Mbahet konferenca “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV”

Presidenti Stevo Pendarovski dhe drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, hapën sot konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut” nën organizim të Fondacionit Metamorfozis dhe Qendrës Presidenciale për Arsimim Politik, e cila po mbahet në hotel “Limak” në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Në hapjen e konferencës, fjalim mbajti ambasadori i Holandës, Dirk Jan Kop dhe profesori Aleksandar L. Spasov.

Ambasadori Jan Kop, tha se kontrollimi i fakteve është shumë i rëndësishëm, por nëse fokusohemi vetëm në kontrollimin e informacionit gjithmonë mbetemi një hap prapa.

“Është e nevojshme rezistencë sociale ndaj dezinformatave. Kjo kërkon edhe udhëzime kombëtare, sjellje të përshtatshme dhe rregullativë ligjore”, theksoi ambasadori Kop.

Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis u shpreh se dezinformimi është një problem shumë serioz, por nuk është vetëm problem i mediave dhe nuk është vetëm mungesë e gazetarisë profesionale.

“Bëhet fjalë çështje sigurie dhe duhet trajtuar si e tillë. Konsideroj se duhet të angazhohemi të gjithë së bashku, të punojmë, të gjejmë një zgjidhje dhe të zvogëlojmë dëmet nga fushatat e dezinformimit”, nënvizoi Jashari.

Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski u shpreh se për dallim nga optimizmi fillestar, apo siç tha ai, naiv se rrjetet sociale domosdoshmërisht do të çojnë në demokratizimin e shoqërive, shumë shpejt e pamë natyrën e tyre të dyfishtë. Ose, më mirë, deklaroi Pendarovski e kuptuam se rrjetet sociale në vetvete nuk janë as demokratike dhe as jodemokratike, por janë mjete jashtëzakonisht efektive, efektet e të cilave varen nga kush i përdor, me çfarë synimesh dhe për çfarë qëllimesh.

“Dezinformimi si mjet për shkaktimin apo thellimin e ndarjeve shoqërore, gjegjësisht si mjet i luftës psikologjike, nuk është dukuri e re dhe as e panjohur. Ato janë të pranishme në të gjitha shoqëritë në kohë të ndryshme dhe janë përdorur nga grupe të ndryshme brenda dhe jashtë shoqërive”, tha Pendarovski.

Në sesionin Situatat dhe sfidat aktuale lidhur me ndikimin e dezinformatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, fjalime mbajtën drejtori i Agjencisë së Zbulimit, Erolld Musliu, sekretari gjeneral i presidentit, Mile Boshnjakovski, drejtori për partneritete dhe zhvillimin e resurseve, në Fondacionin Metamorfozis dhe drejtoresha ekzekutive e Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë, Biljana Georgievska.

Konferenca: Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, foto: Portalb.mk
Konferenca: Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, foto: Portalb.mk

Drejtor i Agjencisë së Inteligjencës në RMV Erolld Musliu, tha se një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet Maqedonia e Veriut është ballafaqimi me strategjitë hibride të zhvilluara nga shtetet autoritare.

“Objektivi parësor i këtyre strategjive hibride është të ngjall dyshime në arkitekturën e sigurisë perëndimore të udhëhequr nga NATO, të cilën ata e perceptojnë si një pengesë themelore për zbatimin e qëllimeve dhe interesave të tyre në nivel global”, deklaroi Musliu.

Në kuadër të konferencës do të mbahet edhe sesioni “Zgjidhjet dhe hapat e ardhshme – rekomandime për veprim të përbashkët”.

Në këtë sesion do të mbajnë fjalime, menaxherja e projekteve në Fondacionin Metamorfozis dhe kryeredaktorja e Portalb.mkElida Zylbeari, bashkëpunëtorja për komunikim dhe marrëdhënie me publikun për çështjet e NATO-s dhe sigurisë, Qeveria e RMV, Svetllana Siljanovska, menaxherja e projekteve për luftimin e lajmeve të rrejshme dhe narrativeve në asociacioni qytetar – MOST, Rosana Aleksoska dhe menaxherja e projekteve dhe për komunikim strategjik në Qendrën për Perspektivë Evropiane nga R. e Sllovenisë, Petra Balazhiq.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.