Komuna e Tetovës, dështime të mëdha në të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, procedura jotransparente, çfarë zbuluan revizorët?

Фото: portalb.mk

Revizorët shtetërorë dhanë një listë të gjatë të vërejtjeve për Buxhetin e vitit 2021 të Komunës së Tetovës. Mungesë e transparencës, mosrealizim i shpenzimeve kapitale dhe i të ardhurave tatimore. Ja çfarë vënë në dukje revizorët për financat e kësaj komune, e cila është një nga komunat me borxh më të madh në vend, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Si të ardhurat ashtu edhe shpenzimet në “minus” me realizim

Buxheti i komunës së Tetovës nuk bazohet as në kushtet dhe mundësitë reale, e as në të dhënat për realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë viteve të kaluara. Përkundër faktit se në vitin e analizuar 2021 janë bërë ndryshime dhe plotësime të buxhetit (ribalancim) në tri raste – sërish financat komunale kanë mbetur të paqëndrueshme. Posaçërisht, revizorët i referohen mënyrës së mbushjes, zbrazjes dhe planifikimit të arkës së komunës, çështje të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme nëse dihet se kjo komunë është një nga komunat me më shumë borxh në vend.

Ka një mosrealizim të madh dramatik të të ardhurave dhe shpenzimeve në Buxhet, ku dështimi është rreth 40%.

Mosrealizim i madh i të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhetin e Komunës së Tetovës
Mosrealizim i madh i të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhetin e Komunës së Tetovës. Infografik nga Portalb.mk

Në arkën komunale të Tetovës gjendja është alarmante sa i përket të hyrave kapitale, të cilat janë realizuar vetëm me 16,8%, por dështim ka edhe në të hyrat tatimore dhe jotatimore, theksojnë revizorët. Në vitin e analizuar 2021, në arkën e komunës janë derdhur mjete nga transferimet dhe subvencionet në vlerë prej 2,2 milionë eurosh, që është 30% më pak se sa ishte planifikuar.

Dështime të mëdha ka edhe në anën e shpenzimeve buxhetore. Kështu, në vitin 2021 janë shpenzuar gati 5,8 milionë euro, që paraqet një realizim prej vetëm 58,1% krahasuar me atë të planifikuar.

Revizori vë në dukje se “Për sa i përket shpenzimeve, pozicioni i Përfitimeve sociale nuk është realizuar”, e po ashtu ka një moszbatim dramatik te shpenzimet kapitale prej madje 68,4%.  Mirëpo, nga ana tjetër zëri i shpenzimeve për rroga dhe kompensime për punonjësit është realizuar me 92,2%.

Realizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve në Komunën e Tetovës. Infografik nga Portalb.mk
Realizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve në Komunën e Tetovës. Infografik nga Portalb.mk

Mungesa e transparencës…

Jo vetëm në fushën e planifikimit financiar, revizorët vërejnë mungesë transparence edhe në miratimin e buxhetit, por edhe imponimin e disa aktiviteteve të planifikimit që krijonin rrezik për ndërmarrjen e detyrimeve për të cilat nuk kishte mjete financiare.

Nuk është siguruar transparencë në procesin e hartimit dhe miratimit të buxhetit për vitin 2021 përmes organizimit të debateve publike, tribunave, tubimeve të qytetarëve. Planifikimi joreal i buxhetit është karakteristikë edhe e Programeve të miratuara për veprimtari të veçanta që janë nën juridiksionin e komunës, të cilat edhe përkundër mosrealizimit të buxhetit nuk ndryshojnë dhe nuk zvogëlohet shtrirja e aktiviteteve të përcaktuara planifikuese/punimeve, gjë që krijon rrezik për marrjen e detyrimeve, ndonëse nuk ka mundësi reale për sigurimin e mjeteve financiare” – thonë revizorët.

Lista e vërejtjeve në lidhje me arkën komunale është e gjatë. Ja disa prej tyre:

  • Në kundërshtim me ligjin, Buxheti për vitin 2021 nuk përmban “Pjesë zhvillimore”, i cili është i rëndësishëm sepse i mbulon programet për zhvillimin e komunës.
  • Në kundërshtim me ligjin, nuk janë paraparë mjete për programin e posaçëm buxhetor për barazi gjinore, gjegjësisht komuna nuk e inkorporon parimin e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat, ndërsa Komisioni për Mundësitë e Barabarta për Gratë dhe Burrat
  • Në fund të vitit 2021, sipas evidencës së kontabilitetit të komunës, janë evidentuar detyrime të papaguara për të cilat ka vendime ekzekutive gjyqësore në vlerë prej 4,5 milionë euro.
  • Në një periudhë gjashtëmujore, në vazhdimësi çdo muaj me gjendjen në fund të muajit, shuma totale e detyrimeve të papaguara mbi 60 ditë kalon 80% të të ardhurave të realizuara.

Pavarësisht plotësimit të kushteve ligjore, kryetarët e komunës nuk kanë marrë vendim për të shpallur jostabilitet financiar. Në vend të kësaj, thonë revizorët, janë krijuar detyrime të reja.

Përgjigja nga ish-kryetarja, Teuta Arifi

Me nënshkrimin e kryetares së atëhershme të komunës, Teuta Arifi, revizorët kanë marrë përgjigje-arsyetim, por me komente vetëm për 4 pozita nga raportet e revizionit. Në parashtresën drejtuar revizorëve, Arifi shkruan se fakti që nuk ka koment për të gjitha vërejtjet nuk do të thotë se pajtohet apo nuk pajtohet me to, por lë hapësirë për vlerësime nga ekspertët.

Për sa i përket asaj se revizorët vënë në dukje një devijim të madh të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, kryetarja e atëhershme thotë:

“Që nga ekzistenca e saj, komuna ka pasur një devijim në të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, por ne e kemi ulur atë diferencë dhe mendojmë se kemi arritur ta zvogëlojmë për rreth 10 për qind”.

Përgjegjësinë për shpalljen e paaftësisë paguese të komunës, sipas ish-kryetares, e ka Këshilli Komunal.

Vendimi për paaftësi paguese apo për shpalljen e paqëndrueshmërisë financiare është përgjegjësi e Këshillit Komunal, por për marrjen e një vendimi të tillë duhet të ketë tregues të qartë”- thuhet në përgjigje dhe theksohet se ligji i lejonte komunës në rrethana të caktuara të punonte me llogari të bllokuar.

Është interesant fakti se kryetarja e atëhershme e komunës thotë se sugjerimet e raportit të revizionit i jep nga “kujtesa”, sepse nuk është më në komunë dhe nuk ka qasje në të dhënat që gjenden në ndërtesën e komunës. Për revizorët këtë pjesë të përgjigjes e konsiderojnë si njoftim dhe arsyetim.

Në Analizën e radhës, Portalb.mk do t’u referohet gjetjeve që kanë të bëjnë me borxhet e komunës dhe lejet e ndërtimit.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.