NATO dhe “krimet paraushtarake” në Haraçinë – dezinformatë klasike

Арачиново. Фото: скриншот

Bëhet fjalë për retorikë dezinformuese kundër NATO-s që synon të mbështesë objektivat dhe veprimet programore të partisë Levica, e cila krijon/përhap mosbesim shtesë në institucionet e shtetit (“të paprekshmit”), por edhe në marrëdhëniet ndëretnike, sepse mund të lidhet edhe me ngjarjet e qershorit 2001. Pretendimi, i cili si fakt i vërtetuar është transmetuar në disa media online me titullin sensacional, JA PSE JANË TË PAPREKSHËM “KRIMINELËT” NË HARAÇINË…, është përdorur edhe si argument për kallëzimin penal të Levicës një ditë më vonë.

 

Dezinformatë klasike është plasuar në një deklaratë në profilin e Facebook-ut të zëdhënësit të Levicës, Rexhep Ismail, lidhur me grupet paramilitare në RMV, konkretisht në Haraçinë:

Nuk e di pse është e çuditshme që grupet kriminale janë të paprekshme në një vend të NATO-s, si në rastin e Haraçinës – pra NATO i krijon ata kriminelë paraushtarakë, natyrisht që janë të paprekshëm për shtetin.

[Burimi: Rexhep Ismail – profili në Facebook – data: 5.12.2022]

 

ARSYETIMI: 

Në postimin që po e recensojmë konkretisht bëhet lidhje mes NATO-s, Maqedonisë si anëtare e NATO-s dhe grupeve kriminale paraushtarake, lidhur me një incident të fundit në Komunën e Haraçinës, por për asgjë nuk ofrohet as edhe një fjalë argument.

Ky është dezinformim për disa arsye. E para dhe themelore është se vetë burimi i mesazhit – zëdhënësi i partisë politike parlamentare Levica, Rexhep Ismail, fjalë për fjalë “nga pranga” siç thuhet, nxjerr një deklaratë që nuk mbështetet me asnjë argument, fakt, gjysmë-fakt, të dhëna, çfarë do qoftë. Duke pasur parasysh se një pjesë e orientimit programor të partisë së tij është anti-NATO, kjo nuk është për t’u habitur, por, megjithatë, kjo nuk i fshin pasojat e këtij dezinformimi, të cilat i drejtohen NATO-s, RMV-së, por edhe ndaj marrëdhënieve ndëretnike në shtet.

Ja faktet që mund të gjenden ditët e fundit në hapësirën publike për këtë incident.

Ngjarja ka ndodhur më datë 30.11.2022 në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa të nesërmen me datë 01.12. hapësira publike është vërshuar me lajme pa burim, burime jozyrtare etj, se pas ndalimit të automjetit nga kontrolli policor në hyrje të Haraçinës, shoferi i ka rezistuar kontrollit, është larguar në drejtim të Haraçinës, pastaj është kthyer me grup të armatosur, i cili urdhëroi efektivët e policisë të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Një ditë më vonë, më 02.12. edhe partia më e madhe politike parlamentare, në opozitë, VMRO-DPMNE, përmes zëdhënësit të tyre Naum Stoilkovski, informoi se bëhet fjalë për “skandal të rëndë”, se “kriminelët ndjekin policët”, se “banditizmi po merr përmasa” dhe se e gjithë kjo është duke ndodhurpër shkak të arbitraritetit dhe përfshirjes së Spasovskit, SDS-së dhe BDI-së në angazhimet e tyre në dëm të policisë, por edhe të sigurisë së përgjithshme dhe rendit dhe qetësisë publike”.

Të njëjtën ditë, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, thotë se policia e krimit dhe Departamenti i Kontrollit të Brendshëm janë duke punuar për rastin dhe se duhet pritur rezultatet, edhe pse shtoi se “është e tepërt e theksuar se kanë qenë me armë, por të shohim se çfarë do të dalë në fund. Fillimisht, le të shohim se çfarë është rasti, që të dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe më pas të flasim për gjithçka tjetër”.

Pasnesër, më datë 03.12.2022, Ministria e Brendshme del me informacion se kontrolli i brendshëm dhe policia e krimeve kanë vërtetuar faktet dhe se bëhet fjalë për dezinformim të plotë se një grup i armatosur ka sulmuar punonjësit e policisë dhe i ka detyruar të tërhiqen:

E njoftojmë opinionin se raportimet se janë sulmuar policë në komunën e Haraçinës janë dezinformata të plota. Nga kontrollet e kryera rezultoi se më datë 30.11.2022 tre punonjës policie kanë ndaluar një mjet tip “Volkswagen”, i drejtuar nga një i mitur, por nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme zyrtare, për çka ndaj tyre janë ngritur iniciativa për procedim disiplinor, ndërsa në bisedat e zhvilluara zyrtare tre policët kanë mohuar se dikush i ka kërcënuar apo ka ushtruar presion ndaj tyre. Prandaj, apelojmë që para se të kontrollohen faktet të mos publikohen dezinformata që shqetësojnë qytetarët.

Lidhur me rastin, sot në mëngjes i mituri 17 vjeçar është thirrur në Policinë e Haraçinës së bashku me prindërit e tij, të dy nga fshati Saraj, Shkup, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer kundërvajtje nga neni 225 i Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor dhe pas bisedës zyrtare i mituri ka sqaruar veprën e kryer. Kundër të miturit është parashtruar ankesë për kundërvajtje të vërtetuar për drejtim të automjetit motorik pa patentë shofer, ndërsa ndaj prindit është parashtruar ankesë për kundërvajtje të kryer nga neni 317 paragrafi 14 i të njëjtit ligj, sepse ka lejuar të mitur për të drejtuar automjetin pa patentë thuhet në njoftimin zyrtar.

Por, kjo nuk e pengoi partinë opozitare VMRO-DPMNE që të pretendonte të kundërtën, kështu që në të njëjtën ditë ata vërshuan sërish opinionin me njoftimin se Spasovski ishte në anën e kriminelëve, se ai kishte braktisur policët dhe se ai vetë ishte “problem sigurie”. Më 04.12.2022, policia kreu aksion për kontrollimin e kafeneve në Haraçinë dhe po atë ditë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se e dinë saktësisht se cilët janë kriminelët nga Haraçina dhe se ata do të arrestohen ditën e parë pasi VMRO-DPMNE të vijë në pushtet. Policia pas aksionit njoftoi se janë arrestuar dy persona, ndërsa ndaj të tretit është bërë kallëzim penal, i cili ka kërcënuar mediat.

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, më 05.12.2022, në një intervistë për një televizion ka thënë se “çdo komunë ka grupe kriminale”, në të njëjtën kohë ka bërë thirrje që rasti të mos përdoret për nevoja ditore politike, duke shtuar se si kryetar komune ai është i interesuar që të mos ketë grupe të tilla as në Haraçinë e as askund tjetër:

Ka pasur bastisje edhe më parë, madje edhe në përmasa më të mëdha. Uroj që të gjithë ata politikanë, sidomos nga pala maqedonase, të kenë qëllime të mira për komunën e Haraçinës, e jo vetëm ta paraqesin me pompozitet sepse është komunë shqiptare dhe ky është problemi. Edhe nëse ka një problem, gjeni mënyrat më të mira të mundshme për ta zgjidhur atë, jo të bëni politika ditore. Nuk besoj se asnjë qytetar është kundër kontrolleve të rregullta, theksoi Ridvan Ibrahimi.

Më 05.12.2022, shënojmë edhe njoftimin e zëdhënësit të Levicës që po e shqyrtojmë, i cili “sqaron” opinionin për lidhjen e NATO-s dhe shtetit të NATO-s RMV me “kriminelët”, ndërsa tashmë më 06.12.2022, opinioni është njoftuar se Levica ka bërë kallëzim penal kundër menaxherëve në EVN, për shkak të mos raportimit të vjedhjes së energjisë elektrike në Haraçinë.

***

Si përmbledhje, siç thotë kryetari i Komunës së Haraçinës, grupe kriminale ka në çdo komunë, madje edhe në Haraçinë, dhe nuk kontestohet se krimi i organizuar ka bazë shumë të fortë në disa nga komunat e vendit. Por nuk ka asnjë argument të mbështetur me prova apo të dhëna të forta se ato grupe kriminale janë para së gjithash të paprekshme nga policia dhe aq më pak për pretendimin se “NATO i krijon ata kriminelë paraushtarakë”, duke aluduar për RMV-në si anëtare e NATO-s.

Bëhet fjalë për retorikë dezinformuese kundër NATO-s që synon të mbështesë qëllimet dhe veprimet programore të partisë LEvica, e cila krijon/përhap mosbesim shtesë në institucionet e shtetit (“të paprekshmit”), por dëmi është edhe indirekt në marrëdhëniet ndëretnike. Sepse tek disa nga publiku mund të lidhet edhe me betejën për Haraçinën nga konflikti ushtarak i vitit 2001. Prandaj, pretendimi, i cili si fakt i vërtetuar është transmetuar në disa media online me titull sensacional, JA PSE JANË TË PAPREKSHËM “KRIMINELËT” NË HARAÇINË…, është përdorur edhe si pranim për kallëzimin penal nga Levica një ditë më vonë.

Për argumentet e lartpërmendura, deklarata e zëdhënësit të Levicës mund të vlerësohet si e pavërtetë.

 

BURIME:

 

Vlerësoi: Теоfill Bllazhevski

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.