Nanoteknologjia, rrjeti 5G dhe oksid grafeni nuk kanë kurrfarë lidhje me vaksinat

Фото: pixabay.com

Postimi nxjerr në pah një sërë teorish konspirative dhe fakte të pavërtetuara lidhur me vaksinat dhe përbërjen e tyre. Vaksinat nuk përmbajnë oksid grafeni, as nanoteknologji e cila e modifikon gjenetikisht njeriun që ai të drejtohet me ndihmën e teknologjisë 5G

 

Në rrjetet sociale nuk pushojnë së përhapuri teoritë e mirënjohura konspirative kundër vaksinave të cilat veçanërisht ishin aktuale në kohën e pandemisë kovid, kur plasoheshin të pavërteta të shumta për vaksinat kundër koronavirusit. Në këtë postim Facebook janë nxjerrë shumë të pavërteta për përbërjen e vaksinave kovid dhe efektin e tyre:

Mendoj se shumica prej jush nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh dhe shumica prej jush mendojnë se është qesharake!!!

Nuk është aspak qesharake, jua ndryshuan fushën bio-elektro-magnetike të trupit!!!

Po shndërroheni në një transiver dhe përhapeni rreth “proteinave” lipide  sintetike (që përmbajnë nano grafen)

TANI JENI NJË QENIE E MODIFIKUAR GJENETIKISHT!!!Mendoj se nuk mund të konsideroheni më si qenie njerëzore, përkatësisht një kamxhik njerëzor.

Nuk keni më një fushë elektromagnetike natyrore rreth jush, nuk e prodhoni më atë!

Tani ju jeni thjesht një TRANSMETUES për sistemin (rrjetin) që e kanë vendosur rreth…

Rrjeti 5G është një armë dhe teknologji ushtarake të cilën ata e kanë vendosur për t’u lidhur me ju…

Tani jeni ata ju që e përhapni infeksionin!

Andaj ju të pavaksinuar qëndroni larg!!!

Nëse nuk besoni, por keni një matës të fushës elektromagnetike, mos ngurroni ta afroni më pranë vendit ku e keni marrë “VAKSINËN” 💉!!!

Ju nuk e keni më fushën tuaj elektromagnetike natyrore përreth jush, tani gjithçka është sintetike (artificiale)…, thuhet ndër të tjera në postimin që e recensojmë.

.

Teoria e konspiracionit se pandemia me Kovid-19 është planifikuar që të vaksinohen njerëzit me vaksina të modifikuara gjenetikisht, të cilat kanë për qëllim t’i çipojnë dhe më pas t’i kontrollojnë përmes rrjetit 5G, nuk është asgjë e re dhe Vërtetmatësi ka shkruar shumë tekste mbi këtë temë.

Pretendimet se vaksinat kundër Kovid, të cilat janë bërë me teknologjinë mARN, përmbajnë OMGJ dhe nanoteknologji janë të rreme. Në vaksinat kundër Kovid-19, nuk ka nanoteknologji trans’humaniste mARN.

Teknologjia mARN daton në vitet 1990, por gjatë pandemisë për herë të parë u përdor në vaksinat e përdorura gjerësisht. Në vaksinat Pfizer dhe Moderna, mARN-ja gjendet në një “kapsula lipoide”, ose më saktë, në një mbështjellës yndyror, që përshkruhet si një nanogrimcë. Parashtesa “nano” do të thotë vetëm se është i vogël, e jo se është nanoteknologji.

mARN, acidi ribonukleik, është një molekulë e ngjashme me ADN-në që mbart informacionin gjenetik të koduar në qelizë. Vaksinat Pfizer dhe Moderna përdorin mARN për të bartur informacion gjenetik rreth koronavirusit në qelizën e trupit, për të mësuar sistemin imunitar të identifikojë dhe luftojë infeksionin Kovid-19.

Megjithëse termi nano përdoret që të imponohet se nanoteknologjia përdoret për ta modifikuar ARN-në tuaj, kjo është plotësisht e rreme. mARN me vaksinat e “Fajzer” dhe “Moderna” nuk ka kurrfarë efekti mbi ADN-në ose ARN-në e njeriut dhe nuk bëhet pjesë përbërëse dhe e përhershme e qelizës, thotë Sindi Prins, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin në Floridë.

Edhe Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve e ShBA-së, vërteton zyrtarisht se vaksina kundër kovid-19 nuk hyn në bashkëveprim me ADN-në tonë në çfarëdo mënyre.

mARN-ja asnjëherë nuk hyn në bërthamën e qelizës ku ruhet materiali gjenetik. Qeliza e tret dhe lirohet nga mARN-ja menjëherë pas përfundimit të përdorimit të instruksioneve.

EDHE UNICEF-i pretendon se vaksinat kundër kovid-19 nuk mund ta ndryshojnë ADN-në e njeriut.

Vaksinat e quajtura mARN nuk e ndryshojnë, as nuk bashkëveprojnë me ADN-në tuaj. Vaksinat mARN u japin instruksione qelizave tuaja si të krijojnë proteinë e cila aktivizon reagim imunitar dhe pastaj menjëherë tretet. Me këtë ndërtohet imunitet kundër  virusit i cili shkakton kovid-19. Në atë mënyrë, mARN (përkatësisht instruksionet) nga vaksina aspak nuk hyjnë në bërthamën e qelizës, ku gjendet ADN-ja jonë, shkruan në faqen e internetit të UNICEF-it.

Pretendimet për elemente mikroskopike që përbëhen në trupin e të vaksinuarve, ekspertët e imunologjisë i quajnë një fantazi dhe absurditet i pastër.

Profesori i Universitetit Kuinsllend, Kit Çapell thotë se pretendimi për nanoteknologjinë në vaksinat është qesharake.

 

Vaksinat mARN përmbajnë nanogrimca por ato përbëhen nga lipoidet dhe molekulat e kolesterolit. Këto janë të ngjashme me pikat mikroskopike të yndyrave që e çojnë vaksinën në qelizat. Këto definitivisht nuk janë komponentë elektronike dhe kjo nuk ka kuptim në asnjë nivel, deklaroi ai.

Rrjeti 5G që përmendet në postimin nuk ka asnjë lidhje me vaksinat. Teoria e konspiracionit që rrjeti 5G dhe disa mikroçipa joekzistuese në vaksina janë një përpjekje e kombinuar për të kontrolluar popullatën – ku lkëviz, çfarë bën, çfarë blen, madje edhe idetë se me çipat joekzistuese do të kontrollojnë procesin e të menduarit të individit të vaksinuar, është thjesht një teori konspirative qesharake, e pambështetur me asnjë fakt, e pabazuar në realitet. Teknologjia 5G në komunikim dhe vaksinimi në kujdesin shëndetësor nuk janë të lidhura.

Që nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë ndikim të rrjetit 5G mbi koronavirus u konfirmua tashmë në fillim të vitit 2020. Pothuajse të gjitha institucionet relevante dolën me raporte se nuk ka dëshmi se ky rrjet ka ndikim në sistemin imunitar dhe se është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve.

Në shkurt 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se nuk është zbuluar asnjë ndikim i këtij rrjeti mbi shëndetin publik.

Edhe pas shumë hulumtimeve të bëra, deri tani nuk është vërejtur asnjë ndikim i dëmshëm mbi shëndetin që është shkaktuar nga ekspozimi ndaj teknologjisë pa tel, thuhet në sqarimin e OBSH-së.

Sa i përket pretendimit se në vaksinat kovid ka oksid grafeni, gjithashtu, është theksuar në postimin të cilin e analizojmë, dhe kjo nuk është e saktë.

„Vërtetmatësi“ dhe në këtë temë është shkruar më shumë herë.

Oksid grafeni është material i cili krijohet nga oksidimi i grafenit. Grafeni është shtresë e vetme e grafitit (substancë e butë e cila gjendet në majën e lapsit për të shkruar). Oksidi i grafenit gjen përdorim potencial në elektronikë, optikë, kimi, ruajtje të energjisë dhe biologji, është sqaruar në shkrimin e publikuar në zhurnalin “Frontiers of Fiziks” në janar 2019.

 “Asoshiejted pres” njoftoi se edhe krahas kësaj që ka pasur hulumtime për atë nëse është shfrytëzuar oksid grafeni në disa vaksina (në sasi të cilat për njeriun nuk do të ishin toksike), materiali nuk është në listën e përbërësve të vaksinës së fajzerit ose cilado vaksinë tjetër.

Nuk është në listën e përbërësve dhe nuk ka kurrfarë gjasa të jetë i pranishëm, deklaroi Alen Majerson, profesor i inxhinierisë kimike në Institutin e Nanoteknologjisë Masaçusets.

 

Edhe në faqen zyrtare të internetit për vaksinim në vend, ku janë shënuar përbërësit e të gjitha vaksinave që administrohen në Maqedoninë e Veriut, shihet se në përbërjen e tyre nuk ka oksid grafeni.

 

Nga e gjithë kjo mund të arrijmë në përfundim se postimi nxjerr në pah një sërë teorish konspirative dhe fakte lidhur me vaksinat dhe përbërjen e tyre. Vaksinat nuk përmbajnë oksid grafeni, as nanoteknologji e cila e modifikon gjenetikisht njeriun që ai të drejtohet me ndihmën e teknologjisë 5G. Sipas kësaj, postimin e vlerësojmë si të pavërtetë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.