Ka dallime të mëdha mes Krimesë dhe Kosovës, ndryshe nga pretendimet e Ambasadës Ruse

Фото: The image was posted by chief39 on Pixabay

Ambasada ruse në Maqedoni lidh situatën mes Krimesë dhe Kosovës, ndërsa argumenti kryesor i presidentit rus, Vladimir Putin, për arsyetimin e ratifikimit të marrëveshjes për pranimin e Krimesë në Rusi është fakti se Perëndimi e njohu deklaratën e Kosovës për pavarësi të vitit 2008. Por në vitin 2014, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se Rusia duhet të ndalojë përdorimin e rastit të pavarësisë së Kosovës nga Serbia për të justifikuar pushtimin e saj në Krime, pasi këto dy ngjarje nuk mund të krahasohen. Eksperti për Evropën Lindore, Franz-Lothar Altman, në një intervistë për Deutsche Welle-n në vitin 2014, situatën e Kosovës dhe Krimesë e quajti “krahasim i mollëve dhe portokalleve”.

 

 

llogarinë zyrtare në Twitter të Ambasadës Ruse në Maqedoninë e V është publikuar një fotografi, përkatësisht grafit, në të cilin shkruhet “Kosova është Serbi – Krimea është Rusi”. Me këtë, siç ka ndodhur më parë në të kaluarën, ndërlidhet situata ndërmjet Krimesë dhe Kosovës, dhe argumenti kryesor i presidentit rus, Vladimir Putin, për arsyetimin e ratifikimit të marrëveshjes për pranimin e Krimesë në Rusi është fakti se Perëndimi e njohu deklaratën e Kosovës për shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

Kosova është Serbi – Krimea është Rusi, shkruhet në grafitin e shpërndarë nga ambasada, ndërsa plotësohet nga territoret e reja të aneksuara, Luhansk, Donetsk, Zaporozhje dhe Kherson.

[Burimi: Profili zyrtar në Twitter i Ambasadës ruse në Maqedoni, data: 06.11.2022]

 

ARSYETIMI:

Në vitin 2014, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se Rusia duhet të ndalojë përdorimin e rastit të pavarësisë së Kosovës nga Serbia për të justifikuar pushtimin e saj në Krime, pasi këto dy ngjarje nuk mund të krahasohen.

Udhëheqësi rus Vladimir Putin ka kritikuar më parë vendet perëndimore për atë që ai e quajti hipokrizi, duke thënë se ata mbështesin të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësinë nga Serbia, dhe tani (në 2014) po u mohojnë atyre të drejtën e Krimesë për t’u ndarë nga Ukraina.

Thaçi, i cili udhëhoqi njësitë e armatosura shqiptare etnike në luftën e viteve 1998-99 kundër trupave të Beogradit kur Jugosllavia u shpërbë, tha se rasti i Kosovës, e cila u bë e pavarur në vitin 2008, nuk kishte ngjashmëri me ngjarjet në Ukrainë.

Rasti i Kosovës në asnjë rrethanë nuk mund të krahasohet me rastin e Krimesë. Kosova është rast unik. Bashkësia ndërkombëtare ndërhyri pas gjenocidit nga Serbia. Asnjëherë nuk kemi kërkuar të largohemi nga një vend dhe t’i bashkohemi një tjetri, deklaroi Thaçi për Reuters.

Më pas ai tha se “qasja e ndryshimit të kufijve dhe aneksimit të territoreve nga një vend tjetër është një qasje e gabuar që mund të ketë pasoja për të gjithë botën”.

Më shumë se 12,000 njerëz vdiqën në luftën në Kosovë, shumica prej tyre shqiptarë etnikë, të cilët përbënin popullsinë shumicë. Rreth 800,000 refugjatë, shqiptarë etnikë (si dhe një numër i serbëve) u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga 107 shtete. Rusia refuzoi ta bënte këtë.

Eksperti për Evropën Lindore, Franz-Lothar Altman, në një intervistë për Deutsche Welle-n në vitin 2014 situatat e Kosovës dhe Krimesë i quajti “krahasim i mollëve dhe portokalleve”.

Në Kosovë, popullsia shqiptare, në fakt, kërcënohej nga aksioni ushtarak i Serbisë. Pati dëbime të mëdha dhe ekzistonte edhe rreziku i gjenocidit. Vetëm atëherë ka pasur ndërhyrje nga jashtë. Ajo ndërhyrje nuk u bë për ta bërë Kosovën pjesë të Gjermanisë apo Shteteve të Bashkuara. Në rastin e Krimesë, ndërhyrja e trupave ruse synonte qartë kthimin e Krimesë në Rusi. Ky është një ndryshim i madh. Një pikë tjetër është se popullsia ruse e Krimesë nuk është e kërcënuar – nuk ka frikë nga masakrat. Ato rreziqe që realisht kanë ekzistuar në rastin e Kosovës, nuk ekzistojnë me Krimenë, tha Lothar Altman.

Në analizën e agjencisë së lajmeve AP që e transmetoi edhe Akademik, thuhet se Kosova dhe Krimea kishin disa ngjashmëri – ato kishin popullsi shumicë që i përkisnin pakicave kombëtare.

Ashtu si shqiptarët e Kosovës i frikësoheshin represionit gjatë sundimit autokratik të presidentit serb Slobodan Millosheviq, po ashtu edhe rusët e Krimesë kishin frikë nga nacionalistët që morën pushtetin në Kiev. Ashtu si në Kosovë, edhe në Krime shumica e madhe votoi në favor të shkëputjes, ndërsa pakica serbe në Kosovë dhe pakicat tatare dhe ukrainase në Krime kryesisht bojkotuan votimin. NATO ndërhyri në Kosovë, ndërsa trupat ruse hynë në Krime para referendumit dhe këtu përfundojnë ngjashmëritë, analizon AP.

Lidhur me dallimet, AP kujton se NATO-ja reagoi vetëm pasi mori një sërë dëshmish se popullata serbe keqtrajtonte shqiptarët, ndërkohë që forcat pro-ruse ndërhynë në Krime, megjithëse nuk u vërejt dhunë ndaj rusëve etnikë. Perëndimi dërgoi trupa paqeruajtëse atje pas tërheqjes së forcave të Millosheviqit nga Kosova, ndërsa trupat ruse pushtuan Krimenë para referendumit. Më pas Kosova shpalli pavarësinë por nuk iu bashkua Shqipërisë, ndërsa Krimea kërkoi hyrjen në Rusi menjëherë pas referendumit. Përveç kësaj, Kosova shpalli pavarësinë nëntë vjet pasi Serbia humbi kontrollin mbi të dhe pas një procesi të gjatë diplomatik, ndërsa Krimea u shkëput nga Ukraina vetëm disa javë pasi presidenti i rrëzuar Viktor Janukoviç dezertoi.

Sipas Ljubomir Frçkoskit, profesor i së drejtës publike ndërkombëtare, shkëputja në të dyja rastet nuk është instrument juridik ndërkombëtar që mbështetet në të drejtën ndërkombëtare, por situata në Krime dhe Kosovë dallon thelbësisht në tre gjëra – të drejtat e njeriut, kërcënimi i forcës ushtarake dhe procesi i negociatave me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Situata në Kosovë dhe Krime është thelbësisht e ndryshme. Pra, jo në aktin e referendumit dhe të shkëputjes, të atij akti formal të kërkuar me aktin e pavarësisë së rajonit autonom të Krimesë, por të gjendjes së të drejtave të njeriut, konsideron Frçkoski, i cili shton se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës i referohet Planit të Ahtisaarit si procedurë e zbatimit të atij procesi, ndërsa në aspektin e të drejtave të njeriut se minoriteti rus në Krime ishte i privilegjuar dhe nuk ishte nën represion.

Nga ana tjetër, dallimi i dytë është procesi përmes të cilit erdhi shkëputja, procedura, pra, si dallim i dytë. Në Krime ishte e njëanshme deri në fund – referendum, vendim dhe përshëndetje! Në anën tjetër, Kosova po kalonte një proces negociatash ndërkombëtare, apo të ashtuquajturat plani i Ahtisarit. Pra, në vetë procedurën që çoi në shkëputje – bashkësia ndërkombëtare u përfshi në rastin e Kosovës, ndërsa në rastin e Krimesë ishte e izoluar, pra nuk ekzistonte, ajo ishte në pozitën e mentorit të madh të tregimit, e ajo është Rusia, beson profesori.

Vladimir Putin përfundoi zyrtarisht aneksimin e më shumë se 15% të territorit të Ukrainës në fillim të tetorit të këtij viti. Në zgjerimin më të madh të territorit rus në gjysmë shekulli, Putin nënshkroi ligje duke e bërë Republikën Popullore të Luhanskut, Republikën Popullore të Donetskut dhe rajonet Kherson dhe Zaporozhye pjesë të Rusisë.

Së bashku me Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në 2014, Rusia tani ka marrë rreth 22% të Ukrainës, megjithëse kufijtë e saktë të katër rajoneve të reja ende nuk janë përcaktuar.

Kufijtë e subjekteve të reja të Federatës Ruse do të përcaktohen nga kufijtë që ekzistonin në ditën e formimit dhe pranimit të tyre në Federatën Ruse, thuhet në dokumentet e nënshkruara nga Putin.

Deri në mars 2014, Krimea ishte pjesë e Ukrainës, kur deputetët në Parlamentin e Republikës Autonome të Krimesë shpallën pavarësinë nga Ukraina me Deklaratën e Pavarësisë së Krimesë të 11 marsit 2014. Në një referendum të mbajtur më 16 mars 2014, populli i Krimesë votoi për aneksimin e Krimesë me Rusinë. Ukraina nuk i njohu rezultatet e këtij referendumi dhe as ligjshmërinë e tij. Më 17 mars, Këshilli i Lartë i Krimesë miratoi rezolutën për pavarësinë nga Ukraina dhe i bëri thirrje Rusisë për pranimin e Republikës së Krimesë në Federatën Ruse, kështu që tashmë më 18 mars 2014, Republika e Krimesë hyri në Federatën Ruse, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe liderët e Krimesë.

Për shkak të gjithë kësaj, kjo deklaratë që transmetohet nga ambasada ruse në vend, mund të konsiderohet gjysmë e vërtetë, sepse ka pak ngjashmëri dhe dallime shumë të mëdha mes ngjarjeve në Krime dhe në Kosovë.

 

BURIME:

 

Vlerësoi: Meri Jordanovska

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.