Nuk është e vërtetë që çmimi i energjisë elektrike “nuk ka lëvizur” për 4 vite

Deklarata e kryeministrit se çmimi i energjisë elektrike në Maqedoni për katër vite nuk ka lëvizur, është e pasaktë. Çmimi i energjisë elektrike në dy vitet e fundit është rritur dy herë, me vendim të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), me çka në njërin prej tyre është nivelizuar me uljen e taksave, por rritja e dytë është reale.

 

Duke folur për krizën globale energjetike dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike në bursat botërore, kryeministri Zoran Zaev në lajmet ditore për “TV Sitel”, dha këtë deklaratë:

E shihni, për katër vjet nuk ka lëvizur çmimi i rrymës, ndryshe 8 muaj më parë, në bursat ndërkombëtare rryma është rritur katër-pesë herë, kurse këtu është njësoj. Kështu që qytetarët të jenë të qetë dhe të mos kenë fare frikë.

[Burimi: Youtube, data: 25.10.2021]

 

(Nga minuta 18:20 deri 19:00)

 

ARSYETIMI:

Deklarata e kryeministrit se çmimi i energjisë elektrike në Maqedoni për katër vite nuk ka lëvizur, është e pasaktë. Çmimi i energjisë elektrike në dy vitet e fundit është rritur dy herë, me vendim të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), me çka në njërin prej tyre është nivelizuar me uljen e taksave, por rritja e dytë ka qenë reale.

Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski, më 31 korrik 2020 e informoi opinionin se nga 1 gushti 2020 çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 7,4 për qind.

E dimë që me këtë vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, do të ndikojmë te të gjithë konsumatorët e fundit. Tani, për shembull, fatura prej 1500 denarëve, do të jetë plus 100 denarë, ka llogaritur Bislimovski.

Shkak i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, siç theksoi Bislimovski, ishte pandemia e koronavirusit, e cila ndikoi negativisht në fitimet e kompanive energjetike dhe termocentraleve për shitjen e tepricës së energjisë elektrike përtej kufirit.

Më 30 qershor 2021, siç njoftoi Bislimovski, KRRE vendosi që çmimi i energjisë elektrike të rritet për 12,36 për qind. Por, kjo rritje është zbutur me vendimin e Qeverisë për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18 në 5 për qind, në mënyrë që qytetarët të mos marrin fatura drastike më të larta.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike pa TVSH prej 18 në 5%, do të jetë 12,36%, ndërsa me kompensimin e TVSH-së ka hapësirë ​​për ulje të lehtë të faturave përfundimtare të qytetarëve, konfirmoi Bislimoski.

Sipas kësaj, rritja e dytë e çmimit të energjisë elektrike u nivelua me uljen e TVSH-së, por, megjithatë, rritja e mëparshme nga viti i kaluar, prej 7.4 për qind, realisht ka ndodhur. Është gjithashtu e vërtetë se në tregjet botërore të energjisë elektrike çmimet ndërkohë janë rritur disa herë dhe me një përqindje më të lartë se ato të vitit të kaluar, 7.4 për qind në vendin tonë. Megjithatë, nuk mund të thuhet se çmimi i energjisë elektrike në 4 vitet e fundit “nuk ka lëvizur”. Rritja e çmimit të energjisë elektrike prej 7.4 për qind nga 1 gushti 2020 është realitet dhe ka ndodhur me të vërtetë.

Prandaj, mund të përfundojmë se deklarata e kryeministrit Zoran Zaev, është e pavërtetë.

Vlerësoi: Ana Anastasovska

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.