Fotografia e interpretuar në mënyrë të rreme është pjesë e propagandës që lidhet me luftën në Ukrainë
Në një postim në Facebook në mënyrë manipulative pretendohet se fotografia nga Ukraina tregon një ‘grua që kthehet nga pazari‘, me me këtë lihet të kuptohet se situata ku është bërë fotografia nuk është e tmerrshme dhe kërcënuese për jetën. Në fakt është klip nga një video e televizionit britanik BBC, pra një reportazhi gazetaresk nga qyteti/periferia ukrainase Irpin, afër Kievit, ku në mars u zhvilluan beteja të ashpra midis forcave ruse dhe ukrainase. Gjatë asaj periudhe, dhe pikërisht në këtë vend, pranë urës së shembur që lidhte Irpin me Kievin, pati jo pak viktima, pasi banorët e Irpinit, përfshirë gruan në foto, u larguan nga vendlindja e tyre, ndonjëherë edhe teksa binin predha artilerie, duke mos pasur zgjidhje tjetër.
Në një postim në Facebook pretendohet se mediat publikojnë foto të inskenuara të luftës në Ukrainë dhe se në mënyrë të rreme paraqitet se atje po zhvillohen luftime të ashpra.
CNN raporton nga fronti ukrainas ku po zhvillohen luftime të ashpra, ndërsa në sfond një gjyshe po kthehet nga pazari, thuhet në postim.
Ky pretendim bazohet në një foto të publikuar në të cilën shihet një gazetare, e veshur me veshje mbrojtëse, me parzmore dhe helmetë, duke raportuar nga Ukraina e shtrirë në tokë, ndërsa në sfond shihet një grua me çanta në duar.
Ajo që është manipuluese në pretendim është se ‘gruaja po kthehet nga pazari’, duke lënë të kuptohet se situata ku është bërë fotografia ka qenë e inskenuar, pra se situata në terren nuk është e tmerrshme dhe e rrezikshme për jetën.
Çfarë tregon në të vërtetë fotografia?
Së pari, kjo foto nuk është vepër e kanalit televiziv amerikan CNN, siç pretendohet në postim. Është prerje nga një video-storie e televizionit britanik të BBC, e publikuar më 6 mars 2022.
Bëhet fjalë për një reportazh gazetaresk nga qyteti ukrainas Irpin, afër Kievit, i cili ishte në vijën e frontit midis forcave ruse dhe ukrainase në fillim të pushtimit.
Beteja në Irpin ishte pjesë e ofensivës së ushtrisë ruse drejt kryeqytetit ukrainas Kiev, i cili është vetëm 21 kilometra larg. Beteja zgjati nga 27 shkurt 2022 deri më 28 mars 2022 dhe përfundoi me rimarrjen e qytetit nga forcat ukrainase. Kjo luftë ishte pjesë e taktikës për të rrethuar Kievin. Forcat e armatosura të Ukrainës i rezistuan përparimeve ruse në periferitë perëndimore të kryeqytetit, si Irpin, Buça dhe Hostomel.
Fillimisht, më 6 mars 2022, forcat ruse morën një pjesë të Irpin. Në mëngjes, Oleksej Kuleba, komandanti ushtarak ukrainas i qytetit, tha se shumë rrugë evakuimi jashtë qytetit ishin të pasigurta. Më 28 mars, kryetari i bashkisë së Irpin, Oleksandr Markushin, njoftoi në mediat sociale se Irpin ishte rimarrë nga forcat ukrainase. CNN konfirmoi kontrollin ukrainas mbi qytet më 31 mars.
Forcat ukrainase hodhën në erë edhe urën në Irpin gjatë luftimeve për të ndaluar përparimin rus, pas çka kalimi i lumit u bë i njohur ndërkombëtarisht si një rrugë e rrezikshme për arratisje nga Buça fqinje, në vendin e shumë prej krimeve të dyshuara të luftës së Rusisë.
Gazetari i shfaqur në foto është gazetari i BBC-së, Xheremi Bouen, i cili dëshmon se si banorët u përpiqeshin të arratiseshin atëherë.
Më pas, në shtojcën për të cilën shkruam më lart, e cila përmban edhe foto shqetësuese të viktimave civile, shihet gruaja që në mënyrë manipuluese dhe të rreme pretendohet se “kthehet nga pazari”. Ajo është, në fakt, një nga shumë civilë që përpiqen të largohen nga vendlindja e saj dhe t’i shpëtojnë granatimeve. Pra, ajo kalon këtu jo se do, e sidomos jo sepse “kthehet nga pazari”, por sepse duhet të largohet nga vendlindja për të shpëtuar jetën. Edhe gjërat që ajo ka me vete nuk blihen në treg, por janë nevojat bazë që gruaja arriti t’i merrte dhe t’i dërgonte me vete në internim. Megjithatë, nëse në vend të fotove, do të ishte shpërndarë historia e BBC-së, do të ishte e mundur të vërehej se gruaja dhe njerëzit pas saj ishin në tokë, duke pritur që të shtënat dhe predhat e artilerisë të ndalonin dhe pastaj të ngriheshin dhe shpejt ta kalojnë këtë pjesë të rrezikshme të rrugës.
Nëse shikoni storien e BBC-së, e cila zgjat gati katër minuta, mund të kuptoni kontekstin e fotos që po shpërndahet në mënyrë manipulative dhe të rreme në rrjetet sociale.
Në video shihen disa banorë të Irpinit, mes tyre edhe fëmijë, që vrapojnë në panik, tentojnë të shpëtojnë, duke mbajtur në duar vetëm disa sende personale, ndërsa në sfond dëgjohen të shtëna me armë zjarri. Storja, e cila ka skena shqetësuese, tregon edhe se si një familje e përbërë nga një nënë, baba dhe dy fëmijë, vdesin në këto sulme.
Gruaja në foto është pjesë e këtyre civilëve që përpiqen të ikin për të qëndruar gjallë, e jo një grua që kthehet nga pazari, siç pretendon në mënyrë të rreme postimi.
Kjo tallje me situatën reale, të vërtetë dhe luftën që po ndodh në Ukrainë dhe ku civilët po vdesin çdo ditë, është paksa e papëlqyeshme dhe çnjerëzore.
Qëllimi i këtyre njoftimeve dhe propagandave të rreme është të bindin publikun se situata në Ukrainë nuk është dramatike dhe të relativizojë dhe nënvlerësojë dëmin e shkaktuar nga lufta.
Duke marrë parasysh të gjitha këto fakte dhe argumente, vlerësojmë se ky postim është manipulues, gjegjësisht se i mungon konteksti.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari