Ganiu nuk ka realizuar ende premtimin për garazhet në kate në Çair

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu për më shumë se katër vite premton ndërtimin e garazheve në kate. Pasi që nuk arriti të realizojë këtë premtim në mandatin e tij të parë, në prag të zgjedhjeve për mandat të dytë, Ganiu përsëri doli me premtimin e njëjtë për ndërtimin e garazheve në kate, shkruan Portalb.mk.

Këtë herë ai tha se, ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me biznesmenin nga Kosova, Behgjet Pacolli, përkatësisht kompania Mabetex Project Engineering do të investojë 50 milionë euro dhe në kuadërt të këtij investimi do të ndërtohen edhe 12 garazheve në kate dhe nëntokësore, të cilat do të krijojnë 3000 vend-parkingje të reja në më shumë lokacione të Komunës së Çairit.

Burimi: Portalb.mk 06.09.2021

“Sot do t’ia hapim rrugën investimit strategjik dhe shumë të rëndësishëm, ndërtimit të garazheve në kate dhe garazheve nëntokësore në më shumë lokacione në komunën tonë, ndërsa njëra ndër ato lokacione është pikërisht edhe sheshi Skëndërbeu. Por, ajo që është po aq e rëndësishme është se partner strategjik në ndërtimin e këtyre garazheve do ta kemi ndërmarrjen e njohur botërisht “Mabetex” të biznesmenit të njohur Begjet Pacolli. Ndërsa, pesha e investimit është mbi 50 milionë euro. Ne së bashku me Pacollin dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, do të nënshkruajmë memorandumin për marrëveshjen për bashkëpunim”, tha Ganiu.

Por, kanë kaluar më shumë se pesë muaj nga promovimi i këtij projekti dhe ende nuk kanë filluar punimet.  Madje, nga Komuna e Çairit thanë për Portalb.mk se projekti është ende në fazën e procedurave.

“Ekipet tona bashkë me ekipet e kompanisë Mabetex janë duke u takuar vazhdimisht dhe duke punuar me intensitet të lartë për ndërtimin e garazheve, që do të jenë nëntokësore dhe me kate.  Dhe ajo që mund t’ju japim si informacionin më të ri është se për momentin po përgatitet dokumentacioni për aplikim”, thanë nga kjo komunë.

Garazhe në kate ka premtuar së fundmi edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovksa. Ajo madje, ka vizituar parkingun pranë Qendrës tregtare “Çairçanja”, ku është premtuar njëri prej garazheve në kate, por në këtë aktivitet, nuk ka marrë pjesë kryetari i Çairit, Visar Ganiu.

Ganiu gjatë fushatës zgjedhore para zgjedhjeve të vitit 2017, kishte premtuar se do të ndërtohen garazhe në kate në “Saat Kullë”, për çka kishte parapara buxhet pre 176,668,200 denarë, (2,8 mln euro) garazh në kate te Teatri Shqiptar, ku kishte paraparë buxhet prej 112,455,000 denarë (1.8 mln euro). Garazhe në kate po ashtu, ishin premtuar edhe te Sheshi Skënderbeu dhe te “Çairçanja”, për të cilat ishte paraparë buxhet prej 786,169,857 denarë (12,7 mln euro) dhe 81,000,000 denarë (1,3 mln euro). Asnjëra nga kjo nuk është reaizuar.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.