Nuk është e vërtetë që BDI deri tani nuk ka qenë në opozitë

 

BDI ka qenë parti opozitare 15 vjet më parë, në vitin 2006 kur Gruevski formoi qeverinë me PDSH-në, PRSD-në dhe PLD-në. Ndërsa në pushtet është për 13 vjet – prej vitit 2008. Prandaj, i pasaktë është informacioni i “Levicës”, se nëse bie Qeveria LSDM-së dhe BDI-së, BDI përfundimisht, pas 20 vitesh do të shkojë në opozitë.

 

 

Partia “Levica” ka dalë me komunikatë, në të cilën paraqet informacione të pasakta. Përkatësisht, duke raportuar se partitë opozitare në Kuvend, VMRO-DPMNE, “Levica”, BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë nënshkruar “marrëveshje për rrëzimin e qeverisë LSDM-BDI”, ndër të tjera “Levica” ka shkruar:

Me sigurimin e shumicës së nevojshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë garantohet shpërndarja e Qeverisë me votë mosbesimi – në rast se Zoran Zaev nuk jep dorëheqje. Kjo marrëveshje, në asnjë rast nuk do të thotë koalicion, dhe ka një qëllim të vetëm – rrëzimin e regjimit hibrid të BDI-së dhe LSDM-së. “Levica” edhe më tej do të vazhdojë të veprojë e pavarur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare – si përfaqësuesi i vetëm politik i klasës së shtypur maqedonase…
Për zgjedhjet e ardhshme dhe kush do t’i organizojë ato dhe si, janë negociatat e mëtejshme brenda shumicës së re.

[Burimi: Faqja zyrtare në Facebook e “Levicës”, data: 05.11.2021]

 

ARSYETIMI:

Nuk është e vërtetë që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nëse bie Qeveria, do të shkojë për herë të parë në opozitë, siç pretendon “Levica”: “Më në fund pas 20 vitesh BDI shkon në opozitë!”. Integristët e Ali Ahmetit për herë të parë ishin në opozitë para 15 viteve, gjegjësisht në vitin 2006, kur u formua qeveria e parë e liderit të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Më 28 korrik 2006, Gruevski mori mandatin për të formuar qeverinë e re nga presidenti Branko Crvenkovski. Qeveria e re u votua në Kuvend më 28 gusht dhe u votua nga deputetët e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, PDSH, PRSD, RDM, PEI dhe VMRO-Partia Popullore, ku VMRO-Partia Popullore, vetëm votoi për Qeverinë, por nuk u bë pjesë e koalicionit qeverisës. PDSH-ja e Menduh Thaçit kishte 11 deputetë, PRSD-ja e Tito Petkovskit 7 deputetë, RDM-ja e Liljana Popovskës 1 deputet dhe VMRO-PP 6 deputetë.

Mandati i kësaj qeverie përfundoi më 26 korrik 2008, kur u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. VMRO-DPMNE fitoi 63 deputetë në zgjedhjet e vitit 2008 (rezultati më i mirë i tyre deri më tani), LSDM e udhëhequr nga Radmila Shekerinska fitoi 27 deputetë, BDI – 18, PDSH me Menduh Thaçi – 11, PEI – 1. Gruevski u bë sërish kryeministër dhe në vend të PDSH-së, BDI për herë të parë hyri në koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në, pas të ashtuquajturës Marrëveshja e majit mes Gruevskit dhe Ahmetit, sipas së cilës partitë fituese nga blloku maqedonas dhe blloku shqiptar, formojnë koalicionin qeverisës.

Nga e gjithë kjo mund të konstatojmë se BDI deri më tani ka qenë në opozitë në vitin 2006, kur Gruevski formoi qeverinë me PDSH-në, PRSD-në dhe PLD-në. Prandaj, i pasaktë është informacioni që e kumton “Levica” se nëse bie Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, BDI përfundimisht do të shkojë në opozitë pas 20 vitesh. Për shkak të kësaj, njoftimin e “Levicës” e vlerësojmë si të pavërtetë.

 

Vlerësoi: Ana Anastasovska

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari