Edhe për VMRO-DPMNE-në edhe për LSDM-në, BE-ja është prioritet, sa i realizueshëm, nuk dihet

 

LSDM dhe VMRO-DPMNE në programet e tyre zgjedhore e ofrojnë BE-në si prioritet më të lartë të jashtëm të shtetit. LSDM kërkon ndryshime kushtetuese menjëherë dhe premton fillimin dhe përfundimin e negociatave deri në vitin 2028 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030. VMRO-DPMNE po kërkon alternativë ndaj kornizës së negociatave – fillimin e negociatave dhe ndryshimin e Kushtetutës në fund. Por as prej tyre dhe as të tjerët nuk thonë se si do të arrihet kjo dhe sa të realizueshme janë ofertat e tyre

 

Shkruar nga: Teofil Blazhevski

E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut është e theksuar qartë në shumicën e programeve zgjedhore të partive parlamentare dhe partive të ardhshme parlamentare që garojnë në këto zgjedhje dhe këtu nuk ka dallim të veçantë, përveç të Majtës. Sa i përket dy partive më të mëdha politike në bllokun maqedonas, në pamje të parë dallimi është i madh. Të dyja deklaruan me vendosmëri se vendi i shtetit është në BE. Të dyja janë për ndryshimin e Kushtetutës, njëra për të pritur përfundimin e negociatave dhe tjetra për të nisur menjëherë dhe për të përfunduar në vitin 2028. Megjithatë, nuk ka përgjigje për çështjen e realizueshmërisë së dy ofertave, kështu që në fund pasiguria mbetet si opsion në këto oferta.

VMRO – DPMNE: Të presim deri në fund

Partia VMRO-DPMNE, e cila që nga vera e vitit 2022 ka mbajtur qëndrim konsistent kundër kornizës së negociatave me BE-në e njohur si i ashtuquajturi “Propozimi francez”, në pjesën e programit “Platforma 1198”, në raport me BE-në, nis duke ndjekur qëndrimin 30-vjeçar të të gjitha partive politike, madje e thekson si vendimtar:

Qëllimi kryesor strategjik i Qeverisë së ardhshme të udhëhequr nga VMRO-DPMNE është që Maqedonia të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. Maqedonia ekonomikisht, gjeografikisht, historikisht, kulturalisht dhe qytetërisht i përket Evropës – thuhet në paragrafin e parë të prioriteteve politike të politikës së jashtme maqedonase ( faqe 152 në Platformë).

Diçka më poshtë thuhet:

Duke marrë mësim nga disfatat kombëtare për shkak të përçarjes, VMRO-DPMNE do të kujdeset veçanërisht për ndërtimin e unitetit kombëtar për çështjet kyçe të shtetit. Me rëndësi të veçantë është bashkimi jopartiak i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë për çështjet kyçe, mbrojtjen e gjuhës, identitetit, historisë, kulturës, zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit, si dhe për vlerat dhe standardet e larta evropiane – me të cilat VMRO-DPMNE angazhohet për konsensus për arritjen e unitetit edhe për këtë çështje kyçe për vendin – synimin strategjik të Maqedonisë në BE.

Meqenëse dihet qartë se kushti aktual për fillimin e negociatave të grupimeve është ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve dhe pakicave të tjera në të, VMRO-DPMNE, e cila gjithashtu nga viti 2022 ka një qëndrim konsistent, “nuk ka ndryshim të Kushtetutës nën diktimin bullgar”, e përsërit të njëjtën gjë në Platformë:

Qeveria e ardhshme do të avokojë fuqishëm për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme krahas lëvizjes reale të procesit të integrimit evropian. Në drejtim të gjetjes së zgjidhjes së çështjes së ndryshimeve kushtetuese, e cila tashmë është vënë si kusht për fillimin e negociatave me BE-në, VMRO-DPMNE ofron alternativa ligjore dhe legjitime në përputhje me të drejtën dhe parimet ndërkombëtare…

Zbatimi i shtyrë i ndryshimeve kushtetuese është një alternativë e vlefshme që është plotësisht në përputhje me praktikën e mëparshme të të gjitha shteteve, të cilat para vetë aktit të anëtarësimit të tyre në anëtarësimin e plotë zakonisht bëjnë ndryshimet kushtetuese të nevojshme ose të kushtëzuara, ose në atë fazë ato hyjnë në fuqi.

Përfundimi është i qartë. Nuk ka bullgarë në Kushtetutë derisa negociatat janë në vazhdim dhe kjo është alternativa e ofruar nga VMRO-DPMNE. Edhe pse thuhet se për këtë dhe për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës maqedonase do të kërkohet mbështetje nga institucionet evropiane, nuk është e qartë se çfarë do të bëjë kjo parti nëse vjen në pushtet, e BE-ja për shembull , nuk pranon alternativën që ofrojnë . Sepse, të kujtojmë, fjalia e parë e programit të politikës së jashtme të kësaj partie është anëtarësimi në BE si synim strategjik i qeverisë së ardhshme.

Sa i përket Marrëveshjes me Bullgarinë dhe Marrëveshjes së Prespës, partia është, si të thuash, shumë më e butë në raport me programin e kandidates presidenciale që e përkrah, Gordana Siljanovska Davkova, për të cilën Prespa është ende çështje e hapur politike. Në “Platformën 1198” as që flitet për këto marrëveshje, por politikat ndaj fqinjëve përshkruhen me një fjalim të përgjithshëm, nga ku mund të kuptohet se theksohet barazia në të drejta dhe detyrime:

Vizioni ynë janë marrëdhëniet e mira fqinjësore të bazuara në respektin dhe bashkëpunimin reciprok, si dhe barazinë në të drejtat dhe detyrimet e fqinjëve. Vetëm ndërtimi i marrëdhënieve bazuar në parimin e barazisë së palëve mund të çojë në respekt dhe bashkëpunim të vërtetë, (Faqe 154 në Platformë).

Nga kjo fjali është e vështirë të kuptohet se planifikohet një rinegocim i Marrëveshjes me Bullgarinë, apo një këmbëngulje e vendosur për përmbushjen e detyrimeve greke nga Marrëveshja e Prespës – ndryshimi i emrave të shenjave dhe miratimi i tre memorandumeve të bashkëpunimit. E sigurt është se do të ushtrohen presion mbi të dyja vendet pa asnjë garanci suksesi, veçanërisht ndaj Bullgarisë, duke respektuar vendimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, të cilat i referohen të drejtave të pakicës maqedonase në të dyja vendet. E cila sipas Marrëveshjes së Prespës nuk ekziston, dhe sipas Marrëveshjes me Bullgarinë. Shkupi nuk ka as të drejtë të ndërhyjë, sepse përkufizohet si çështje e brendshme politike e Bullgarisë.

Askush nuk thotë se si të arrihet konsensus për ndryshimin e Kushtetutës. Foto: Vlada.gov.mk

(Jo) alternativa e padefinuar LSDM-së për në BE

LSDM-ja, ashtu siç ka bërë deri më tani, ka edhe në ofertën e saj programore për votuesit definimin për në BE. E për LSDM-në BE-ja nuk ka alternativë dhe kjo theksohet në titullin e parë të kapitullit për politikën e jashtme në rubrikën e BE-së:

NUK KA ALTERNATIVE PËR BASHKIMIN EVROPIAN

Menjëherë pas kësaj janë pjesët kyçe që i referohen procesit të integrimit evropian të vendit (Faqe 131 nga Programi për të Ardhmen Evropiane):

Qëllimi ynë strategjik dhe interesi ynë kombëtar janë të qarta dhe të forta – e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut – anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.

Vizioni ynë: Ne duam një vend ku “BE është shtëpi dhe në shtëpi është BE”. BE në MK 2024, MK në BE 2030!”

Nëse 2020-2024 ishte mandati për fillimin e negociatave, atëherë 2024-2028 është mandati për t’i dhënë fund negociatave dhe për t’iu bashkuar BE-së deri në vitin 2030! Ky mandat është për negociatat për BE-në dhe BE-ja nuk është më një histori e largët që tingëllon mirë. Tani kemi një shans dhe një derë të hapur për anëtarësim në vitin 2030.

Më pas, LSDM fokusohet në shqyrtimin e përfunduar me sukses, në përputhshmërinë e mirë të legjislacionit tonë me atë të BE-së dhe në konstatimin se edhe në vitin 2023 nuk kemi pasur ngecje në asnjë kapitull dhe kemi pasur progres në 80 për qind të kapitujve. Kjo matematikë interesante nuk sqarohet më saktë, në cilin nga kapitujt nuk kemi pasur ngecje dhe nëse jo, çfarë shkruhet për to?

Pas kësaj pjese thuhet për domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese:

Është me rëndësi kyçe që të ketë ndryshime të suksesshme kushtetuese dhe mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare.

Publiku tashmë e dinte këtë, ndaj ndryshimet kushtetuese nuk ndodhën. LSDM nuk thotë askund në program se çfarë do të ndodhë me mungesën e alternativës – ndryshimin e Kushtetutës si diçka me rëndësi vendimtare – nëse kjo parti vazhdon të qeverisë sërish. Kjo, duket se ka qenë e nevojshme të sqarohet në program, sepse gati dy vite të tëra LSDM nuk ka arritur të krijojë kushte për një shumicë prej dy të tretash të nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës. Nuk ka përgjigje në pyetjen nëse qëndrimi i BE-së ndaj zgjerimit do të mbetet i njëjtë pas zgjedhjeve evropiane në qershor dhe sa do të ndikojë në rrjedhën e negociatave.

Ndryshe, LSDM, për dallim nga VMRO-DPMNE, konsideron se identiteti dhe gjuha maqedonase janë të garantuara dhe se gjuha maqedonase është një nga gjuhët e BE-së, gjë që formalisht nuk është e vërtetë, sepse do të bëhet gjuhë zyrtare pasi negociatat janë përfunduar dhe gjatë pranimit formal. Tani për tani është gjuha e punës në negociata, por në thelb mund të konsiderohet se çështja e gjuhës është një çështje e tepruar dhe e fryrë nga ana e opozitës.

Mund të konstatohet se dallimi në mes të dy ofertave, ajo ieeLSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së në raport me BE-në, vetëm në shikim të parë është dramatikisht i ndryshëm. Edhe e para edhe e dyta e ofrojnë BE-në si prioritetin dhe politikën më të lartë të jashtme të shtetit. LSDM kërkon ndryshime kushtetuese menjëherë dhe premton fillimin dhe përfundimin e negociatave deri në vitin 2028 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030. VMRO-DPMNE kërkon alternativë ndaj kornizës së negociatave – fillimin e negociatave dhe ndryshimin e Kushtetutës në fund. As të parët dhe as këta të fundit nuk thonë se si ta arrijnë këtë dhe sa të realizueshme janë ofertat e tyre.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.