Kundërspin: Prangat, linçimi dhe totalitarizmi ekzistojnë vetëm në perceptimin e peshkopit Jakov Stobiski

Sado e pabesueshme të tingëllojë që një kishtar të thotë gënjeshtra dhe të nxisë besimtarët, peshkopi Jakov Stobiski po bën pikërisht këtë – ai po përdor kualifikime të vështira, duke provokuar dhe ndezur atmosferën para protestës së nesërme. Edhe pse peshkopi dëshiron të tregojë se është i shqetësuar se organizatat joqeveritare do ta prangosin shoqërinë tonë në totalitarizëm, nuk ka vend për një shqetësim të tillë. Thjesht nuk është e mundur, organizatat e shoqërisë civile nuk kanë instrumente të tilla në dispozicion. Pra, perceptimi i peshkopit është i gabuar, natyrisht, nëse flasim për një shoqëri të shëndoshë dhe të drejtë, në të cilën ka vend dhe dashuri për të gjithë. Madje, edhe nëse bëhet fjalë për dashurinë dhe mëshirën e Zotit!

 

Peshkopi Jakov Stobiski, në konferencën për media me rastin e protestës kundër ligjeve për barazi gjinore dhe të dhënat e lindjeve, të organizuar nga Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit më 29 qershor para Katedrales “Shën Kliment Ohri” në Shkup, shprehu  spinin e mëposhtëm:

Spin: Organizatat joqeveritare paguhen nën maskën e luftës për të drejtat e njeriut për të skllavëruar shoqërinë tonë në një lloj totalitarizmi 

 

[Burimet: MetaData: 27.07.2023]

Kundërspin:  Pikëpamja e peshkopit Jakov Stobiski se organizatat joqeveritare donin ta prangosnin shoqërinë në totalitarizëm është spin. Kjo deklaratë e tij, së bashku me mesazhin se “kisha ishte shënjestër e persekutimit dhe linçimit”, duket konfuze.

Është e paqartë se si organizatat e shoqërisë civile do ta riorganizonin të gjithë rendin social, politik dhe ekonomik në një sistem – regjim totalitar dhe me çfarë mekanizmash do ta bënin atë? Gjithashtu, nuk është e qartë se kur dhe nga kush është persekutuar Kisha Ortodokse Maqedonase dhe kush ka bërë thirrje për linçim të saj? Është thjesht e pakuptueshme pse peshkopi përdor kualifikime kaq të vështira dhe ushqen atmosferën para protestës së paralajmëruar? Edhe pse ai vetë përmbahet nga keqpërdorimi i tubimit për qëllime të tjera, nga gjuha e urrejtjes dhe nga brohoritjet, performanca e tij është të paktën provokuese.

Kushtetuta jonë lejon lirinë e fesë, si dhe manifestimin e lirë të besimit, por bën një dallim të qartë midis komuniteteve fetare dhe shtetit. Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet laik dhe kjo është e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1991.

Në këtë kuptim, neni 19 thotë:

Liria e fesë është e garantuar. Shprehja e lirë dhe publike e besimit, individualisht ose në bashkësi me të tjerët, garantohet. Kisha Ortodokse Maqedonase, bashkësitë e tjera fetare dhe grupet fetare janë të ndara nga shteti dhe janë të barabartë para ligjit. Kisha Ortodokse Maqedonase, bashkësitë e tjera fetare dhe grupet fetare janë të lira të themelojnë shkolla fetare dhe institucione shoqërore e bamirëse në procedurë të paraparë me ligj.

A është e vërteta e shenjtë për njerëzit e kishës?

Peshkopi Jakov Stobiski doli publikisht me pretendimin se ligji për të dhënat e të lindurve është në procedurë parlamentare dhe ligji për barazi gjinore është një hap më afër tij, por kjo nuk është e vërtetë. Pra, sado e pabesueshme tingëllon që një person i kishës të flasë të pavërteta para besimtarëve, pretendimi i peshkopit për dy ligjet është i pasaktë.

Të dy propozimet nuk janë fare në Kuvend, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

Ajo shton:

Qeveria e tërhoqi projektligjin për të dhënat e lindjes vitin e kaluar në mars, për të pasur një debat më të gjerë dhe për të përmbushur pritshmëritë e gjithë shoqërisë, dhe i dyti, projektligji për barazinë gjinore, nuk arriti në procedurë parlamentare sepse është në fazën e konsultimit dhe deri më tani janë mbajtur 18 forume publike.

Dashuri nga Zoti, por jo për të gjithë

Shfaqjet e peshkopit Jakov Stobiski shkaktuan reagime të ashpra në opinion. Menjëherë ka reaguar Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ka konstatuar se peshkopi ka diskriminuar në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Sipas Komisionit, ai shprehu qëndrime poshtëruese, fyese dhe degraduese ndaj personave transgjinorë në daljet publike, të cilat nxisin diskriminimin dhe urrejtjen ndaj personave LGBT. Komisioni ka urdhëruar peshkopin që të kërkojë falje publike dhe nëse nuk e bën këtë, do të paraqesë kërkesë për fillimin e procedurës penale në gjykatën kompetente.

Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjithashtu dënuan ashpër thirrjen e Kishës Ortodokse Maqedonase për protestë dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien në përpjekjet manipuluese të KOM-it dhe disa “grupeve dhe shoqatave në dukje të shqetësuara” të cilat pa bazë pretendojnë se zgjidhjet ligjore janë një kërcënim për traditën dhe besimin vendas.

Epo, edhe pse peshkopi Jakov Stobiski e spinon të vërtetën dhe dëshiron të tregojë se është i shqetësuar se organizatat joqeveritare do ta prangosin shoqërinë tonë në totalitarizëm, është fare e qartë se nuk ka vend për një shqetësim të tillë. Thjesht nuk është e mundur, organizatat e shoqërisë civile nuk kanë instrumente të tilla në dispozicion. Pra, perceptimi i peshkopit është i gabuar, nëse flasim për një shoqëri të shëndetshme dhe të drejtë, në të cilën ka vend dhe dashuri për të gjithë. Madje edhe nëse bëhet fjalë për dashurinë dhe mëshirën e Zotit!

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.