Manipulimi: NATO nuk evakuon civilët nga Izraeli

Фото: Принтскрин видео

NATO nuk është e lidhur me evakuimin civil të qytetarëve të vendeve anëtare, duke përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë, por është obligim që qeveritë e secilit shtet e kanë marrë veçmas. Fluturimi “Air Serbia” me të cilin janë evakuuar shtetasit maqedonas nga Izraeli është paguar nga buxheti i Maqedonisë, ndërsa në kthimin e sigurt të tyre në vend janë përfshirë edhe disa zyrtarë nga përfaqësitë diplomatike-konsullore maqedonase në Tel Aviv.

 

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook ku thuhet:

Qytetarët e “vendit tonë” u evakuuan nga Izraeli me Air Serbia, e disa strehohen përkohësisht në ambasadën boshnjake. Ne jemi NATO.

Në këtë postim manipulues mungon konteksti. Fakti që fluturimi me të cilin janë evakuuar qytetarët e Maqedonisë, së bashku me qytetarët e vendeve të tjera fqinje, është i “Air Serbia” nuk do të thotë se NATO-ja është dashur disi të jetë e lidhur me evakuimin apo se NATO nuk ka arritur të bëjë diçka.

Fluturimi “Air Serbia” që evakuoi shtetasit maqedonas nga Izraeli ishte paguar nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa në kthimin e tyre të sigurt në vend u përfshinë disa zyrtarë të misioneve diplomatike-konsullore të Maqedonisë në Tel Aviv. NATO nuk është e lidhur me evakuimin e civilëve në vendet e huaja. Siç shihet nga përvojat e vendeve anëtare të NATO-s, si p.sh. Gjermania, një kompani ajrore gjermane me dy avionë evakuoi shtetasit gjermanë të ngecur në Izrael, pas sulmit të Hamasit që ndodhi më 7 tetor.

Siç raporton Reuters, dy avionë gjermanë fluturuan në Izrael dhe sollën shtetas gjermanë që duan të largohen nga Izraeli, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes gjermane, duke shtuar se avionët nuk ishin pjesë e një evakuimi të ushtrisë.

Siç shihet nga teksti i publikuar nga “Al Monitor”, reagimi i Qeverisë maqedonase për evakuimin e qytetarëve maqedonas nga Izraeli nuk dallon aspak nga përgjigjet e vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Të gjithë ata individualisht, si shtete të veçanta, përmes Qeverive të tyre, evakuuan qytetarët e tyre.

Ministria e Jashtme italiane organizoi shtatë fluturime për të sjellë në Itali 700 shtetas italianë.

Ministria spanjolle e Mbrojtjes organizoi një aeroplan në të cilin u evakuuan 200 shtetas spanjollë, si dhe qytetarë të BE-së.

Dhe qeveria e Greqisë organizoi një fluturim për qytetarët grekë.

Ministrja e Jashtme kanadeze, Melanie Joly, përmes një deklarate tha se qeveria planifikon të nisë ndihmën për evakuimin e qytetarëve kanadezë, shkruan në tekstin e “Al Monitor”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matt Miller tha të martën (10/10/2023) se qeveria amerikane do të fillojë të organizojë fluturime çarter për qytetarët amerikanë dhe të afërmit e tyre të ngushtë që të largohen nga Izraeli të premten, raportoi Al Monitor.

Nga këto informacione del qartë se çdo shtet, vend anëtar i NATO-s, është organizuar në mënyrë sovrane dhe të brendshme për të evakuuar qytetarët e tij dhe jo si pjesë e një operacioni të përbashkët në të cilin është përfshirë e gjithë Aleanca. E vetmja gjë është se nëse ka vend në avionë, lejohen të hyjnë edhe shtetas të një vendi tjetër të BE-së.

Por Maqedonia, ndryshe nga vendet e tjera anëtare të NATO-s dhe BE-së, nuk ka kompaninë e saj ajrore. Për këtë arsye transporti është organizuar përmes “Air Serbia”.

Machei Kachorovski, diplomati ynë dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën në Tel Aviv, është heroi i evakuimit të qytetarëve tanë nga Izraeli. Ai luajti një rol kyç në nxjerrjen e qytetarëve tanë përmes rrugëve të ndryshme të transportit, duke koordinuar pa u lodhur të gjithë procesin që nga fillimi deri në kthimin e tyre të sigurt në Maqedoninë e Veriut. Mirënjohje edhe për aktivitetet e Shtabit të Krizave në MPJ, rrjetit tonë diplomatik-konsullor dhe ekipit SOS, që kontribuan në përfundimin me sukses të evakuimit. Mirënjohje për angazhimin e tyre të vazhdueshëm dhe punën e përkushtuar për interesin dhe sigurinë e qytetarëve tanë në kushte të vështira dhe ushtarake, ka shkruar ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Fluturimi, siç informojnë nga MPJ e Maqedonisë, është paguar nga Qeveria.

Me fluturimin e sotëm çarter nga Tel Avivi, i cili u organizua dhe u pagua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sollëm edhe 67 qytetarët tanë të mbetur që kërkuan ndihmë për evakuimin e tyre nga Izraeli. Në të njëjtin fluturim dolëm të takojmë miqtë tanë, duke siguruar transferimin e shtatë shtetasve shqiptarë, shtatë malazezë dhe tre bullgarë, tha ministri i Punëve të Jashtme Osmani.

Më herët, siç raporton Dojçe Vele, 40 maqedonas janë evakuuar përmes rrugëve të ndryshme të transportit, katër me fluturim për në Athinë, tre për në Jordani dhe dy për në Beograd. Vërtetmatës nuk arriti të gjejë informacion se shtetasit maqedonas janë të strehuar në ambasadën e Bosnje dhe Hercegovinës në Izrael. Dy shtetas maqedonas ndodhen në Rripin e Gazës dhe presin të nisen për në Egjipt dhe më pas të kthehen në Maqedoni.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se në postimin që po shqyrtojmë mungon konteksti. NATO nuk ka të bëjë me evakuimin civil të qytetarëve të vendeve anëtare, duke përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë, por është obligim i ndërmarrë nga Qeveritë e secilit shtet veç e veç.



 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.