Kundërspin: Është e pamundur që për 100 ditë të realizohen projektet me të cilat mburret VMRO-DPMNE
Sipas paraqitjes vizive të VMRO-DPMNE-së, është tentuar të shtyhet përmes manipulimit se në periudhë prej 100 ditësh kryetarët e partisë kanë realizuar 1090 projekte. Bëhet fjalë për shtrembërim të së vërtetës dhe manipulim të opinionit, duke qenë se në asnjë bazë nuk mund të realizohen projekte brenda tre muajve (si 33 kopshte dhe 68 shkolla), siç pretendon VMRO-DPMNE në raportin e saj, sepse për të arritur të gjithë këtë, nevojiten procedura shumë më të gjata
Shkruan: Meri Jordanovska
Nën sloganin “Ndryshimet që sjellin të ardhme – 100 ditë kryetarë komunash të VMRO-DPMNE-së”, partia e cila fitoi numrin më të madh të vendeve për kryetar komune në zgjedhjet lokale – 42, dha llogari për atë që është bërë, të dielën më 13 shkurt.
Në komunikatë, gjegjësisht sipas paraqitjes vizuale të publikuar nga VMRO-DPMNE në ueb faqen e tyre për projektet e realizuara të kryetarëve, vërehet spin.
Spin: Në vetëm 100 ditë 1090 projekte të realizuara – 166 objekte kapitale; 33 kopshte; 68 rrugë; 206 rrugë janë duke u ndërtuar dhe rindërtuar; 111 ujësjellës dhe kanalizime; 96 kënde lojërash dhe parqe; 200 deponi ilegale të pastruara.
[Burimi: VMRO-DPMNE – Komunikatë, data: 13.02.2022]
Kundërspin: Në paraqitjen vizuale të partisë politike VMRO-DPMNE, në të cilën pretendohet se në 100 ditët e para kryetarët e partisë kanë realizuar 1090 projekte, duke përfshirë 33 kopshte dhe 68 shkolla, vërehet spin klasik.
Bëhet fjalë për shtrembërim të së vërtetës dhe manipulim të publikut, duke qenë se në asnjë bazë nuk mund të realizohen projekte si 33 kopshte dhe 68 shkolla brenda tre muajve. Sipas prezantimit vizual të partisë, është tentuar që të shtyhet manipulimi se në këtë periudhë prej 100 ditësh, kryetarët e VMRO-DPMNE-së kanë ndërtuar kaq shumë objekte, duke qenë se janë vendosur si të “realizuara”.
Infografia e partisë shoqërohet me një komunikatë, ku sqarohet më në detaje se për çfarë bëhet fjalë, gjegjësisht mes rreshtave, partia sqaron, por jo saktë, se bëhet fjalë për “68 projekte në fushën e infrastrukturës arsimore dhe 33 projekte në kopshte“. Si projekt në kopsht fëmijësh mund të konsiderohet një ngjarje e caktuar projekti, si për shembull shënimi i javës së fëmijëve, shënimi i muajit të librit e të ngjashme. Si projekt në infrastrukturën arsimore, mund të konsiderohet edhe pajisja e klasës ose rinovimi i tualetit në shkollë.
Por, e gjithë kjo nuk guxon të paraqitet si projekt që sipas fotografisë së publikuar të jep përshtypjen se një objekt i tërë, pra një shkollë apo kopsht fëmijësh është ndërtuar vetëm për tre muaj.
Lidhur me këtë, ministri i Vetqeverisjes Lokale Goran Milevski, duke folur në “Utrinski brifing” të 14 shkurtit, tha se këto janë projekte që tashmë kanë filluar nga paraardhësit e tyre, ndërsa tani vetëm përfundohen.
Thonë se kanë ndërtuar rrugë. Nuk mund të bësh një projekt në 100 ditë, të shpallësh tender, të asfaltohet, të vihet në përdorim. E gjithë kjo është bërë nga paraardhësit e tyre. Në këtë periudhë prej 100 ditësh kanë mundur vetëm të pastrojnë deponitë, të rrafshojnë pusetat dhe të fillojnë të bëjnë projekte ndërtimore që të mund të aplikojnë, tha Milevski.
Për çerdhet dhe shkollat që janë të përmendura në raportin për të arriturat, Milevski thotë se janë projekte të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrisë së Arsimit.
Janë projekte të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrisë së Arsimit, të cilat kanë filluar vitin e kaluar, siç është rikonstruksioni i shkollave dhe kopshteve dhe tani janë duke u finalizuar. Kjo është mburrje me puplat e të tjerëve dhe manipulim i publikut.
Po ashtu, në faqet zyrtare të komunave nuk mund të gjenden të dhëna të detajuara për projektet e realizuara nëpër komuna në 100 ditët e para, ndërsa në faqet në Facebook nuk ka të dhëna për projekte të reja për kopshte.
Për shembull, të marrim një pjesë të komunave të Shkupit ku VMRO-DPMNE mori kryetarë komunash në zgjedhje. Njoftimi i fundit në faqen e Kisela Vodës në Facebook për ndërtimin e një kopshti daton më 27 shtator 2021, kur ende nuk ishin mbajtur zgjedhjet lokale. Në faqen e Komunës së Gjorçe Petrovit nuk ka të dhëna për ndërtim apo projekt për çerdhe dhe vetëm në faqen e Komunës së Butelit në Facebook thuhet se “dhjetë klasa janë të pajisura me tavolina dhe karrige të reja, lodra të reja didaktike për fëmijë, dyshekë dhe dollapë të rinj”. Në Komunën e Aerodromit, në nëntor të vitit të kaluar, me iniciativë të kryetarit Timço Mucunski, Këshilli mori vendim që në vendin e kafenesë në kuadër të shkollës fillore “Blaze Koneski” të ndërtohet çerdhe e re, diçka që është shumë larg të një “projekti të realizuar”.
Sipas këtyre të dhënave, kopshtet nuk mund të shihen si projekte të realizuara. Në raste të caktuara, kur merren vendime për ndërtimin e objekteve të reja infrastrukturore, mund të thuhet se ato kanë filluar, por nuk janë realizuar.
Prandaj, shfaqja vizuale e VMRO-DPMNE-së se janë realizuar 1090 projekte, përfshirë 33 kopshte dhe 68 shkolla, është një spin klasik dhe manipulim me publikun, aq më tepër që shumë nga projektet janë nisur nga strukturat e mëparshme ose siç tha ministri Milevski, me mbështetje financiare nga BE-ja dhe Ministritë e Arsimit dhe të Vetëqeverisjes Lokale.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari