Java e verifikimit të fakteve në vitin 2023 në shenjë të luftës kundër dezinformatave në fronte të ndryshme

 Fondacioni Metamorfozis edhe këtë vit i bashkohet shënimit të 2 prillit – Ditës së Verifikimit të Fakteve, me ç’rast gjatë gjithë kësaj jave do të mbahen një sërë ngjarjesh për verifikimin e fakteve, si në vend ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.  

PASQYRË 

Dita e Verifikimit të Fakteve këtë vit vjen në një periudhë të presionit të shtuar nga rritja e dezinformatave dhe nevoja për t’u përballë me to, dhe angazhimi gjithnjë e më i madh i atyre që i përhapin dezinformatat e tilla përmes të gjitha kanaleve moderne të komunikimit në diskursin publik. 

Nëse vitin e kaluar në këtë kohë ende përballeshim me të pavërtetat e zakonshme në lidhje me Kovid-19 e veçanërisht për vaksinat kundër Kovidit, si dhe me rritjen fillestare të dezinformatave në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës, këtë vit dezinformatat për Kovid po modifikohen dhe zbatohen mbi segmente të ndryshme të shëndetit publik, siç janë thirrjet për mospërdorimin e vaksinave të tjera të dobishme, dezinformata në lidhje me shtatzëninë, dezinformata rreth barnave të dedikuara për shërimin e një sërë sëmundjesh, me ç’rast u janë bashkangjitur karakteristika të rreme, gjoja të dëmshme, që nuk janë vërejtur askund.  

Kur bëhet fjalë për dezinformatat lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës, vazhdon tendenca e importimit të tij nga jashtë, me ç’rast dezinformatat e tilla pothuajse pa përjashtim shërbejnë për të imponuar dhe përforcuar më tej narrativat e njohura të Kremlinit, qëllimi i të cilave është të justifikojë agresionin e padrejtë dhe të paprovokuar kundër Ukrainës, si dhe të justifikohen dështimet e forcave të armatosura ruse në fushën e betejës. Tendenca më e fundit në këtë temë, e cila inkurajohet nga mbështetësit lokalë të Kremlinit në vend, është riinterpretimi i dezinformatave të importuara dhe futja e tyre në një kontekst lokal për të minuar orientimin pro-perëndimor të forcave politike kryesore në vend.   

Gjithashtu, vihet re tendenca që të njëjtit shpërndarës të dezinformatave, të cilët deri vitin e kaluar shpërndanin dezinformata për pandeminë e Kovidit, sot e bëjnë të njëjtën gjë për temën e luftës në Ukrainë. Kjo e konfirmon konstatimin për e ekzistencën e një këndvështrimi konspirativ të botës në mesin e një segmenti jo aq të vogël të popullatave kombëtare në mbarë botën, të cilët i shohin një numër të madh të lajmeve dhe ngjarjeve aktuale përmes prizmit të ekzistencës së një komploti global të krijuar nga një numër i vogël njerëzish të fuqishëm, për të cilët konsiderohet se kontrollojnë gjithçka që ndodh dhe se janë fajtorë për gjithçka që është negative rreth nesh. 

Është rritur edhe numri i dezinformatave për çështje që kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës së qytetarëve dhe zgjedhjet e tyre jetësore apo karakteristikat personale. Dezinformatat e tilla shoqërohet me të ashtuquajturën “luftë për kulturën e të jetuarit” (culture wars), siç janë, për shembull, çështjet nga fusha e edukimit seksual, ndërprerja e shtatzënisë, çështjet që kanë të bëjnë me popullatën LGBT, veçanërisht me personat transgjinorë, e të tjera, me ç’rast dezinformatat e tilla përdoren për të ruajtur stigmat dhe paragjykimet ekzistuese, si dhe për të intensifikuar urrejtjen ndaj këtyre grupeve të cenueshme. Kohët e fundit, dezinformatat për këto dhe tema të tjera përdoren gjithnjë e më shumë edhe për sulme ndaj Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij, në radhë të parë me qëllim të lëkundjes së përcaktimit pro-evropian të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. 

Veçanërisht shqetësuese është shfaqja e re e lojërave shpërblyese të rreme në rrjetet sociale, të cilat i keqpërdorin markat e njohura maqedonase dhe të huaja për krijimin e faqeve të rreme dhe ofrojnë sasi të mëdha të shpërblimeve atraktive, mirëpo inekzistente, të gjitha këto me qëllim të marrjes së të dhënave personale të qytetarëve. Sipas vlerësimeve të Fondacionit Metamorfozis, dhjetëra mijëra qytetarëve tashmë u janë vjedhur të dhënat personale në këtë mënyrë, e poashtu nuk duhet anashkaluar edhe rreziku i mundshëm që këto të dhëna të keqpërdoren për qëllime politike edhe në beteja politike të brendshme, si dhe nga aktorë të huaj për të përhapur ndikime të dëmshme dhe jodemokratike. 

Publikimet e Fondacionit Metamorfozis – Vërtetmatësi, Meta dhe Portalbi edhe në të ardhmen do të vazhdojnë betejën kundër dezinformimit dhe kundër ndikimeve të dëmshme të huaja jodemokratike duke përdorur dezinformatat si pjesë të luftës hibride, dezinformatat në nivel politik duke e verifikuar vërtetësinë e deklaratave të politikanëve dhe keqpërdorimin e të vërtetës për të krijuar manipulime dhe përdorimin e spineve politike, verifikimin e përmbushjes së premtimeve parazgjedhore të partive politike, si dhe kundër dezinformatave në media dhe në rrjetet sociale.  

NGJARJE DHE AKTIVITETET 

Në serinë e aktiviteteve me rastin e 2 prillit do të realizohet Java e verifikimit të fakteve me një sërë aktivitetesh të dedikuara për promovimin e verifikimit të fakteve.  

 

Sot (e hënë – 3 prill 2023) në Televizionin 21 në gjuhën shqipe do të zhvillohet debati me temën “Dezinformatat si kërcënim për sigurinë kibernetike”, ku do të marrin pjesë Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Shkëlzen Osmani, themelues i Hybrid.info nga Kosova dhe Klodiana Kapo, Drejtore Ekzekutive e Faktoje.al. 

Në datat 4-5 prill, Fondacioni Metamorfozis organizon Konferencën ndërkombëtare në temën Transformimi Digjital i Qytetarëve, e cila do të mbahet në Hotelin “Meriot” (Shkup) dhe do të mund të ndiqet edhe në internet.  

Të mërkurën, më 5 prill, me fillim nga ora 10:00, në kuadër të konferencës do të mbahet paneli me titull “Si të ndërtohet rezistenca ndaj luftës hibride?”, ku do të diskutohet se si sulmet kibernetike e sabotojnë strukturën e TIK-ut të qeverisë, se si fushatat e dezinformimit e shfrytëzojnë dhe i thellojnë ndarjet ekzistuese dhe mbjellin frikë tek qytetarët, duke ngjallur mosbesim në institucionet demokratike, etj. Folës në këtë panel do të jenë Ilia Zhupanoski, Bashkëpunëtor për komunikime digjitale, Zyra e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Acev, Shef, Qendra Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike – MKD CIRT, Agjencia për Komunikime Elektronike dhe Merle Maigre, Drejtore e Programit të Sigurisë Kompjuterike, Akademia për e-Qeverisje (Estoni). 

 

Më 6 prill në Tiranë, Qendra Faktoje organizon një konferencë rajonale në kuadër të Javës Rajonale të Verifikimit të Fakteve në Ballkanin Perëndimor. Në konferencë do të marrë pjesë ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Reinot Vos, si dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar, medias dhe akademisë. Konferenca organizohet në bashkëpunim me projektin Qendra kundër dezinformimit e Ballkanit Perëndimor, të cilin Fondacioni Metamorfozis e organizon në partneritet me Faktoje (Shqipëri), Qendrën për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë – ISAC (Serbi), Qendrën për Tranzicion Demokratik – CDT (Mali i Zi), Sbunker (Kosovë) dhe UGD “Zašto ne”/”Pse jo” (Bosnje he Hercegovinë) me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës. 

Në një nivel më të gjerë ndërkombëtar, nga ana tjetër, Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (IFCN) organizon dy panele online të hënën (3 prill) në temën Sfidat ligjore dhe legjislacioni ndërkombëtar për verifikimin e fakteve dhe të martën (4 prill) në temën “Verifikimi i fakteve në kohë krize”. Më shumë informacion dhe formularin e regjistrimit për të marrë pjesë mund ta gjeni këtu.   

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.