Kundërspin: Askush s’i ka dhënë të drejtë Baçevit të flet në emër të popullit maqedonas për konfliktin e 2001
Në ditën kur Rusia e filloi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës me qëllim për ta pushtuar, portali Indeks, i cili vepron në Maqedoninë e Veriut ka publikuar dy video-inserte të një interviste me kryetarin e partisë proruse në vend “Maqedonia e Bashkuar”, Janko Baçev në të cilat ai në emër të popullit maqedonas i kërcënon “politikanët shqiptarë të mos luajnë me zjarr”. Baçev në fakt mund të flet vetëm në emër të tij dhe ose partisë që përfaqëson, pasi që qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar me platformën antiperëndimore që ai tashmë 20 vjet po e promovon, shkruan Portalb.mk.
Derisa bota perëndimore ishte e tronditur nga agresioni rus ndaj Ukrainës, portali Index shpërndan video-inserte ku Baçev flet konfliktin e vitit 2001 dhe nxit urrejtje mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Spin: Politikanët shqiptar do t’i kisha porositur të mos luajnë me zjarr, sepse nuk është mirë. Duhet të jetojmë së bashku si bashkëqytetar dhe nuk është mirë të nxiten deklarata të tilla pasi që këtë herë, mos e dhëntë zoti të përsëritet konflikti, ata radikalët shqiptarë do të kenë punë me popullin maqedonas pasi të gjithë e dimë se në vitin 2001, formacionet e UÇK-së e bënë atë që e bënë duke shfrytëzuar tradhtitë që u bënë në krye të shtetit tonë, e jo që forcat maqedonase të sigurisë nuk mundën t’i asgjësojnë ata në vitin 2001. Në fillim, 700 apo 800 të cilët shoqëronin Ahmetin në mal, organet e sigurisë shtetërore dinin gjithçka, praktikisht do të kishin mundur t’i asgjësojnë në atë kohë, megjithatë ndarja e thellë politike në kampin maqedonas u shfrytëzua, prandaj nuk dua që të përsërisim një gjë të tillë e t’u kthehemi ëndrrave të vjetra për rikthimin e gjendjes së tillë.
Kundërspin: Fjalori i Baçevit me kërcënime të stilit mafioz është një spin i cili shërben në nxitjen e tensioneve ndëretnike në kohën kur për shkak të krizës në Ukrainë, ngriten pikëpyetje nëse e njëjta mund të shpërndahet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila gjithmonë ka qenë në shënjestër të propagandës ruse për shkak të strukturës shumëetnike.
Baçev as nuk është kompetent, e as që dikush i ka dhënë besimin apo të drejtën që ai të flet në emër të popullatës maqedonase, e cila në mënyrë demokratike i legjitimon përfaqësuesit e saj politik.
Nuk ka asnjë fakt për kryerje të, siç thotë Baçev, tradhtisë në krye të shtetit. Ndalimi i konfliktit të armatosur, nuk ishte “tradhti”, por përkundrazi, akt paqeje mes dy komuniteteve më të mëdha, maqedonas dhe shqiptar, i cili me ndihmën e faktorit ndërkombëtar u ndërmjetësua që të nënshkruhet Marrëveshja e Ohrit, e cili edhe sot e kësaj dite shërben në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe karakterit multietnik të shtetit tonë.
Baçev, sipas biografisë që vetë ai e ka publikuar në ueb-faqen e partisë “Maqedonia e Bashkuar” prej vitit 1994 deri në vitin 2010 ka shërbyer në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore të Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë. Në biografinë e tij që ai e rrëfen në vetën e parë nuk përmend askund që ai gjatë konfliktit të vitit 2001 ka shërbyer në ndonjë funksion të lartë dhe vendimmarës në lidhje me konfliktin.
Baçev, gjatë gjithë kohës së agresionit rus, në Facebook shpërndan postime të mbushura me dezinformata për konfliktin e Ukrainës. Dhe kjo nuk është për çudi për faktin se Baçev është kryetari i partisë “Maqedonia e Bashkuar” e cila në statutin e saj parashikon integrimin e Maqedonisë në Unionin Ekonomik Euroaziatik dhe partneritet strategjik me Rusinë.
Narrativi i Baçevit për konfliktin e vitit 2001, është identik me atë të “babait të tij ideologjik”, Vladimir Putin, prej të cilit, dukshëm e ka marrë modelin për të kërcënuar në mënyrë publike dhe për të nxitur urrejtje mes popujve.
Kjo deklaratë nxirret në kohën kur e tërë bota perëndimore, bën thirrje për paqe dhe ndalje të luftës, përveç, mediave proqeveritare të Rusisë të cilët e mbështesin dhe arsyetojnë në tërësi agresionin ndaj shtetit të pavarur dhe sovran të Ukrainës.
Gjatë gjithë kohës së agresionit rus, Baçev në Facebook shpërndan postime të mbushura me dezinformata për Ukrainën.
Një studim i titulluar “Narrativat ruse ndaj Ballkanit Perëndimor” i publikuar nga Qendra e NATO-s për Komunikime Strategjike (STRATCOM) identifikon disa narrativa rus në mediat e Ballkanit Perëndimor. Hulumtimi bazohet në raportet e mediave në vitin 2018 duke cituar edicionin serb të agjencisë shtetërore ruse të lajmeve “Sputnik”. Faqja e internetit “Sputnik” e sponsorizuar drejtpërdrejt nga Kremlini, është e njohur si një nga kanalet kryesore të ndikimit rus në hapësirat mediatike në Ballkanin Perëndimor.
Narrativi: Ballkani Perëndimor është arenë e konfliktit të interesit midis Lindjes dhe Perëndimit
Ky është narrativi më i zakonshëm i përdorur në të gjashtë vendet. BE dhe NATO shihen si përfaqësues kryesorë të Perëndimit dhe perceptohen si ndikim kolektiv në rajon. Në disa nga publikimet e “Sputnik” Serbi, në të cilat vihet re ky narrativ, e që i referohen Maqedonisë së Veriut, pretendohet se referendumi për ndryshimin e emrit është diktuar nga Perëndimi. Më tej, “Sputnik” Serbi e paraqet referendumin si të pavlefshëm për shkak të pjesëmarrjes së ulët dhe konstaton se kjo ka treguar se mendimi i maqedonasve ka peshë të vogël në rezultat dhe se është shembull se si Perëndimi ndërhyn në punët e brendshme të vendeve tjera. Ndërkaq, Rusia paraqitet si mbrojtëse e të drejtës së popullit maqedonas për të marrë vendim të pavarur për emrin e ri të vendit të tyre.
“Ballkani Perëndimor është jostabil”
Narrativi se rajoni është “jostabil” dhe ka “potencial të lartë për konflikt” gjithashtu përdor tensionet etnike në rajon për të përforcuar përshtypjen e pasigurisë dhe paqes së brishtë. Kështu botohen tekste me titull “Dy plumba na ndajnë nga destabiliteti” ose “Dera e ferrit hapet në Ballkan”. Ky narrativ fokusohet në mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare dhe marrëdhëniet e këqija midis fqinjëve.
Konkretisht në Maqedoninë e Veriut, dy narrativat më të përdorura që zbulohen në hulumtim janë “Ballkani Perëndimor është i paqëndrueshëm” dhe “Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të dobëta, të paaftë dhe të korruptuar“. Narrativi më i përdorur është se “BE është hegjemoniste“.
Nën-narrativat më të përdorura në Maqedoninë e Veriut janë “Krijimi i Shqipërisë së Madhe”, “Jotoleranca në mes partive opozitare”, “Maqedonia e Veriut është shtet i robëruar”, “Maqedonia e Veriut është shtet kriminal”, “Referendumi për ndryshimin e emrit është i pavlefshëm. “, “Rusia është mike tradicionale e Maqedonisë”.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari