 dhe vaksinat kundër virusit.

Portali për kontrollimin e fakteve Lead Stories e hodhi poshtë këtë informacion më 4 janar 2023. Siç shkruan portali, Japonia nuk ka nisur një hetim zyrtar për “miliona vdekje nga vaksinat kundër Covid” në dhjetor 2022 ose në fillim të janarit 2023. Nuk ka asnjë provë në dispozicion për të sugjeruar se “miliona” njerëz në Japoni kanë vdekur si rezultat i vaksinave kundër Covid, dhe as nuk është njoftuar ndonjë hetim i tillë nga zyrtarë të shëndetit publik ose udhëheqës politikë japonezë.

Artikulli që pretendon këtë, si dhe postimi që po analizojmë, nuk ofron as detaje dhe as prova për të vërtetuar më tej numrin e pretenduar të vdekjeve ose hetimin e pretenduar.

Një kërkim në seksionin e Covid-19 të faqes së internetit të Ministrisë së Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies së Japonisë nuk dha asnjë rezultat që njoftonte një hetim të tillë. Lajmet e fundit nga zyra e kryeministrit Fumio Kishida nuk trajtojnë Covid, as nuk përmendin miliona vdekje të lidhura me vaksinat apo një hetim për vdekje të tilla.

Në Japoni, nga 3 janari 2020 deri më 3 janar 2023, ka pasur gati 28.8 milionë raste të konfirmuara të Covid-19 dhe 56,228 të raportuara vdekje nga virusi, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Mbi 349.2 milionë doza të vaksinave Covid-19 ishin administruar deri në fund të nëntorit 2022.

Nuk ka asnjë provë që vaksinat kundër Covid kanë shkaktuar miliona vdekje. Sipas një studimi të nëntorit 2022, midis 17 shkurtit 2021 dhe 17 prillit 2022, në Japoni u raportuan 1690 vdekje të shkaktuara nga efektet anësore të lidhura me vaksinën. Megjithatë, studiuesit nuk ishin në gjendje të vlerësonin plotësisht “një marrëdhënie shkakësore midis vaksinimit dhe vdekjeve” për shkak të “mungesës së informacionit të mjaftueshëm”.

Nga të gjitha informacionet më sipër mund të konkludojmë se nuk është e vërtetë që Japonia do të nisë një hetim kundër vaksinave kundër Covid-it për shkak të miliona vdekjeve, siç pretendon postimi. Nuk ka asnjë provë për miliona vdekje, as nuk ka ndonjë lajm zyrtar askund për ndonjë hetim të nisur kundër vaksinave. Prandaj, ne e vlerësojmë postimin që po analizojmë si të pavërtetë.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.