Ministrja Petrovska: E mbështesim integritetin territorial të Ukrainës
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska për TV24 ka deklaruar se institucionet tona në tërësi i ndjekin ndodhitë në dhe rreth Ukrainës të cilat janë të lidhura me vendosjen e trupave të armatosur ruse në kufi me Ukrainën, njofton Portalb.mk.
“Patjetër të theksoj se në tërësi i mbështesim përpjekjet që zhvillohen në kornizat e Aleancës së NATO-s dhe OSBE-së për tejkalimin e kësaj situate. Vendosja e këtyre trupave të armatosur vlerësoj se është veprim provokues dhe destabilizues e cila në fakt e zvogëlon sigurinë e kontinentit evropian”, deklaroi ministrja Petrovska.
Ajo theksoi se Maqedonia e Veriut në tërësi e mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Ministrja Sllavjanka Petrovska theksoi se vendi padyshim e mbështet dhe respekton Marrëveshjen e Uashingtonit, por edhe të gjitha dokumentet dhe marrëveshjet fundamentale që e sigurojnë sigurinë e Evropës.
“Si shtet anëtar i NATO-s, i ftojmë të gjithë vendet që ta bëjnë të njëjtën, pasi që nuk mendojmë se ndezja e çfarëdo konflikti mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës aktuale. Përkundrazi, dialogu dhe diskutimet duhet të jenë, para se gjithash, në interes të gjithë neve”, deklaroi ministrja Petrovska.
Përndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit sot urdhëroi largimin e pjesëtarëve të familjeve të personelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kiev dhe autorizoi largimin vullnetar të punonjësve amerikanë, për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga veprimet ushtarake ruse kundër Ukrainës. Pas SHBA-ve edhe Britania e Madhe ka filluar ta tërheqë stafin e saj nga Ambasada në Ukrainë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari