Edhe pse kryetari Bexheti premtoi, punimet në poliklinikën në Saraj nuk përfunduan në muajin shkurt
Edhe pse u tha nga kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti se në muajin shkurt do të përfundojnë punimet ndërtimore të poliklinikës në këtë komunë, kjo gjë nuk është realizuar. Sipas pamjeve në terren, vazhdojnë punimet në këtë objekt. Punimet nuk do të përfundojnë të paktën edhe për një muaj, shkruan Portalb.mk.
Në muajin janar të këtij viti, Bexheti deklaroi se punimet do të përfudojnë në muajin shkurt dhe më pas mbetet që Ministria e Shëndetësisë të bëjë furnizimin me pajisjet dhe të fillojë me punë poliklinika.
“Poliklinika në muajin e dytë nga punëkryerësit më kanë thënë që do të përfundojnë pjesën e tyre tani mbetet me Ministrinë e Shëndetësisë që të sigurohen pajisjet me të cilët kam qenë në komunikim edhe gjatë miratimit të buxhetit ku më kanë siguruar që kanë mjete të atilla dhe kuptohet që ashtu siç është e paraparë pres që të lëshohet në përdorim”, tha Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit. Burimi: TV 21
Meqë premtimi për këtë afat kohor nuk u realizua, Bexheti ditë më parë ka dhënë tjetër premtim për këtë çështje duke thënë se fazat e mbetura do të kryhen në afat prej 45 ditësh, pas çka klinika do të vihet në funksion.
“Procedura për personelin mjekësor dhe personelin tjetër ka filluar, domethënë nga shtëpia e shëndetit sipas rrugës ligjore deri të Fondi i Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Financave ku gjithashtu i kalon filtrat. Maksimum për 45 ditë, shpresoj dhe besoj se edhe më herët do të kryhen, por ky është afati përfundimtar kur duhet të kryhen. Edhe komuna atë pjesën tjetër që e ka ndarjen fizike të parcelës ndërtimore edhe atë e kemi iniciuar dhe të gjitha janë në fundin e vet”, deklaroi Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit. – Burimi: TV 21
Kujtojmë se, poliklinka në Saraj premtohet prej vitesh. Në fushatës e zgjedhjeve lokale të vitit 2017, kryetari aktual Blerim Bexheti, i cili edhe ateherë ishte kandidat për kryetar komune, premtoi se nëse do të fitonte zgjedhjet, poliklinika do të jetë gati në vitin 2018.
“Kemi bërë premtim publik që më 2018 do e fillojmë poliklinikën e Sarajit. Kjo do të bëhet në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë pasi që ligjet e kërkojnë një gjë të tillë. Komuna e ka ndarë parcelën për poliklinikën e Sarajit, ka edhe vendim të Qeverisë i cili në buxhetin e vitit 2018 parasheh mjete dhe do të filloj ndërtimi. Komuna ka të bëjë vetëm me lokacionin kurse tjetra i mbetet pushtetit qendror dhe për këtë nuk ka nevojë të bëhet presion nga ne”, tha Bexheti. Burimi: Portalb.mk
Përndryshe, kjo do të jetë Poliklinika e parë e Sarajt, e cila ka 23 vendbanime, të shtrira në hapësirë territoriale prej 229 kilometra katror, dhe me 38 399 mijë banorë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari