Fjalimi i shefit të NATO-s në ‘Deutsche Welle’ nuk u hakerua

Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, portalet në Shqipëri pretendojnë se u hakerua fjalimi i Sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë trasmetimit live në “Deutsche Welle”. Faktoje verifikoi se në fakt nuk bëhet fjalë për një hakerim, por thjesht një gabim teknik gjatë transmetimit live.

————————————————————————————————

Më datë 3 tetor, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shfaqet një video 21 sekonda, portali ‘Puls7news.com’ shfaq një fjalim të shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg. i cili ndërpritet nga fjala e presidentit rus, Vladimir Putin. Krahas videos së postuar, portali pretendon se është hakeruar trasmetimi live i “Deutsche Welle”.

“Hakerohet kanali televiziv gjerman DW gjatë fjalës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s z. Stoltenberg dhe hyn menjëherë në transmetim fjalimi i Putinit nga Sheshi i Kuq- në Moskë!”, shkruan portali Puls7news.com.

Screenshot, publikimi i videos nga portali

Në lidhje me këtë, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim për të kuptuar realisht se çfarë ndodhi me tramsmetimin e DW, si dhe për të informuar audiencën në mënyrë të saktë.

Gjatë një kërkimi të bërë në kanalin e “Deutsche Welle” në Youtube, ne gjetëm videon e plotë të fjalës së shefit të NATO-s. Në minutën e 6:46 të kësaj videoje shihet se ka një ndërprerje të fjalës së Stoltenberg dhe në transmetim futet presidenti rus, Vladimir Putin. Deri këtu, video e publikuar e portalit është e saktë.

Por, çfarë ndodhi në të vërtetë, a u hakerua DW, siç pretendon portali? Në lidhje me këtë çështje, Deutsche Welle ka sqaruar audiencën e gjerë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë hakerim, por thjesht një problem teknik.

“Në rast se po pyesni veten, jo, ne nuk jemi hakuar. Ndërprerja e shkurtër e mbulimit tonë të drejtpërdrejtë të kësaj konference për shtyp nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg ndodhi nga një ndryshim në transmetimin e drejtpërdrejtë të ofruar nga EBU (Unioni Evropian i Transmetuesve). Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në sistemet e transmetimit të DW, në asnjë moment”, sqaron gjigandi mediatik gjerman.

Screenshot sqarimi i DW në videon e publikuar në Youtube

Në një kërkim të bërë në Youtube, shihet se video prej 21 sekondash, me pretendimin se fjalimi I DW është hakeruar, është publikuar që më 30 shtator nga kanali “Shots Story”, që ka 3870 abonentë (subscribers). Pra, duket qartë se nuk është një burim i besueshëm, të cilit mund t’i referohemi për lajme. Publikimi i komenteve të tilla, pa asnjë bazë dhe burim të besueshëm informacioni, dizinformon audiencën.

Burimi: Faktoje

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.