Indeksi i perceptimit të korrupsionit: Ka përparim, por nuk ka hapësirë për kënaqësi të madhe
Me 39 pikë indeksi, Maqedonia e Veriut renditet e 87-ta nga 180 vende, në listën e fundit të “Transparency International” për perceptimin e korrupsionit (IPC). Pavarësisht progresit, situata është larg të qenit perfekte. Kryetarja e “Transparency International”, Slagjana Taseva thotë se duhet të punohet edhe më shumë për të tejkaluar problemin e kahershëm me korrupsionin. Si më urgjente dhe më të nevojshme, ajo e thekson reformën në gjyqësor, sepse në atë pjesë – në ato indekse, ende nuk kemi progres.
Shkruan: Simona Atanasova
Maqedonia e Veriut “u ngjit” për 24 vende sipas Indeksit të perceptimit të korrupsionit, të publikuar nga “Transparency International“. Këtë vit vendi është renditur në vendin e 87-të në listën prej 180 shteteve, ndërsa vitin e kaluar ishim në vendin e 111-të. Me gjithsej 39 pikë nga 100 të mundshme, Maqedonia e Veriut është në të njëjtin pozicion për sa i përket perceptimit të korrupsionit me Kolumbinë, Etiopinë, Guajanën, Kosovën, Marokun, Surinamin, Tanzaninë dhe Vietnamin. Në krye të listës, si vende më pak të korruptuara janë Danimarka (88), Finlanda (88) dhe Zelanda e Re (88).
Kërcimi i Maqedonisë së Veriut prej 24 vendesh në Indeksin e perceptimit të korrupsionit është më i larti në vend në pesë vitet e fundit, por jo më i miri. Nga vendi aktual i 87-të në listën me 180 shtete, ne u renditëm më lart në vitin 2015, kur shteti ishte në vendin e 66-të.
Indeksi i perceptimit të korrupsionit rendit 180 vende dhe territore sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik në shkallë nga 0 (shumë i korruptuar) në 100 (i pa korruptuar). Me gjithsej 39 pikë, vendi është nën mesin, dhe pavarësisht progresit, konsiderohet se situata është larg të qenit e përkryer.
Kryetarja e “Transparency International”, Slagjana Taseva, gjatë prezantimit të Raportit tha se ka përmirësim të vogël, por se është larg nga e mira, prandaj që ka ende punë për të tejkaluar problemin e kahershëm.
Kemi shumë punë për të bërë, reforma në gjyqësor është më e nevojshme dhe urgjente për ne, sepse në atë pjesë, në ato indekse, ende nuk kemi progres. Kjo nuk duhet të jetë shumë kënaqësi për ne, pasi rezultati është i ulët, kemi 39 pikë indeks dhe jemi në vendin e 87-të, tha Taseva.
Edhe pse përballen me korrupsionin, qytetarët nuk duan ta denoncojnë
Hulumtimet e opinionit publik gjatë vitit të kaluar tregojnë se qytetarët janë të zhgënjyer, humbin besimin te institucionet dhe nuk besojnë se do të shohin luftë të rëndësishme kundër korrupsionit në të ardhmen e afërt. Disa nga qytetarët kanë deklaruar se kanë pasur eksperiencë të drejtpërdrejtë me korrupsionin, por që e raportojnë rrallë.
Rezultatet e anketës së Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) e realizuar nga 27 prilli deri më 20 maj 2021, të publikuar në “Raportin e vlerësimit të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut”, tregojnë se ekspozimi ndaj korrupsionit është i lartë.
Hulumtimi tregon se 33.7 për qind e qytetarëve ishin të ekspozuar ndaj presionit korruptiv, ndërsa 32.9 për qind ishin të përfshirë në korrupsion. Në vitin e kaluar, 11,93 për qind e qytetarëve janë përballur me kërkesë të drejtpërdrejtë për ryshfet, ndërsa 17,25 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se në raste të izoluara ka pasur sugjerim se administratorët kanë pasur pritshmëri të tilla.
Sa i përket ndjeshmërisë ndaj ryshfetit, vetëm një numër i vogël i qytetarëve thanë se do të paguanin (4%), do të paguanin nëse kishin mundësi (17%), 45% nuk do të paguanin fare ryshfet, ndërsa 31 për qind nuk do të paguanin nëse do të kishte mënyrë tjetër për të zgjidhur problemin.
Shumica e qytetarëve besojnë se duhet dhënë para, dhuratë apo favor për të zgjidhur ndonjë problem të tyre. Dhënia e një dhurate (64.2 përqind) është procedura më e mundshme që qytetarët besojnë se një person duhet të bëjë për të zgjidhur një problem, përpara shërbimit (61.2 përqind) ose parave (59.7 përqind).
Rezultatet e sondazhit të fundit të Institutit Kombëtar Demokratik (IKD) të kryer në korrik dhe gusht 2021, tregojnë se çdo i dyti qytetar beson se nuk do të ndërmerret asnjë masë ose ka frikë nga hakmarrja nëse raporton për korrupsion. Çdo i treti qytetar nuk di ku të denoncojë korrupsionin.
Në pyetjen nëse ata personalisht apo dikush që jeton në familjen e tyre, kanë përjetuar korrupsion vitin e fundit, 6.1 për qind e të anketuarve thanë se kishin një përvojë të tillë, 5.1 për qind thanë se familja e tyre kishte përjetuar korrupsion dhe 3, 7% u përgjigjën se ata dhe anëtarët e familjes kanë pasur përvojë korruptive, 6.8% e qytetarëve kanë pasur përvojë me korrupsion në shëndetësi, 3.7% janë përballur me korrupsion në arsim dhe 2.7% në gjyqësor.
Korrupsioni paraqet shqetësim për Komisionin Evropian
“Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese“, vlerësoi Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit për Maqedoninë së Veriut, në procesin e integrimit në BE, i publikuar në tetor të këtij viti. Sipas KE-së, Maqedonia e Veriut ka një nivel të caktuar gatishmërie, është mesatarisht e përgatitur në drejtim të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.
Lufta kundër korrupsionit në metodologjinë e re për anëtarësimin në BE është gjithashtu pjesë e kapitullit 23 të titulluar “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.
Vitin e ardhshëm, sipas KE-së, vendi veçanërisht duhet:
- të vazhdojë me përpjekjet për luftë kundër korrupsionit duke forcuar mbështetjen për organet përkatëse, duke zbatuar Strategjinë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktin e interesit dhe duke ofruar udhëzime të qarta për politikat për institucionet shtetërore;
- të sigurojë ndarjen adekuate të burimeve për Prokurorinë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në mënyrë që të sigurohet llogaridhënie efektive për veprat penale që rrjedhin dhe janë në lidhje me përgjimet, si dhe për rastet e reja të korrupsionit të profilit të lartë;
- të vazhdojë rritjen e numrit të aktgjykimeve në rastet e korrupsionit të niveleve të larta, e ndjekur nga konfiskimi i mjeteve kriminale, duke u mbështetur në rezultatet pozitive të vitit të kaluar.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari