Një postim kundër BE-së demonizon Bashkimin Evropian pa argumente

Фото:NakNakNakPixabay

Postimi përmban një qëndrim karakteristik kundër BE-së, i ndjekur nga një narrativë urrejtjeje. Ndryshe nga sa u tha, Bashkimi Evropian është partner strategjik i Maqedonisë së Veriut që i jep mbështetje të vazhdueshme vendit tonë. Numri i projekteve, ndihmës financiare dhe strukturore në të gjitha fushat kyçe për avancimin e demokracisë dhe sistemit në Maqedoninë e Veriut nga BE-ja është i madh. Investimet janë në shëndetësi, polici, shtet ligjor, sektor joqeveritar, ekonomi, tregti, administratë publike etj. Të gjitha investimet e BE-së janë për të mirën e vendit

 

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook në të cilin është shpërndarë një foto ku shihet një ndërtesë në flakë, dhe në krye të ndërtesës është varur flamuri i Bashkimit Evropian. Në postim thuhet:

Rënia e Babilonisë është fitorja e së mirës ndaj së keqes.

Në foto, ku ndërtesa është paraqitur me flamurin e BE-së, shkruan:

Maqedonisë i janë bërë shumë të keqija nga kjo shtëpi. Ata e meritojnë që kjo t’u ndodhë.

Postimi përmban një qëndrim karakteristik kundër BE-së, i ndjekur nga një narrativë urrejtjeje. Ndryshe nga sa u tha, Bashkimi Evropian është partner strategjik i Maqedonisë që i jep mbështetje të vazhdueshme vendit tonë. BE-ja i ofron Maqedonisë mbështetje të vazhdueshme dhe ndihmë financiare në procesin e zbatimit të reformave të nevojshme për anëtarësim.

Maqedonia dëshiron të bëhet anëtare e BE-së. Për të ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi, BE-ja ofron mbështetje të vazhdueshme dhe ndihmë financiare përmes projekteve në mënyrë që vendi të mund të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme.

Instrumenti për Ndihmën e Para-Aderimit (IPA) është instrumenti kryesor financiar i BE-së për mbështetjen e reformave strukturore në Maqedoninë e Veriut dhe procesin e saj të anëtarësimit. Nga viti 2007 e tutje, BE-ja, përmes programit kombëtar IPA, investoi 1.6 miliardë euro në pesë fusha kryesore: sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, demokracia dhe qeverisja e mirë, mbrojtja e mjedisit dhe lidhja e qëndrueshme, zhvillimi ekonomik dhe kapitali njerëzor, bujqësia dhe zhvillimi rural. . Të gjitha këto fusha janë vendimtare për procesin demokratik dhe sundimin e ligjit në vend, të cilat prekin të gjithë qytetarët.

 

Vendi përfiton edhe nga Programi IPA Multi-Përfitues, i cili në periudhën 2014-2022 akordoi ndihmë të BE-së në shumën 3.24 miliardë euro për të mbështetur projekte me rëndësi rajonale për Ballkanin Perëndimor.

Nga viti 2009 e tutje, Korniza e Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor mbështeti një investim të parashikuar prej 3 miliardë eurosh në sektorin publik në Maqedoni. Vendi deri më tani ka shfrytëzuar 48 grante me vlerë totale prej 486.5 milionë euro, si asistencë teknike dhe projekte investimi. Donatorë të tjerë kanë dhënë 20.2 milionë euro si ndihmë dypalëshe dhe 900 milionë euro janë dhënë si kredi nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare.

Përveç kësaj, Instrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR) ka dhënë 10 milionë euro për projekte për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në periudhën 2007 – 2024.

BE-ja ofron gjithashtu mbështetje përmes instrumentit TAIEX, i cili ndihmon vendet partnere të mësojnë, aplikojnë dhe zbatojnë ligjin e BE-së. TAIEX financon asistencë teknike afatshkurtër, këshilla dhe trajnime. Asistenca TAIEX është e hapur për nëpunësit civilë, autoritetet gjyqësore dhe policore, parlamentet/legjislativët dhe stafin e tyre, shoqatat profesionale/tregtare, grupet e punëtorëve dhe punëdhënësve, përkthyesit dhe redaktorët e teksteve legjislative.

 

Përveç kësaj, TAIEX Local Administration Capacity (LAF) mbështet seminare mbi politikat kyçe të BE-së që kanë ndikim në nivel lokal si për anëtarët e zgjedhur ashtu edhe për zyrtarët e përhershëm të autoriteteve lokale dhe rajonale.

Sa i përket marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, BE-ja është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë, me 77,5 për qind të eksporteve të vendit dhe 51 për qind të importeve. Gjermania është partneri më i madh tregtar i vendit, e ndjekur nga Britania e Madhe, Serbia, Kina dhe Greqia. Eksportet nga vendi kryesisht përbëhen nga disa produkte, ndër të cilat më të rëndësishmet janë: lidhjet e ferronikelit, hekuri dhe çeliku dhe tekstilet. Importet kryesore përbëhen nga nafta e papërpunuar, energjia elektrike, produktet e hekurit dhe çelikut të mbështjellë, dhe automjetet.

Disa nga programet dhe iniciativat kryesore të BE-së për të mbështetur rritjen e bizneseve dhe ekonominë më të gjerë janë në dispozicion të kompanive të vendosura në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë Horizon Europe 2021-2027 (një program kyç i BE-së për financimin e kërkimit dhe inovacionit, me një buxhet prej 95 .5 miliardë euro). Më pas Access2Markets (portali për eksport dhe import nga BE, i cili ofron informacion për të gjitha tarifat, procedurat dhe formalitetet doganore, si dhe kërkesat në lidhje me produktet në tregun e BE-së), Grow your business (shërbime këshillimore të subvencionuara për kompanitë), etj.

 

Organizatat e shoqërisë civile ofrojnë mbështetje për autoritetet maqedonase në zbatimin e reformave strukturore në procesin e anëtarësimit. Ata mobilizojnë qytetarët, shprehin shqetësimet e njerëzve, drejtojnë energjinë e komuniteteve në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm.

BE-ja dëgjon shoqërinë civile, punon me të dhe avokon për një rol të forcuar të organizatave të shoqërisë civile në dialogun mbi politikat sektoriale në vend.

BE-ja gjithashtu ofron ndihmë financiare për projektet e shoqërisë civile përmes Instrumentit të saj për Asistencën e Para-Aderimit (IPA). Në vitin 2008, BE-ja themeloi Instrumentin e Shoqërisë Civile për të mbështetur zhvillimin e shoqërive civile në Evropën Juglindore dhe për t’i ndihmuar ato të luajnë një rol më aktiv në dialogun e politikave dhe të mbështesin procesin e aksesit në nivel komuniteti, të mobilizojnë qytetarët dhe komunitetet në gjetjen e zgjidhjeve lokale dhe në nismat kryesore për përfshirjen sociale, puna për promovimin e të drejtave njerëzore, sociale dhe mjedisore, monitorimi efektiv i reformave strukturore të zbatuara nga Qeveritë, si dhe zhvillimi i projekteve dhe rrjeteve ndërkufitare.

Në periudhën 2014-2020, BE-ja ka siguruar 24.3 milionë euro për projekte për organizatat e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut.

 

Qytetarëve të vendit iu lejua udhëtimi pa viza në zonën Shengen në dhjetor 2009.

Në mars 2020, Këshilli Evropian konfirmoi vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Pasi Këshilli miratoi Kornizën Negociuese, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, më 19 korrik 2022, BE filloi fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Në dhjetor 2023, vendi përfundoi procesin e shqyrtimit.

Në faqen e Delegacionit të BE-së, mund të shihen të gjitha projektet e mbështetura nga BE.

Mbështetja nga BE-ja ka për qëllim edhe sektorin shëndetësor në Maqedoninë e Veriut. Kështu, javën e kaluar BE-ja i ka dhuruar 7 autoambulanca për Emergjencën e Shkupit. Gjithashtu dhuron pajisje mjekësore për spitalet si dhe pajisje për Ministrinë e Brendshme.

Për të gjitha faktet e mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë. 


 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.