Nuk ekziston asnjë agjendë e BE-së për ta shkatërruar prodhimin tradicional të ushqimit

Фото: pixabay.com

Në postimin në Facebook nuk është shpërndarë teksti i plotë dhe nuk mund të shihet se bëhet fjalë për eutanazinë e derrave në Kroaci për shkak të sëmundjes jashtëzakonisht ngjitëse – murtajës afrikane, dhe jo për ekzistimin e ndonjë plani global për të shkatërruar prodhimin e ushqimit tradicional dhe për të kaluar në ushqimin sintetik. Nuk ka asnjë konspiracion global për të shkatërruar bujqësinë, përkatësisht qëllimi i Komisionit Evropian është që në 10 vitet e ardhshme 25 për qind e bujqësisë të përdoret për prodhim organik. Deri në vitin 2030, BE-ja duhet doemos të vendosë instrumente rregullatore që do të reduktojnë emetimet e gazeve serrë nga bujqësia, do të rrisin rezistencën e prodhimit bujqësor, do ta përmirësojnë biodiversitetin në zonat rurale dhe do të kontribuojnë në sigurimin e ushqimit të shëndetshëm për popullsinë botërore në rritje.

 

Të shpeshtë janë dezinformatat që përhapen në rrjetet sociale se është në procedurë një plan global në BE për të shkatërruar prodhimin tradicional të ushqimit dhe për të kaluar në ushqim sintetik. Në lidhje me këtë tezë që shpërndahet në publik, paraqesim një postim në rrjetin social Facebook ku thuhet:

Kroacia është në BE, më duket 10 vite

Kështu që keni një shembull!

Në BE, në procedurë është plani global për të shkatërruar prodhimin tradicional të ushqimit dhe për të kaluar në ushqimin sintetik.

Ndërkohë, në koloni aspirojnë për në BE, shih foton në të djathtë.

 

Si mbështetje për këtë shpërndahet edhe një foto, përkatësisht një titull nga një tekst që flet për eutanazinë e derrave në Sllavoni.

Por meqenëse i gjithë teksti nuk është shpërndarë, nuk mund të shihet se bëhet fjalë për eutanazinë e derrave në Kroaci për shkak të një sëmundjeje – murtajës afrikane, dhe jo për shkak të ekzistimit të ndonjë plani global për të shkatërruar prodhimin e ushqimit tradicional dhe kalimin në ushqim sintetik.

tekstin e mediave kroate thuhet se pasi Instituti Veterinar Kroat konfirmoi praninë e murtajës afrikane te derrat në zonën e dy qarqeve, për dy muaj ka ndodhur një katastrofë në fermat, përkatësisht me falimentim janë duke u përballur 444 ferma familjare bujqësore të cilët së paku një vit nuk guxojnë të blejnë dhe të ruajnë derra, dhe rimëkëmbja e fermave të derrave mund të zgjasë deri në pesë vjet. Sipas të dhënave të Ministrisë Kroate të Bujqësisë, murtaja afrikane është konfirmuar në tre objekte në qarkun Brodsko-Posavë dhe në 441 objekte në qarkun Vukovar-Srem. Thuhet se deri më tani janë vrarë 8796 derra. Të gjithë derrat e vrarë kanë qenë në objekte në të cilat me analizë laboratorike është konstatuar prezencë e murtajës afrikane të derrave. Sëmundja u konfirmua edhe te katër derrat e egër. Fakti që sëmundja arriti të kufizohej vetëm në dy qarqe në Kroaci, konsiderohet një reagim i mirë i shërbimeve kompetente.

Megjithatë, njerëzit po përballen me probleme të mëdha financiare, pasi mbarështuesve të derrave në këto dy qarqe prej gati dy muajsh u është ndaluar të shesin derrat, mishin e derrit dhe prodhimet e derrit, vetëm nëse i shesin ato në thertore. Por kjo nuk ndodh në praktikë, sepse thertoret i marrin derrat nga fermat që punojnë brenda korporatave të tyre.

Ky tani po bëhet një problem i madh. Derrat të cilët para dy muajsh peshonin 140 kg tani janë mbi 200 kg dhe nuk i duhen askujt për momentin, sepse industria e mishit nuk do të marrë asgjë më të rëndë se 140 kg, thotë Antun Goluboviq, mbarështues i derrave nga Gjuriç (Sllavoni) dhe kryetar i Bordit të Mbarështimit të Derrave të Odës Kroate të Bujqësisë (HPK).

Tani ai praktikisht ka mbetur pa punë, sepse 65 për qind e të ardhurave të tij kanë qenë nga derrat.

Tani më mbetet të paguaj taksa dhe kontribute, por njerëz si unë janë të lirë të deklarojnë falimentimin. Problemi më i madh është se kam mbetur pa material për shtim, pa gjenetikën në të cilën kam punuar 20 vite dhe që tani ka humbur. Tani në këtë moment, nëse infektimi ndalon dhe dikush të më sjellë derra, për të filluar nga e para, do të më duheshin të paktën tre deri në katër vite për të qenë aty ku isha deri më 3 gusht (para infektimit), plus një vit tjetër ndalim, kështu që pese vite. Unë jam 47 vjeç dhe ndoshta do të vendos të bëj një hap të tillë, por të moshuarit jo. thotë Goluboviq.

Përkundër asaj që dëshiron të paraqesë postimi manipulues në Facebook, e vërteta është se në Kroaci, shtet anëtar i Bashkimit Evropian, Ministria e Bujqësisë njoftoi se ka murtajë afrikane të derrave, dhe Oda e Veterinerëve të Kroacisë apeloi të respektohet parandalimi dhe të gjitha masat e qeverisë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Duhet theksuar gjithashtu se qeveria kroate ka Program për dëmshpërblim dhe ndihmë të amvisërive të cilët për shkak të kësaj sëmundje kanë qenë të detyruar t’i humbin kafshët e tyre shtëpiake – derrat – për shkak të kësaj sëmundjeje.

Murtaja afrikane  është një sëmundje virale shumë ngjitëse te derrat shtëpiakë dhe të egër të të gjitha kategorive të moshave. Virusi lëshohet përmes gjakut, indeve, sekrecioneve dhe jashtëqitjeve të kafshëve të sëmura ose të ngordhura. Sëmundja transmetohet dhe përhapet nga: kontakti i drejtpërdrejtë ndërmjet një kafshe të shëndoshë dhe të sëmurë, nga kafshët e ngordhura;  transmetohet në mënyrë indirekte përmes ushqimeve të kontaminuara dhe mbetjeve ushqimore, pajisjeve, automjeteve dhe veshjeve; transmetimi biologjik nga vektorët – rriqrat e buta të llojit Ornithodoros. Kjo sëmundje nuk është e rrezikshme për shëndetin e njeriut, por është shumë vdekjeprurëse tek këto kafshë dhe nuk mund të trajtohet.

Kontrolli i sëmundjeve te derrat kryhet në tre nivele: parandalimi, zbulimi i hershëm dhe reagimi i shpejtë. Parandalimi tek kafshët mund të jetë direkt ose indirekt. Parandalimi i drejtpërdrejtë përfshin zbatimin e masave të biosigurisë  nga mbarështuesit e kafshëve në ferma për të parandaluar shfaqjen e sëmundjeve dhe për të ruajtur gjendjen shëndetësore të kafshëve në nivel të kënaqshëm.

Masat e biosigurisë së fermës ndahen në masa të jashtme të biosigurisë, të cilat u referohen aktiviteteve dhe masave për parandalimin e hyrjes së agjentëve infektivë ose shkaktarëve të sëmundjes në vendin e mbarështimit (bio-exclusion) dhe masave të brendshme të biosigurisë, të cilat përfshijnë masa dhe aktivitete për parandalimin e përhapjes së agjentit infektues ose sëmundjes në vendin e mbarështimit ku është shfaqur si dhe përhapjes në vende tjera të mbarrështimit (bio-containment). Në të gjitha vendet e mbarështimit të derrave duhet të zbatohen parimet bazë të biosigurisë, përkatësisht: ndarja ose izolimi, pastrimi dhe dezinfektimi. Në ato ferma ku është konstatuar prania e murtajës afrikane, derrat e tyre eutanizohen pa shfrytëzim ekonomik të kafshëve.

Sa i përket pjesës së postimit ku thuhet se në BE është në procedurë një plan global për të shkatërruar prodhimin tradicional të ushqimit, ka shumë argumente që tregojnë se kjo është e pavërtetë dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë agjendë apo konspiracion botëror.

Për shembull, qëllimi i Komisionit Evropian është që në 10 vitet e ardhshme, 25 për qind e bujqësisë  shfrytëzohet për prodhim organik.

Komisionari evropian për bujqësi, Janush Vojçehovski, thotë se bujqësia organike do të bëhet prioritet për Komisionin Evropian.

Bujqësia organike do të jetë një aleat kryesor në tranzicionin që e realizojmë drejt një sistemi ushqimor më të qëndrueshëm dhe mbrojtjes më të mirë të sektorit organik. Komisioni do të vazhdojë ta mbështesë sektorin organik në qëllimin që deri në vitin 2030 – 25 për qind e tokës të shfrytëzohet për prodhimtari organike përmes politikave të duhura dhe kornizës ligjore, theksoi Vojçehovski.

Ky lloj bujqësie, përkatësisht prodhimi organik, përdor substanca natyrore dhe ka një efekt më pak të dëmshëm ndaj mjedisit jetësor. Bujqit që punojnë prodhim organik shfrytëzojnë më shumë burime të rinovueshme dhe kanë kujdes që biodiversiteti ekologjik të mbrohet, për shembull, përmes shfrytëzimit të përgjegjshëm të ujit. Bujqësia organike kërkon edhe mbrojtje më të rreptë të kafshëve dhe nevojave të tyre.

Deri në vitin 2030, BE-ja duhet të ketë instrumente rregullatore që do t’i reduktojnë emetimet e gazeve serrë nga bujqësia, do të rrisin qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor, do të përmirësojnë biodiversitetin në zonat rurale dhe do të kontribuojnë sigurimin e ushqimit të shëndetshëm për një popullsi botërore në rritje.

BE-ja gjithashtu ka për qëllim çrrënjosjen e varfërisë, sigurimin e punës së denjë dhe rritjen ekonomike, prodhimin dhe konsumin e përgjegjshëm.

Fotoja e dytë e shpërndarë në këtë postim në Facebook tregon një mesazh politik me të cilin promovohen fondet evropiane për bujqësinë të cilat në vend janë një tregim i suksesshëm.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se në postimin që e paraqesim mungon konteksti. Në BE nuk është në procedurë një plan global për shkatërrimin e prodhimit tradicional të ushqimit, planet janë që ushqimi në të ardhmen të mos jetë sintetik, por organik.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.