Kundërspin: Stoilkovski në vend të dëshmive shërbehet me shtrembërime

Situatën me zjarret që kaploi kazermën e NP “Rrugë dhe rrugica”, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski, e shfrytëzon për të manipuluar opinionin, duke shtrembëruar se ai ishte vënë qëllimisht për të mbrojtur ndonjë krim. Edhe pse arsyet si për këtë, ashtu edhe për zjarret e tjera që ai përmend janë të qarta dhe të zbardhura.

 

 

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski, duke komentuar zjarrin që përfshiu kazermën e NP “Rrugë dhe rrugica”, shprehu dyshimin se zjarri është vënë qëllimisht me qëllim të shkatërrimit të disa dokumenteve.

SPIN: Zjarri në kazermën e NP ‘Rrugë dhe rrugica’, që shkatërroi dokumentacionin dhe gjithë arkivin e funksionimit të kësaj kompanie është zjarri i katërt radhazi në një institucion shtetëror. Ende nuk dihet se çfarë u dogj, kur dhe si shpërtheu zjarri dhe çfarë e shkaktoi atë. A është një zjarrvënie e qëllimshme për djegien e materialeve të caktuara dhe nëse po, çfarë krimi mbrohet me këtë, tha Stoilkovski.

Ai kujtoi edhe zjarret në ndërtesat e Sekretariatit për Çështje Evropiane (SÇE), Inspektoratit të Mjedisit Jetësor dhe zjarrin në Ministrinë e Drejtësisë.

Në të 4 institucionet e djegura ndër të tjera janë edhe dokumente nga institucionet. LSDM duhet të përgjigjet nëse zjarret e tilla nuk janë pjesë e ndonjë skenari të kurdisur për asgjësimin e dokumentacionit për krim të mundshëm në funksionimin e këtyre institucioneve? A do të jetë arsyeja kablloja vazhduese edhe për këtë rast, pyeti zëdhënësi.

 [Burimi: Kurir – Data: 22.12.2021]

 

KUNDËRSPIN:

Situatën me zjarrin që kaploi kazermën e NP “Rrugë dhe rrugica”, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkovski, e ka shfrytëzuar për të manipuluar opinionin, duke thënë se ai është vënë qëllimisht për të mbrojtur ndonjë krim. Stoilkovski theksoi se “ende është e paqartë se çfarë është djegur, kur dhe si ka ndodhur zjarri dhe cila është arsyeja për këtë”. Shkaqet e zjarrit dihen dhe janë bërë të ditura të njëjtën ditë. Siç informuan nga kompania, zjarri është shkaktuar nga një automjet i djegur që ishte i parkuar pranë kazermës në “Rrugë dhe rrugica”.

 

Sonte, rreth orës 1, nga një makinë e djegur e parkuar në afërsi të objektit, është djegur objekti i NP “Rrugë dhe rrugica” në rr. Kole Nedelkovski nr.38. Janë djegur të gjitha hapësirat në objektin administrativ të NP “Rrugë dhe rrugica”. Njësitet e zjarrfikësve dhe njësitet e Ministrisë së Brendshme ende e sigurojnë objektin, i cili ka sipërfaqe prej 380 metrash katrorë. Detyrimet aktuale operative kryhen rregullisht në përputhje me programin dhe planin e punës, ndërsa detyrat administrative më të nevojshme kryhen në kushte më të vështira. Për momentin po marrim masa për të ofruar zgjidhje hapësinore për funksionimin normal të kompanisë, njoftuan nga NP “Rrugë dhe rrugica”.

Zjarri shkatërroi dokumentacionin, arkivat dhe raportet financiare të kompanisë. Zjarri është përhapur nga një veturë, e cila është në pronësi të njërit prej banorëve të ndërtesës fqinje, raportoi Sitel.

VRMO-DPMNE opozitare e përdori zjarrin për të plasuar spin, që duket më shumë si teori konspirative. Konkretisht, Stoilkovski e lidhi këtë zjarr me zjarrin në objektin e SÇE-së, ku ndodhet Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (ISHMJ) dhe Agjencia Informative e Maqedonisë MIA, duke theksuar se qeveria qëllimisht po i ndez për të mbuluar ndonjë krim.

Zjarri në ISHMJ ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Sipas shefit të zjarrfikësve, Vladimir Simonovski, shkak i fillimit të zjarrit ishte mosfunksionimi i instalimit elektrik. Pra, zjarrfikësit nuk kanë konstatuar zjarrvënie të qëllimshme, ndaj nuk mund të pretendohet se dikush ka shkaktuar zjarr me dashje e aq më pak për të fshehur diçka. Gjatë zjarrit në këtë institucion është djegur i gjithë dokumentacioni arkivor.

Sa i përket zjarrit në Ministrinë e Drejtësisë, nga Prokuroria Publike kanë konfirmuar se ai nuk është vënë qëllimisht.

Lidhur me zjarrin që ka ndodhur në Ministrinë e Drejtësisë më 10.04.2018, SPB Shkup në Prokurorinë Themelore Publike Shkup ka dorëzuar dy njoftime me shkrim me dokumentacion të plotë, të cilat kanë të bëjnë me zjarrin. Njëkohësisht, është vepruar sipas urdhrave dhe kërkesave me shkrim të prokurorit për sigurimin e të gjitha provave të nevojshme. Nga analiza e të gjitha kontrolleve të bëra gjatë procedurës para hetimore rezultoi se nga pikëpamja penalo-juridike nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se zjarri ka ndodhur si pasojë e ndonjë vepre penale, përgjigjen nga Prokuroria për Fokus.

Prandaj, nuk është serioze të pretendohet se dikush qëllimisht ka ndezur zjarr për të mbuluar “krimet”, siç theksoi Stoilkovski, veçanërisht për shkak se nuk ka dëshmi për një gjë të tillë.

Zjarre nëpër institucione ka pasur në kohën kur ishte VMRO-DPMNE në pushtet, por atëherë nuk kishte asnjë akuzë për fshehje të krimeve. Për rikujtim, në vitin 2013, në objektin kryesor të “Postave të Maqedonisë”, në kohën e udhëheqjes së Rafiz Alitit nga BDI, ka shpërthyer një zjarr i madh. Armend Fazliu, nipi i drejtorit Aliti dhe shef i kabinetit të tij dhe Departamentit të Prokurimeve Publike, u shpall fajtor për zjarrin katastrofik që shkatërroi një ndërtesë postare në qendër të Shkupit dhe u dënua me dy vjet burg. Ai u akuzua për vepra të rënda kundër sigurisë publike dhe gjatë gjykimit ekspertët konfirmuan se zjarri ka rënë pasi ai ka hedhur një cigare të ndezur në koshin e plehrave në zyrën e tij. Zjarri përfshiu zyrën e tij, ku dyshohet se ruante, për arsye të njohura vetëm nga ai, 25 litra vaj motori, i cili ishte katalizatori i zjarrit.

Zjarr kishte edhe në vitin 2011 në godinën e teatrit të ri të atëhershëm pranë Kejit. Por as atëherë nuk kishte asnjë akuzë për zjarrvënie të qëllimshme.

Deklarata e Stoilkovskit është spin klasik, veçanërisht duke pasur parasysh se sot, në epokën e digjitalizimit dhe kompjuterëve, kopjet e të gjitha dokumenteve janë ruajtur në mënyrë elektronike. Është e qartë se Stoilkovski me dyshime të tilla dhe akuza pa fakte dhe prova, dëshiron të fitojë pikë politike.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.