Gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat në lidhje me Europride 2022 dolën në sipërfaqe në Serbi

Në Serbi, keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes kundër komunitetit LGBTQ+ dhe mbështetësve të të drejtave të njeriut është në rritje si rezultat i Europride 2022

 

Europride është ngjarje pan-evropiane dhe ndërkombëtare LGBTQ+, e cila organizohet çdo vit në një qytet të ndryshëm evropian. Në vitin 2022, u zgjodh Beogradi, ndërsa manifestimi përbëhej nga një sërë ngjarjesh duke përfshirë një festival filmi, konferenca dhe paradë krenarie.

Partitë politike serbe të ekstremit të djathtë dhe Kisha Ortodokse Serbe e dënuan ngjarjen, duke bërë thirrje për ndalim dhe mbajtjen e protestave që përfshinin lavdërimin e presidentit rus Vladimir Putin si “mbrojtës të vlerave tradicionale”.

Qeveria serbe njoftoi zyrtarisht “anulimin” e eventit, ndërsa organizatorët e Europride e përgënjeshtruan, duke pretenduar se eventi do të zhvillohet vërtet më 12 shtator.

Personat që mbështetën ngjarjen u përballën me ngacmime dhe kërcënime në rrjetet sociale. Aktivisti Marko Mihajloviq, një nga organizatorët lokalë të Evopride 2022, ndau pikëpamjet e tij në Twitter, duke përmbledhur përvojat e komunitetit më të gjerë.

 

 

“Nuk ka qenë aq e vështirë për mua të jem homoseksual që kur isha adoleshente. Një urrejtje e tillë, kërcënime dhe mohim i së drejtës sime për të jetuar jetën time me dinjitet dhe barazi nuk janë bërë pjesë e diskutimit publik për një kohë të gjatë. Nuk më vjen turp për atë që jam, por pas 15 vitesh, jam i shqetësuar për jetën time në këtë vend…”

Mihajlovi1 dha gjithashtu një pasqyrë të përmbledhur të narrativave që përbëjnë propagandën homofobike në mediat sociale.

“Komentet negative kryesisht flasin për atë që vijon:

  1. Mohimin se personat LGBTI+ kanë probleme [në Serbi].
  2. Thonë se duhet të fshihemi pas 4 mureve dhe të heshtim.
  3. Se përdorimi i të drejtave tona të njeriut të garantuara me kushtetutë është provokim.
  4. Se në paradën e krenarisë do ecim lakuriq dhe do bëjmë seks në rrugë.
  5. Bëjnë thirrje për dhunë”.

 

Një shembull i keqinformimit dhe dezinformimit që ka pasur ndikim të madh në mediat sociale është një video e shpërndarë e një nëne të supozuar serbe e cila thotë se u kthye në vendin e saj nga Gjermania pasi u ndëshkua nga autoritetet gjermane për refuzimin e veshjes së djalit të saj me veshje të grave. Përshkrimi i videos përmban edhe gjuhë të urrejtjes.

 

“Dëshmia e motrës sonë Milka që jeton dhe punon në Gjermani. Ajo dëshiron të kthehet në një Serbi më të mirë dhe kjo është arsyeja pse ajo shprehu mbështetjen e saj ndërsa ne po mblidhnim peticion për të ndaluar topin e homoseksualëve. Shantazhi që ajo duhej të duronte nuk do të ndodhte në Serbi. Burrat do të mbeten burra dhe gratë do të mbeten gra.”

Videoja u krijua dhe u shpërnda nga një aktivist politik lokal i krahut të djathtë, anëtar i një fraksioni ekstremist që kërkon të zëvendësojë nacionalisten dhe populisten Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe të marrë pushtetin. Si përgjigje, një anëtar i shquar i SNS-së u përpoq ta portretizonte atë si agjent rus që përhapte ndikim të huaj keqdashës.

Dragan Shormaz, anëtar i Komitetit Qendror të SNS në pushtet, paralajmëroi përmes Twitter se video ishte dezinformim. Por ai gjithashtu shtoi konfuzionin duke shtuar pretendime të pabazuara se gruaja që fliste nuk ishte serbe, por ruse, se ajo ishte e punësuar në qendrën humanitare ruso-serbe në Nish në jug të vendit dhe se tashmë kishte ikur nga vendi.

 

Kjo “nënë serbe” nga Gjermania është në fakt ruse, dhe punon në qendrën humanitare në Nish! Ajo tashmë është larguar nga Serbia pasi ka frikë se mund të arrestohet me kërkesë të Gjermanisë për gënjeshtrat që ka thënë në videon që qarkullon në rrjetet sociale!

Një hetim nga e përditshmja “Danas” nuk ishte në gjendje të konfirmonte këto pretendime, por shërbimi kroat i verifikimit të fakteve “Factograf” hodhi poshtë pretendimet e videos në lidhje me detyrimin e supozuar të fëmijëve për t’u bërë LGBTQ+ në Gjermani si “absurde, të pamundura dhe të gabuara”.

Në numrin e saj të 1 shtatorit, e përjavshmja “Vreme” nga Beogradi publikoi rezultatet e hetimit për pretendimet në dukje pro dhe anti-ruse në lidhje me rastin. Ata intervistuan gruan, si dhe burrin që bëri videon, duke konfirmuar se ajo ishte me të vërtetë grua serbe që jetonte në Gjermani dhe nënë e vetme e një fëmije autik. “Analiza mjeko-ligjore” e gazetarit Nemanja Rujevic arriti në përfundimin se gjoja shtrëngimi i fëmijëve për t’u bërë transgjinorë nga “Perëndimi i lig” është i pabazë, por edhe se gruaja në video nuk është agjente ruse.

Gruaja, e identifikuar si Milka M., shpjegoi se deklarata e saj me video, e bërë gjatë një vizite në Nish, ishte manipuluar nga një politikan vendas ultranacionalist. Ai duhej ta mbronte identitetin e saj, por nuk ia fshehu fytyrën. Siç shpjegoi ajo, autoritetet gjermane nuk e detyruan djalin e saj të vishej si vajzë, por vetëm e ftuan familjen të merrte pjesë në një event që promovonte tolerancën e quajtur “Shkëmbimi i roleve”, ose Dita e Vajzave dhe Djemve. Ajo po ashtu ka sqaruar se arsyeja për të cilën është dënuar ka qenë për shkelje specifike të kontratës me shkollën që ofron kujdes të veçantë për fëmijën e saj.

Ivica Bozhiq, politikani vendas që regjistroi dhe shpërndau videon, ishte përfshirë më parë në organizimin e protestave kundër vaksinimit. Në vitin 2021, e përditshmja “Blitz” njoftoi se ky i vetëquajtur “mbrojtës i vlerave familjare” është me precedentë penalë me dënime për dhunë në familje dhe trafik droge, informacion i konfirmuar nga “Vreme”.

Në një deklaratë për “Vreme”, paraqitur si pjesë e një artikulli analitik mbi rastin, Boziq hodhi poshtë akuzat e përdoruesve të mediave sociale se ai është agjent i Kremlinit, duke pretenduar se ai është “i përkushtuar ndaj traditës dhe dashurues i pelegrinazheve në Jerusalem” dhe se ai siguron jetesën si piktor dhe fotograf dasmash.

Përkundër faktit se gjuha e urrejtjes është krim sipas Kodit Penal serb, institucionet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore rrallë marrin masa për të sanksionuar autorët. Megjithatë, raportet e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare që monitorojnë progresin drejt demokracisë tregojnë vazhdimisht se shteti “duhet të bëjë më shumë” për të trajtuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes në mënyrë që të përmbushë kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Deri më tani, nuk ka raportime në media për veprime institucionale të ndërmarra ndaj autorëve të gjuhës së urrejtjes në lidhje me Europride 2022 në Beograd.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.