Një deklaratë e sajuar e presidentit Biden po shpërndahet në Facebook si e vërtetë

Presidenti i SHBA Joe Biden nuk tha se do të dërgonte një tren për të shpëtuar nëndetësen e zhdukur, bëhet fjalë për satirë. Një tekst me këtë përmbajtje është publikuar pak ditë më parë në faqen satirike amerikane The Babylon Bee

Një postimFacebook pretendon se presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se do të dërgojë një tren shpëtimi për të kërkuar për nëndetësen e humbur. Deklarata nuk është e vërtetë, është një postim satirik i përcjellë si i vërtetë.

UASHINGTON – Duke iu drejtuar gazetarëve në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë sot, Presidenti Biden u zotua të dërgojë një tren shpëtimi për të kërkuar për OceanGate Titan, nëndetësen që u zhduk të dielën gjatë zhytjes për të arritur në rrënojat e Titanikut.

Ditët e fundit sytë e gjithë botës janë përqendruar te nëndetësja e zhdukur “Titan”, e cila po transporton njerëz drejt rrënojave të Titanikut. Nëndetësja u zhduk në Oqeanin Atlantik më 18 qershor, duke shkaktuar një operacion të madh shpëtimi.

Mbetjet e “Titanikut” shtrihen në një thellësi prej rreth 3800 metrash, dhe kjo është 1450 kilometra nga bregu i Shteteve të Bashkuara, domethënë 644 kilometra nga brigjet e Kanadasë. Aeroplanët amerikanë dhe kanadezë deri më tani kanë kontrolluar një sipërfaqe prej gati 20 mijë kilometrash katrorë në det të hapur dhe në kërkim morën pjesë edhe anije dhe një nëndetëse e telekomanduar.

Një postim në Facebook pretendon se Presidenti i SHBA Joe Biden, duke folur me gazetarët në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, tha se do të dërgonte një tren për të shpëtuar nëndetësen e humbur. Bëhet fjalë për satirë, domethënë diçka të tillë nuk e ka thënë Biden.

Megjithatë, nëse nuk merrni kohë për të kontrolluar nëse kjo ka ndodhur në të vërtetë, mund ta besoni shumë lehtë atë që shkruhet duke qenë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Biden, ka bërë disa lapsuse në muajt e fundit.

Një tekst me këtë përmbajtje është publikuar pak ditë më parë në faqen satirike amerikane The Babylon Bee. Kjo faqe interneti publikon artikuj satirikë mbi tema të tilla si feja, politika, ngjarjet aktuale dhe figurat publike. Ai përfaqëson një version të krishterë, ungjillor ose konservator të faqes së famshme satirike The Onion.

Në atë tekst, në mënyrë satirike thuhet se Biden deklaroi “Treni tani është në rrugën e tij për në vendin e zhdukjes. Ne e kemi devijuar atë nga kursi i tij normal në fundin e oqeanit përmes Oqeanit Paqësor dhe Indian dhe po lëvizim sa më shpejt që të jetë e mundur për të filluar kërkimin në fundin e oqeanit në Atlantikun e Veriut”, pas së cilës punonjësit e Shtëpisë së Bardhë ia ndaluan mikrofonin.

Ata që e panë postimin që është objekt i këtij shqyrtimi dhe e besuan, e bënë këtë pikërisht sepse asgjë në postim nuk tregonte se ishte një sajesë. Në tekstin e postimit në Facebook, nuk ka asnjë të dhënë se bëhet fjalë për satirë.

Kur bëhet fjalë për postimin e përmbajtjes satirike, ajo duhet të theksohet qartë dhe dukshëm. Duke shpërndarë postime satirike në rrjetet sociale pa e theksuar, krijon përshtypjen se ato janë të vërteta, duke manipuluar kështu publikun. Publikut i krijohet përshtypja se diçka ka ndodhur, kur në fakt bëhet fjalë për një sajesë me qëllim shakaje.

Për të gjitha faktet e mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si satirik.

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.