Me një tekst të vjetër manipulohet se Rusia është tërhequr nga OBSH dhe OBT


Rusia është ende një anëtare aktive e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Tregtisë. Parlamenti rus as nuk ka shqyrtuar dhe as votuar asnjë iniciativë për tërheqjen e vendit nga dy organizatat kryesore botërore dhe as nuk është paralajmëruar një gjë e tillë në të ardhmen.

 

Një postim në rrjetin social Facebook pretendon se Rusia po tërhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). Kjo nuk është e vërtetë. Rusia është anëtare e këtyre organizatave ndërkombëtare dhe nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për t’u larguar prej tyre.

Rusia tërhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Tregtisë.

Pason një rindërtim i plotë i Kombeve të Bashkuara dhe fundi i hegjemonisë anglo-saksone.

Nëse nuk duan me dëshirë atëherë me forcë…, thuhet në postim.

Bashkëngjitur me postimin që pretendon në mënyrë të rreme se Rusia po tërhiqet nga dy organizata të mëdha ndërkombëtare është një printscreen nga një njoftim për shtyp nga media prestigjioze Politico. Ky printscreen është i saktë, pra fotoja nuk është manipuluar dhe vërtet Politico e ka publikuar këtë tekst me këtë titull.

Manipulimi është në datën e publikimit. Ky artikull i Politico është publikuar më 18 maj 2022, pra më shumë se një vit më parë. Pamja e bashkangjitur e postimit, e cila është objekt i këtij shqyrtimi, nuk tregon datën e postimit të tekstit origjinal, kështu që manipulon përdoruesit e mediave sociale se ky lajm është i ri dhe se kjo tërheqje po ndodh tani.

Ajo që raportohet në vetë artikullin e Politico është një deklaratë e nënkryetarit të Parlamentit rus, Pyotr Tolstoy, i cili tha majin e kaluar se dhoma e ulët e Parlamentit rus, Duma shtetërore, planifikon të diskutojë tërheqjen e mundshme të vendit nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Ne kemi për detyrë të rishikojmë detyrimet tona ndërkombëtare, marrëveshje që sot nuk sjellin asnjë përfitim, por dëmtojnë drejtpërdrejt vendin tonë. Ministria e Punëve të Jashtme ka dërguar një listë të marrëveshjeve të tilla në Dumën e Shtetit dhe së bashku me Këshillin e Federatës [dhoma e lartë e parlamentit] ne planifikojmë t’i analizojmë ato dhe më pas të propozojmë të tërhiqen prej tyre, tha Tolstoi vitin e kaluar.

I njëjti artikull i Politico më poshtë citon një intervistë me Drejtorin Rajonal të OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, i cili tha se kishte pyetur Ministrinë e Jashtme ruse për tërheqjen e tyre të mundshme dhe iu tha se “qëndrimi rus është i kundërt”. Ministria i tha Kluge se Rusia synon të vazhdojë bashkëpunimin me OBSH-në dhe “nuk i ka dërguar asnjë propozim parlamentit për t’u tërhequr nga OBSH”.

Dy javë më vonë, agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se Ministri i Industrisë dhe Tregtisë Denis Manturov, duke iu drejtuar deputetëve të Dumës së Shtetit, deklaroi se “është e paarsyeshme që Rusia të tërhiqet nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). 

Na u desh një kohë shumë e gjatë, gati 16 vjet, për të hyrë në organizatë. Është një sfidë e madhe për të llogaritur rezultatin në aspektin e vlerës. Ne gjithashtu mbrojmë industrinë tonë duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme për t’u zbatuar brenda rregullave të civilizuara të marra parasysh nga OBT. Nuk mendoj se është e arsyeshme të tërhiqemi sot sepse tashmë jemi përshtatur me ato kushte, tha ai në pyetjen e njërit prej deputetëve.

“Rusia nuk do të inicojë tërheqjen nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), ndërsa përjashtimi i saj nga organizata është ligjërisht i pamundur”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Pankin disa ditë më vonë.

Kjo nuk diskutohet. Ne hymë qëllimisht në organizatë për shkak të përfitimeve që prisnim dhe morëm, dhe nuk do ta përplasim derën, u tha Pankin gazetarëve në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari.

Pothuajse 14 muaj pas njoftimit të Politico, pra pas deklaratës së zëvendëspresidentit të Dumës ruse, Rusia është ende një anëtare aktive si në Organizatën Botërore të Shëndetësisë ashtu edhe në Organizatën Botërore të Tregtisë. Parlamenti rus as nuk ka shqyrtuar dhe as votuar asnjë iniciativë për tërheqjen e vendit nga dy organizatat e mëdha botërore dhe as nuk është paralajmëruar një gjë e tillë në të ardhmen.

Vërtetmatës e klasifikon këtë postim si të pavërtetë. Rusia nuk po tërhiqet as nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe as nga Organizata Botërore e Tregtisë, por mbetet një anëtare aktive.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.