Hendeku gjinor në RMV, meshkujt dominojnë tregun e punës dhe rrogat më të larta, Brukseli mbetet kritik
Vazhdon të mbetet i thellë hendeku gjinor në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse gratë dhe burrat thuajse në proporcion të njëjtë përbëjnë popullsinë e vendit, tregu i punës dhe lidershipi i vendit dominohen dukshëm nga gjinia mashkullore. Të dhënat statistikore dëshmojnë se numri i grave të diplomuara është më i lartë se meshkujt megjithatë ky raport përmbyset kur janë në pyetje postet udhëheqëse ose pagat më të larta. Në këtë drejtim BE-ja adresoi një sërë kritikash ndaj RMV në Raportin e Progresit, shkruan Portalb.mk.
Në të dhënat e fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, shihet se gratë nuk janë të kyçura barabartë si burrat në tregun e punës. Nga 795 276 persona të punësuar në Maqedoninë e Veriut 478 903 persona janë meshkuj ndërsa 316 373 persona janë femra. Ndërkaq, sipas të dhënave të Platformës për Barazi Gjinore janë mbi 220 000 gra të regjistruara si amvise dhe që nga Enti i statistikave numërohen si popullsi jo-aktive. Diskriminim vërehet në pagat me të cilat vlerësohet një burrë dhe një grua në vendin tonë, sipas të dhënave të fundit të Entit të Statistikave, me rrogë 30001-40000 DEN paguhen 32.7% femra dhe 67.3% meshkuj. Pagë mujore mbi 40 001 den marrin vetëm 22.4 % femra në vendin tonë, ndërsa pjesa tjetër janë meshkuj, pra 77.6 %.
Dallimet gjinore në paga nuk kaluan pa u theksuar as në vlerësimin e Maqedonisë së Veriut në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian.
“Ka ende stereotipe gjinore dhe boshllëqe gjinore në paga. Lidhur me mos-diskriminimin në punësim dhe politikën sociale, më 30 tetor 2020 është miratuar Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe është emëruar Komisioni i ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Komisioni i ri ka marrë mbi 90 raste të diskriminimit nga Komisioni i mëparshëm dhe ka pranuar 4 ankesa të reja”, theksohet në Raport.
Gratë më të arsimuara se burrat por ata bëjnë 72.5% të punës së papaguar në shtëpi
Pabarazia gjinore dhe nënvlerësimi i gruas në vendin tonë u dëshmua edhe në analizën e fundit nga “Reaktor” . Mesatarisht, gratë në vend bëjnë 72.5 për qind të punës së papaguar në shtëpi, ndërsa kontributet e burrave mezi tejkalojnë një të katërtën e ngarkesës totale të punës. Në baza ditore, gratë shpenzojnë 18 herë më shumë kohë duke larë enët, 12 herë më shumë kohë për pastrim, nëntë herë më shumë kohë për gatim dhe tre herë më shumë kohë për kujdesin ndaj fëmijëve, se sa burrat, thuhet në studimin e “Reaktor”.
Nga agjencia “Marili”, vlerësojnë se edhe përkundër faktit se është i lartë numri i grave të edukuara dhe të diplomuara përfaqësimi i tyre në postet menaxheriale është i dobët.
“Për sa i përket strukturës së kuadrit të arsimuar dhe të kualifikuar në shoqërinë tonë, përfaqësimi i grave është më i lartë në krahasim me burrat. Domethënë është 59.5 % e totalit të të diplomuarve në periudhën 2000-2020. Numri i femrave me teza të magjistraturës të mbrojtura është më i lartë se meshkujt, kemi 60,1 % magjistre femra në vitin 2019 dhe 2020, dhe e njëjta gjë vlen edhe për disertacionet e doktoratës që janë 59,8 % në favor të femrave në raport me meshkujt për të njëjtën periudhë. Ekziston një prani më e madhe e grave në pozitat menaxheriale dhe udhëheqëse në bizneset familjare dhe ato përbëjnë bërthamën e re të menaxhimit të grave që është e ardhmja dhe shtytësja e ekonomisë maqedonase. Megjithatë, për fat të keq, përqindja e grave në poste drejtuese në kompanitë tona është e vogël. Sipas statistikave, gratë në poste drejtuese kanë vetëm 27.8 %, që është më pak se një e treta, ndërsa gratë që kanë filluar dhe drejtojnë një biznes sipërmarrës janë vetëm 4 %”, deklaroi Lidija Tripunoska, menaxher e përgjithshme e “Agjencisë Marili”.
“Për sa i përket rritjes së përqindjes së grave në poste drejtuese, po punohet për të ndjekur kuotat evropiane të përfaqësimit të detyrueshëm, jo vetëm në sferat sociale, por edhe në biznes. Sigurisht që janë të rëndësishme projektet për promovimin dhe mbështetjen e grave në biznes, si ato të agjencisë Marili, por është shumë e rëndësishme edhe mbështetja e medias, e cila duhet të afirmojë çdo përpjekje”, shtoi Lidija Tripunoska.
Grave në RMV nuk ju besohen postet udhëheqëse në politikë
Barazia gjinore lë shumë për të dëshiruar edhe në lidershipin e vendit, qoftë atë në nivel qendror apo atë komunal. Një analizë e publikuar në Portalb.mk, pak kohë më parë pasqyron realitetin aktual se politikanët burra në RMV “frikësohen” të lënë vendimmarrjen në duar të politikaneve gra. Vetëm 20% e kabinetit aktual të ministrave përbëhet nga gratë, ndërsa në nivel lokal nga 80 Komuna vetë 2 udhëhiqen nga gra. Kuvendi aktual i Maqedonisë së Veriut i konstituar më 4 gusht të vitit 2020 numëron 47 gra deputete nga gjithsej 120 deputetë. Ndonëse shpesh si arsye për mungesën e grave në politikë dhe vendimmarrje disa e madje edhe politikanë e arsyetojnë me mungesë të kuadrit profesional apo guximit, të dhënat nga Enti Shtetëror për Statistikë (ESHS) flasin se vendi ka kuadër profesional të vajzave dhe grave të cilat me përgatitjen e tyre do të kontribuonin në politikë dhe vendimmarrje.
Një ndër faktorët që i mban gratë larg politikës janë paragjykimet e ashpra shoqërore me të cilat përballen personat të të cilët kanë funksione publike, e në veçanti gratë. Ky fakt theksohet edhe në Raportin e Progresit ku theksohet: “Stereotipet gjinore vazhdojnë, dhe gratë në jetën publike janë veçanërisht të ndjeshme ndaj sulmeve përmes mediave sociale”.
Për të qenë situata më kritike, pak ditë më parë ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ishte viktimë e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale. Ministrja u kryqëzua me komente të shumta seksiste, kritika për pamjen e saj fizike, si dhe një valë komentesh plot paragjykime dhe stereotipe gjinore. Këto sulme erdhën pas pritjes që ju bë ministres Sllavjanka Petrovskës gjatë vizitës së saj të fundit në Londër, ku orkestra ushtarake britanike, për nder të saj luajti këngën e famshme maqedonase “Jovano, Jovanke”.
Gratë dominojnë dukshëm punësimet në arsimin fillor e të mesëm por jo edhe në atë të lartë
Sektori i arsimit fillor dhe të mesëm mbushet gjithmonë e më shumë me nëpunëse gra. Konkretisht mësimdhënia, si rregull i pashkruar, është shndërruar në një profesion për gra, me më shumë kohë të lirë dhe një vend pune i qëndrueshëm. Të dhënat zyrtare shtetërore tregojnë se në vitin 2018 në sektorin e arsimit në vendin tonë janë të punësuar 28.106 gra dhe 16.591 burra (62.9% gra dhe 37.1% burra). Shifrat janë të ngjashme edhe në vitin 2019, ku 28.800 të punësuar në arsim janë gra dhe 17.387 janë burra (62.4% gra dhe 37.6% burra).
“Ideologjia e amësisë vazhdon të jetë prezentë në profesionet në të cilat duhet të vazhdojë karrierën një vajzë e cila mbaron arsimimin e mesëm. Mbisundimi i motivimit të vetëm për të, se ajo duhet të bëhet bashkëshorte, nënë, në të shumtën e rasteve është preteks që të zgjedh profesionin e mësuesisë. Kjo për arsye se ajo duhet të përfundojë orarin për 4 orë pune, për të pasur më pastaj kohë të vazhdojë me punët tjera në shtëpi rreth amvisërisë dhe përkujdesjes ndaj familjes dhe fëmijëve. “Ti do të martohesh, do të lindish fëmijë, për ty e rëndësishme është familja e jo karriera”- janë këshillat që vazhdimisht i marrin vajzat e reja”, u shpreh Arta Selmani, profesoreshë dhe prodekane në Fakultetin juridik- UEJL.
Në krahasim me vendet e punës në arsimin fillor dhe të mesëm, hapësira e veprimit në arsimin e lartë ka qenë më e disponueshme për burrat, andaj sot kemi shumë burra profesora indordinar dhe ordinar në krahasim me gratë. Megjithatë sakrificat që një grua duhet ti bëjë për të qenë pjesë e botës akademike janë më të mëdha se ato të gjinisë së kundërt.
“Edhe përkundër respektimit të kushteve ligjore në avansimet profesionale dhe shkencore mbi bazat gjinore, burrat në arsimin e lartë e kanë shumë më të lehtë që të arrijnë titujt shkencorë dhe të avansohen në pozita udhëheqëse se gratë. Pse ndodh kjo? Edhe pse gratë arrijnë rezultate dukshëm më të mira gjatë arsimimit në krahasim me burrat, stagnimi i arritjeve të gruas është evident pas përfundimit të studimeve të saja. Meqë, gratë kanë “orën biologjike” dhe duhet të realizohen si nëna, edhe përkundër kualifikimeve të njëjta sikurse burrat, ndodh që shumë më ngadal dhe me shumë vështirësi të avansohen sesa kolegët e tyre. Kërkesat e Ligjit për Arsimin e Lartë për titujt shkencorë (docent, profesor inordinar, profesor ordinar) janë të njëjta si për burrat poashtu edhe për gratë, dhe deri këtu jemi në rregull. Mirëpo, një burr e ka shumë më të lehtë që të bëjë hulumtimin shkencorë, të jetë pjesëmarrës në një konferencë shkencore, për shkak se ai e ka në dispozicion ditën në tërësi, ndërkaq gruaja përveç që duhet të bëjë hulumtimin dhe të shkruajë punime të mirëfillta për botime në revista të indeksuara, ajo duhet të merret edhe me punët e përditshme rreth shtëpisë dhe fëmijëve. Duke përkundur djepin me njërën dorë, me dorën tjetër duhet të bëjë shkencën”, tha për Portalb.mk Arta Selmani.
Asnjë Universitet në RMV, nuk ka rektor grua ndërkohë është i vogël numri i Institucioneve të Larta Akademike që edhe në pozitat e dekanes, pordekanes dhe drejtoreshave kanë të emëruar gra.
“Edhe pse femrat përbëjnë më tepër se gjysmën e popullsisë studentore në vend, numri i studenteve femra në Universitetet e RMV-së është 57.9 % si dhe numri i të diplomuarve femra në nivel shtetëror është 59.9% (shih të dhënat statistikore për vitin akademik 2020/21), sa iu përket pozitave udhëheqëse, barazia gjinore jo në të gjitha Universitetet respektohet. Asnjë Universitet në RMV, nuk ka rektor grua, shumë pak Universitete kanë prorektorë gra, dekane dhe drejtoresha. Hapësirat udhëheqëse janë të gllabëruara nga burrat, sepse ende mbisundon mendimi që gratë janë të brishta dhe të papërshtatshme për pozita menaxhuese. Një grua jo vetëm që duhet të punojë trefish më shumë se një burrë, por pa fajin e saj ajo stagnon në arritjet akademike dhe udhëheqëse. Andaj, duke e mbajtur gruan të margjinalizuar, ajo arrin të sigurojë përfitime materiale më të ulta se burrat, dhe kjo për shkak të mbisundimit të stigmës se burrat janë ata të cilat duhet të fitojnë më shumë se gratë”, thekson Arta Selmani.
Gratë të diskriminuara edhe në përfitimin e ndihmës sociale
Në vendin tonë një numër i lartë i popullatës së përgjithshme jeton në varfëri, edhe përkundër faktit se shumicën e qytetarëve të varfër e përbëjnë gratë ato janë në numër shumë të vogël përfituese të ndihmës shtetërore sociale. Sipas studiuesve të kësaj fushe ky fenomen paraqitet për shkak të mos funksionimit efikas të sistemit social shtetëror.
“Në Maqedoninë e Veriut ka më shumë se 400.000 persona që jetojnë në varfëri, ndërsa shumica prej këtyre janë gra. Sistemi social i shtetit jo gjithmonë është funksional dhe jo gjithmonë i sheh nevojat e qytetarëve. Ky disfunkcionalitet ndikon edhe në atë se si ndahet ndihma sociale. Sa i përket tregut të punës, shumica e grave janë joaktive, sipas disa studimeve një nga arsyet kryesore është kujdesi për familjen, gjë që i pamundesonë gratë të kyçen në tregun e punës. Faktor normal është edhe gjendja e përgjithshme ekonomike në vend, gjë që limiton mundësitë për punë. Sipas një studimi të Stellës, disa nga pengesat kryesore të identifikuara nga gratë janë mungesa e mjeteve financiare dhe mbështetja e familjes për hyrjen në biznes si dhe pengesa politike dhe institucionale”, deklaroi Vlora Reçica, bashkëthemeluese e Rrjetit “Stella.”
Nga “Rrjeti Stella”, organizatë kjo që ka për qëllim fuqizimin ekonomik dhe shoqëror të grave dhe vajzave, thonë se një faktor i rëndësishëm në varfërinë e gruas është edhe ndarja e pasurisë apo trashëgimisë familjare.
“Gjithashtu ndikon edhe si ndahet pasuria, për shkak se ende mbizotëron mentaliteti patriarkal në vend. Sipas të dhënave vetëm 28% e grave në vend zotërojnë patundshmeri, gjë që i lë gratë të varura nga familja dhe partneri, edhe në raste të dhunës në familje. Për arsye si këto, këtë vit Marshi i 8 marsit në Shkup kishte edhe temën “Varfëria ka fytyre gruaje”, me qëllim që të tërheq vëmendjen e publikut mbi këtë problem shoqëror”, shtoi Vlora Reçica.
BE rekomandon harmonizimin e ligjeve që dënojnë diskriminimin gjinor
Në Raportin e Progresit vendit tonë i rekomandohet që institucionet relevante të bëjnë harmonizimin e ligjeve përkatëse si dhe të miratohen aktet nënligjore dhe procedurat operative.
“Është arritur njëfarë progresi në barazinë gjinore me përafrimin e mëtejshëm ligjor me Konventën e Stambollit. Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje u miratua në janar, duke futur një riintegrim sistematik të viktimave të dhunës. Nevojitet harmonizimi i ligjeve përkatëse, miratimi i akteve nënligjore dhe i procedurave operative. Një sistem efektiv monitorimi për zbatimin e planit të veprimit të Konventës ende mungon”, thuhet mes tjerash në Raport.
Raporti më tej thekson se: Indeksi Kombëtar i Barazisë Gjinore, i cili u publikua për herë të parë në vitin 2019, mbetet një tregues kyç për matjen e barazisë së qytetarëve, por ende nuk është përditësuar. Mbledhja dhe analiza e duhur e statistikave gjinore kërkon rritjen e kapaciteteve të institucioneve përkatëse dhe përmirësimin e koordinimit.
Përndryshe, barazia gjinore në Maqedoninë e Veriut garantohet me Kushtetutë, si vijon:
Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të barabartë në liri dhe të drejta, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, origjinën kombëtare dhe shoqërore dhe besimet fetare, pronën dhe statusin shoqëror.
Përveç kësaj, Republika e Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar disa konventa dhe direktiva që trajtojnë aspekte të ndryshme të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe të grave. Midis tyre është Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur më mirë si Konventa e Stambollit, të cilën Maqedonia e Veriut e ka nënshkruar më 8 korrik 2011, e ka ratifikuar më 23 mars 2018 dhe ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2018.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari