Lexuesit mashtrohen me titull klikbejt dhe foto manipuluese për zjarrin në Krushevë

Postimi në Facebook shoqërohet me një foto të një autobusi thuajse të djegur plotësisht. Por kur të hapet teksti, mund të arrihet menjëherë në përfundimin se nuk bëhet fjalë për lajm “tronditës” apo “të tmerrshëm” në masën që synonin autorët. Teksti përmban vetëm një njoftim zyrtar të SPB Manastir për djegien e motorit të autobusit. Policia e Manastirit ka konfirmuar për Vërtetmatësin se të 15 pasagjerët kanë qenë jashtë autobusit kur ka shpërthyer zjarri, i cili ka prekur vetëm motorin dhe nuk është përhapur fare.

 

 

Recensojmë një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin me titull klikbejt manipulohen dhe mashtrohen lexuesit.

Në postim thuhet:

LAJM SHOKUES NË MAQEDONI: LAJMI I KEQ SHPËRNDAHET SHPEJTË, DIGJET AUTOBUSI PLOT ME PUNËTORË

Ky postim shoqërohet me një foto të një autobusi pothuajse të djegur plotësisht. Por kur teksti hapet, mund të arrihet menjëherë në përfundimin se nuk bëhet fjalë për lajm “tronditës” apo “të tmerrshëm” në masën që synonin autorët. Teksti përmban vetëm një njoftim zyrtar të SPB Manastir, në kuadër të sektorit të së cilës është Drejtoria e Policisë së Krushevës.

Dje në orën 16:00 në DPB Krushevë është raportuar se në rrugën “Ilindenska” në Krushevë ka rënë zjarr në autobusin “Setra” me targa të Krushevës, në pronësi të një kompanie transporti nga Krusheva, i cili po transportonte punëtorët e një kompanie private. Ekipet e zyrës së jashtme për çështje kriminale Krushevë dhe DPB Prilep kanë kryer kontroll dhe është konstatuar se zjarri ka filluar në zonën e motorit. Zjarri është shuar nga ekuipazhi i njësitit territorial të zjarrfikësve Krushevë dhe nuk ka të lënduar, thuhet në tekst.

Pjesa e titullit “LAJM SHOKUES NË MAQEDONI: LAJMI I KEQ SHPËRNDAHET SHPEJT” është sensacional, përhap frikë dhe panik, por është edhe klikbejt dhe po mashtrohn opinionin.

Përveç kësaj, e pa vërtetë është edhe pjesa ku thuhet se “ka marrë flakë autobusi plot me punëtorë”.

Autobusi nuk ishte plot me pasagjerë, siç pretendohet në titull, por gjysmë bosh dhe punëtorët kanë zbritur menjëherë nga autobusi pasi është vënë re tym nga motori.

Zëdhënësja e SPB Manastir, Sanja Stamatova, tha për Vërtetmatësin se në autobus ishin 15 punëtorë.

Të gjithë pasagjerët ndodheshin jashtë autobusit kur shpërtheu zjarri, i cili preku vetëm motorin dhe nuk u përhap fare. Punëtorët kanë zbritur nga autobusi në afërsi të tregut në Krushevë, pasi shoferi ka vërejtur tym në pjesën e pasme të automjetit. Zjarri nuk është përhapur në kabinën e autobusit, por vetëm në pjesën e pasme pranë motorit. Nuk ka të lënduar, ka sqaruar Stamatova në një prononcim për Vërtetmatësin.

Për ta bërë edhe më të madh manipulimin, portali përdor një foto të frikshme që tregon një autobus pasagjerësh të djegur plotësisht. Fotografia, nëse kontrollohet në Google Search Image, shihet se është publikuar më 31 tetor 2022 nga portali Informer.rs dhe i referohet një zjarri të ndodhur në Kovaçicë të Serbisë. E njëjta foto është marrë nga profili në Instagram i 192.rs.

Kjo foto nuk është autentike dhe nuk i referohet zjarrit në autobusin në Krushevë, por është një ilustrim manipulues që mbjell frikë tek lexuesi nga njëra anë, dhe nga ana tjetër është karrem për klikime në portalin që e ripublikon dhe i sjell lexuesit në huti. Përveç kësaj, askund në tekstin e publikuar nuk thuhet se fotografia është marrë, kështu që lexuesit mund ta besojnë lehtësisht se bëhet fjalë për foto autentike nga vendi i ngjarjes.

Ky lloj i klikimeve, titujt manipulues, janë pothuajse të përditshëm në hapësirën mediatike në RMV, por edhe në rrjetet sociale. Ato shkaktojnë shqetësime dhe manipulime të lexuesve, sidomos kur bëhet fjalë për rastet për aksidente me viktima të mundshme.

Për faktet e mësipërme, këtë postim e vlerësojmë si sensacional dhe manipulues, gjegjësisht postim të cilit i mungon konteksti.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.