Hapa të vegjël drejt ndryshimeve të mëdha për fëmijët me nevoja të veçanta në arsimin e Maqedonisë

Фото: Принтскрин колаж

Përfshirja arsimore është proces që zgjat më shumë se dy dekada, i cili vonohet jo vetëm për shkak të ligjeve të këqija, por edhe për shkak të ndërgjegjësimit të ulët në shoqëri.

 

Shkruan: Zoran Dimovski

 

Dyzet nxënës me aftësi të kufizuara nga rajoni i Pollogut, nga ky vit shkollor kanë ndihmës arsimorë, të cilët ofrojnë mbështetje në mësim, në kuadër të shkollave ku ata e ndjekin mësimin.

Kjo lloj mbështetjeje është paraparë me Ligjin për Arsimin Fillor nga gushti 2019, në pjesën e ofrimit të arsimit cilësor për të gjithë, ndërsa nga ky vit më në fund zbatohet në praktikë, për të përmirësuar procesin gjithëpërfshirës të kësaj kategorie të fëmijëve.

Jo çdo shkollë ka gjetur kohën dhe mënyrën për të ofruar qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara. Foto: Vërtetmatësi

Për dallim nga modeli i mëparshëm i asistencës arsimore që financohej përmes një projekti të UNDP-së dhe i cili fokusohej ekskluzivisht tek nxënësi me nevoja të veçanta, ky model ofron mbështetje të drejtpërdrejtë si për fëmijën dhe mësuesin, ashtu edhe për shërbimet profesionale në shkollat ​​që bashkëpunojnë dhe komunikojnë me prindërit.

Edhe pse tashmë e kemi nënshkruar dhe ratifikuar Konventën e OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, përfshirja arsimore është proces që ka zgjatur për më shumë se dy dekada. Foto: Vërtetmatësi

Defektologia Milica Serafimovska, është edukatore speciale dhe rehabilituese në shkollën fillore me qendër burimore “Dr. Zlatan Sremec” nga Shkupi, institucion arsimor i cili përzgjedh dhe trajnon asistentët arsimorë, të cilët këtë vit janë nën mbulimin e shtetit.

Orari i punës së asistentit arsimor është tetë orë, nga të cilat gjashtë orë për mbështetje të drejtpërdrejtë të nxënësit dhe dy orë për përgatitjen dhe organizimin e punës së tyre. Organizimi dhe realizimi i punës së detyrave arsimore koordinohen nga bashkëpunëtorët profesional të qendrës sonë burimore, të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara, mësimdhënësit, shërbimet profesionale dhe ekipet gjithëpërfshirëse në shkolla. Më parë, angazhoheshin asistentë arsimorë me kompensim të ulët financiar, dhe kishin vetëm një ditë trajnim. Tani presim që të përfundojë procesi i gjithëpërfshirjes, gjegjësisht të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta të jenë pjesë e paraleleve të rregullta, thotë Serafimovska.

Ligji parashikon që klasat e posaçme brenda shkollave fillore të kthehen në qendra mbështetëse, nga ku nxënësit e përfshirë tashmë në procesin e gjithëpërfshirjes do të marrin mbështetje nga edukatorët dhe rehabilitatorët. Në këto paralele, fëmijët me aftësi të kufizuara do të mund të regjistrohen në vitin e ardhshëm shkollor, ndërsa më pas gjeneratat e ardhshme të nxënësve do të jenë vetëm një pjesë e procesit gjithëpërfshirës.

 

Gjithëpërfshirja ligjore para më shumë se dy dekadave, është bllokuar në matricën mendore

Nga shkolla fillore me qendër burimore “Dr.Zlatan Sremec” – Shkup, thonë se për këtë kategori të nxënësve është gjetur modeli optimal, por në fund i takon individit se si do të respektojë ligjin.

Edhe pse si vend tashmë kemi nënshkruar dhe ratifikuar Konventën e OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, përfshirja arsimore është proces që zgjat më shumë se dy dekada, i cili vonohet jo për shkak të ligjeve të këqija, por për shkak të ndërgjegjësimit të ulët në shoqëri, thonë nga “Dr. Zlatan Sremec”.

Ne si institucione arsimore jemi vetëm një pjesë e enigmës, e cila duhet të bëjë një person funksional, i cili nesër nuk do të jetë në kurriz të sistemit, do të jetë i dobishëm dhe do të ndihet i dobishëm. Përfshirja sociale as fillon dhe as mbaron me arsimimin. Fillon me ndërhyrjen e hershme nëpërmjet edukimit dhe vazhdon me punësimin e personave me aftësi të kufizuara, të cilët ende përballen me vështirësi në qasjen në tregun e punës. Duhet ta bëjmë të qartë se nxënësit me aftësi të kufizuara janë të pranishëm, ata janë pjesë e përditshmërisë sonë dhe ne duhet të nxjerrim më të mirën prej tyre, dhe për këtë duhet të sigurojmë kushte, thotë Marija Deletiq, drejtoreshë e shkollës fillore me qendra burimore “Zlaten Sremec”.

Sipas saj, modeli i përfshirjes totale është mjaft i kritikuar në opinion dhe për këtë nevojitet fushatë informuese, me qëllim që të njihet më mirë e njëjta të pastrohen dilemat. Deletiq thotë se nuk ka model ideal, por duhet të përpiqemi që gradualisht të braktisim modelin e edukimit që stigmatizon, “paralelet speciale”, “shkollat ​​speciale”, dhe të pranohet modeli që praktikon krijimin e kushteve optimale për zhvillimin e të gjithë nxënësve, pavarësisht nga aftësia (e kufizuar).

Çfarë me barrierat infrastrukturore për përfshirje të plotë?

Edhe Serafimovska edhe Deletiq, pajtohen se vetëqeverisja lokale dhe të gjitha shkollat ​​duhet ta bëjnë qasjen prioritet gjatë planifikimit buxhetor. Qasja nuk konsiston vetëm në ndërtimin e një rampe hyrjeje, por edhe sigurimin e një ashensori, mobilje të përshtatura, tualete dhe të ngjashme. Deletiq thotë se mungesa e parave për tejkalimin e barrierave infrastrukturore, nuk duhet të jetë arsyetim, gjegjësisht nëse ka vullnet do të gjendet mënyra. Por jo çdo shkollë ka gjetur kohën dhe mënyrën për të siguruar qasje.

Nuk duhet të shkohet në moment për të përshtatur një tualet për fëmijët me nevoja të veçanta, por ai tualet duhet të jetë i përshtatshëm edhe për nxënësit me dhe pa aftësi të kufizuara, thotë defektologia Serafimovska. Foto: Vërtetmatësi

Serafimovska, megjithatë, thekson se duhet të mendohet për lëvizjen drejt dizajnit universal në vetë shkollat. Sipas saj, i gjithë koncepti i arsimit gjithëpërfshirës bazohet në disa parime, e ajo është pedagogji e fokusuar te nxënësi dhe dizajn universal i mësimnxënies.

Nuk duhet të shkohet në moment për të përshtatur një tualet për fëmijët me nevoja të veçanta, por ai tualet duhet të jetë i përshtatshëm edhe për nxënësit me dhe pa aftësi të kufizuara. Pra, çdo fëmijë duhet të përfshihet në arsim, por ai ka nevojë për përshtatje. Duhet të shmanget momenti i ndarjes. Ky është një proces kompleks, do të shkojmë hap pas hapi, ndërsa në arsim, flas për pjesën financiare, duhet të investojnë edhe kompanitë dhe me këtë të tregojnë përgjegjësi sociale, thotë Serafimovska.

raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë në kapitullin 26, në fushën e arsimit dhe kulturës, thuhet se vendi duhet të përmirësojë qasjen në arsim cilësor për të gjithë, veçanërisht për fëmijët me nevoja të veçanta.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.