Mendimet shoviniste të gazetarit, nuk duhet të paraqiten në formë të lajmit

Nxitje në baza etnike, komente tendencioze, tekst politikisht i motivuar, gjuhë e urrejtjes si dhe komunikim i pashembullt. Të gjitha këto elemente mund të gjenden në lajmin të cilin e recensojmë, përveç asaj esenciales që lajmi duhet ta përmbaje, informatën. Ndërsa koha kur është publikuar ky “lajm”, pikërisht në fushatë parazgjedhore len hapësirë të mendohet se i njëjti tenton të manipulojë me emocionet e lexuesve, për qëllime të fushatës partiake.

Foto nga lajmi që e recensojmë.

Linku deri te artikulli original: LSDM ua tregon grushtin shqiptarëve

Data dhe koha e publikimit: 24.06.2020

Data e recensionit: 27.06.2020

Recensues: Ardit Ramadani

Që nga titulli dhe fotografia kryesore e këtij lajmi, mund të dallohet qartë se bëhet fjalë për manipulim me analogji false. Pra, autori i këtij shkrimi (i cili është anonim) duke thënë se funksionarët e LSDM-së kanë bërë grushtin në një fotografi për “të tregu forcën shqiptarëve”, krijon analogji midis dy gjërave të palidhura, grushti në fotografi me kundërshtimin ndaj shqiptarëve. Pastaj, në bazë të kësaj analogjie ai dhe bën shpifje në formën më të keqe të mundshme. Këtë fenomen e shpjegon më gjërsisht doracaku i Crithinkut.

Nxitje në bazë etnike

Autori i këtij shkrimi, në tekst bashkëqytetarëve maqedonas ju drejtohet me “ata” të cilët nuk e dëmtojnë “të vetin” ndërsa shqiptarëve me “ne”. Kështu, duke krijuar një ndarje mes dy etnive e cila më pas mund të ndikoje në nxitjen e marrëdhënieve ndëretnike në vend.

“Duan të tregojnë se janë të fuqishëm dhe s’ka forcë tjetër që i mposht,madje as ideja e kryeministrit shqiptar. Duan përmes grushteve të tregojnë se kryeministri do jetë i tyre si gjithmonë” shkruan në tekstin që e recensojmë.

Kodi etik i gazetarëve thekson që “Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”

Thirrja në emocione

Përveç që autori në këtë shkrim ka bërë një sërë shkeljesh të Kodit Etik, i njëjti është siguruar që shkrimi të publikohet në kohën kur edhe lexuesit janë më të prirur të bien pre e manipulimeve të tilla, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në RMV, kur situata ndëretnike në vend ka tendencë të jetë më e tensionuar.

Autori është munduar që lexuesve të ua imponoje idenë se maqedonasit, rrespektivisht funksionerët e LSDM-së janë sundues të cilët, siç shkruan ai “i shfrytëzojnë shqiptarët dhe më pas i hudhin si një hiçgjë”. Me këtë, autori tenton të prekë në ndjenjat e lexuesve shqiptar dhe kështu të nxit urrejtje ndëretnike, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar edhe me ligj.

Ky shkrim ka edhe doza të shovinizmit, pikërisht në fund të shkrimit ku thotë.

“Në fund të fundit edhe vargjet e famshme: “Si nuk kam një grusht të fortë” janë tonat dhe jo të tyre” Kështu duke treguar pikëpamje për kombin vetjak si superior kurse për kombin tjetër si komb inferior dhe duke marrë ekskluzivitet kombëtar.

Çfarë është Shovinizimi?
Nacionalizëm i skajshëm dhe reaksionar, ekskluzivitet kombëtar, pikëpamje për kombin vetjak si superior kurse për kombet tjera si kombe inferiore; intolerancë kombëtare. Termi shovinizëm nuk tërheq me vete gjykimin se shovinisti është në të drejtë ose gabim, por flet për faktin se ai është i verbër dhe i paarsyeshëm, se injoron faktet. Ariel Levy thotë se shumë gra të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke “përshkruar kulturën e pahijshme” përdorin atribute mashkullore tradicionale, e përsëritin stereotipat gjinore. (Pajaziti, 2009).

Nga fillimi deri në fund, ky shkrim është koment, jo lajm!

Shkrimi nuk përmban as elementet më të vogla në mënyrë që i njëjti të quhet lajm, nga fillimi deri në fund lexuesit hasen me komente apo opinione të vetë autorit, i cili ritheksojmë se është anonim.

Kodi i Gazetarëve thotë kështu “Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve”.

Kodi Etik i gazetarëve gjithashtu thotë : “Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit”.

Lexues, “patriotët” gjatë fushatës mbijnë si këpurdhat pas shiut, mos bini pre e manipulimeve!

Në periudhë parazgjedhore politikanët dhe megafonat e tyre, pra “gazetarët” të cilët keqpërdorin këtë profesion duke anuar politikisht, “garojnë” me kundërkanditatët e tyre se kush është më patriot se sa tjetri. Andaj, bëni kujdes në maksimum që këto ditë të mos bini pre e “lajmeve” të tilla tendencioze, për shkak se ky është qëllimi i vetëm i personave që bëjnë tekste të tilla.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .