Kundërspin: Derisa gjysma e vendit është në zjarr, Angelov poston spine në Twitter për kundërshtarët politikë

 

Është e padiskutueshme që institucionet shtetërore duhet të reagojnë në kohën e duhur ndaj lajmeve të rreme. Megjithatë, mohimet duhet të synojnë informimin e plotë, të saktë dhe transparent të publikut. Dhe jo si në rastin konkret me drejtorin e Qendrës për Menaxhimin e Krizave Stojançe Angelov, t’i shtohet “vaj zjarrit” përmes spineve që janë në funksion të propagandës partiake dhe luftës politike me ata që nuk mendojnë njëjtë.

 

Shkruan: Simona Atanasova

 

Histeri masive me fyerje dhe gjuhë urrejtjeje përfshiu rrjetet sociale, pasi një nga përdoruesit e Twitter ndau informacione të rreme se një sharrë elektrike me zinxhir e zjarrfikësve austriakë, ishte vjedhur. Pas përhapjes virale të kësaj të pavërtete, disa institucione shtetërore kanë reaguar duke e mohuar informacionin. Midis tyre ishte drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave Stojançe Angelov, i cili në një pjesë të mohimit të publikuar në Twitter, e rrotullon të vërtetën.

 

SPIN: Për të qenë i sinqertë për një moment edhe unë besova lajmet e rreme në lidhje me sharrën elektrike me zinxhir të vjedhur nga zjarrfikësit austriakë. Dhe si mund të mos besoj kur pikërisht atë ditë një delegacion i VMRO DPMNE-së u sillte rreth austriakëve.

[Burimi: Twitter dhe Frontlajn; data:12.09.2021]

 

 

Kundërspin: Kjo mënyrë e komunikimit me publikun është ofenduese, e pasaktë dhe jashtëzakonisht e papërshtatshme, veçanërisht për një drejtor të një institucioni shtetëror. Çfarë dëshiron të thotë me këtë drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angelov? Se ata përfaqësues të VMRO-DPMNE-së që ishin në terren atë ditë janë hajdutë?! Ku janë provat për këtë? Nëse sharra ishte vjedhur vërtet, a do t’i fajësonte drejtpërdrejt përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së opozitare që ishin të pranishëm atje? Angelov nuk është përfaqësues i agjencive të zbatimit të ligjit. Çdo dyshim për kryerjen e një krimi duhet të raportohet në polici dhe prokuroria duhet të fillojë procedurat e duhura. Dhe jo të akuzohet pa asnjë provë në rrjetet sociale.

Edhe më e papërshtatshme është koha e zgjedhur nga Angelov për të mbledhur pikë politike. Derisa gjysma e vendit është djegur për dhjetë ditë, Angelov, në vend që të shtrembërojë (spin) dhe postojë mesazhe politike në Twitter, duhet të bëjë punën e tij. Ai drejton Qendrën e Menaxhimit të Krizave – një nga institucionet më të rëndësishme kur krizat, situatat e rrezikshme ndodhin në vend, si rasti i fundit me zjarret.

Qendra për Menaxhimin e Krizave, si dhe Komiteti Drejtues dhe Grupi i Vlerësimit, janë formuar për të propozuar vendime dhe për të siguruar konsultime të vazhdueshme, koordinim, përgjigje në kohë, efikasitet dhe përdorim të duhur të burimeve në dispozicion në rast krize, dhe për të siguruar në kohë, vlerësim cilësor dhe realist të kërcënimeve ndaj sigurisë së Republikës së Maqedonisë nga rreziqet.

 

Si erdhi lajmi i rremë?

Një përdorues i rrjetit social Twitter ndau informacionin se u është vjedhur sharra elektrike nga Austria (postimi origjinal është fshirë). Informacioni më pas u përhap me shpejtësinë e dritës në Twitter dhe Facebook pa pasur të dhëna të mjaftueshme për të konfirmuar vërtetësinë e tij. Arsyetimi i atij që së pari ndau informacionin, është se nëna e tij ka qenë në terren dhe ia ka treguar lajmin. Pasi u konfirmua se informacioni ishte i pasaktë, ai kërkoi falje dhe, si pjesë e marrjes së përgjegjësisë, ofroi të dhuronte 5,000 dollarë donacion.

Pa kontroll shtesë, ky informacion u publikua nga portali “Bulevar“, i cili si burim citon një përdorues të rrjetit social Facebook.

Më pas erdhi mohimi nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim mohon lajmin e rremë dhe njoftimin e Bojan Petrovski në profilin e tij në Facebook, për dyshimin për vjedhjen e një sharre nga zjarrfikësit austriakë.

#FakeNews

Por pavarësisht faktit se u ndanë informacione jo të plota dhe të pakonfirmuara, “zjarri” në rrjetet sociale u përhap dhe “era fryu” informacionin në shumë profile në rrjetet sociale ku në raste të rralla kishte edhe gjuhë të urrejtjes, fyerje, shpifje dhe propagandë.

Qytetarët nuk duhet të besojnë verbërisht atë që lexojnë në mediat sociale, vetëm sepse diçka tingëllon si e vërtetë. Dhe, ata gjithmonë duhet të kontrollojnë para se të shtypin butonin “shpërndaje”.

Ajo që duhet të bëjnë institucionet shtetërore është t’i përgjigjen menjëherë lajmeve të rreme. Megjithatë, mohimet duhet të synojnë informimin e plotë, të saktë dhe transparent të publikut. Dhe, jo si në këtë rast, t’i shtohet “benzin zjarrit” përmes rrotullimeve (spineve) në funksion të propagandës partiake dhe luftës politike me ata që nuk mendojnë njëjtë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari