Duma ruse me dënime drakonike: 10-15 vjet burg për përhapjen e “lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse
Ligjvënësit rusë kanë miratuar një projektligj që dënon shpërndarjen e “lajmeve të rreme” për operacionet ushtarake, në kohën e mbylljes së mediave të pavarura rreth mbulimit të luftës ruse në Ukrainë, transmeton REL.
Projektligji, i miratuar më 4 mars, do të shtohet si artikull i veçantë në Kodin Penal, “për të parandaluar diskreditimin e forcave të armatosura të Federatës Rusë gjatë operacioneve të tyre për të mbrojtur interesat e Federatës Ruse dhe qytetarëve të saj, dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Ligji i ri parasheh dënime deri me 10 vjet burgim për individët që shpallen fajtorë për këto shkelje.
Dënimi për përhapje të lajmeve të rreme për ushtrinë ruse që çon në “pasoja serioze”, rritet në deri 15 vjet.
Me projektligj është bërë e paligjshme “që të bëhen thirrje kundër angazhimit të trupave ruse, për të mbrojtur interesat e Rusisë” apo për “diskreditim të forcës së tillë”.
Të njëjtat dënime vlejnë edhe për thirrjet që të sanksionohet Rusia.
Ky vendim vjen pasi autoritetet ruse kanë rritur presionin ndaj mediave të pavarura, duke i kërcënuar për raportimet e tyre për luftën në Ukrainë.
Rregullatori i mediave, Roskomnadzor ka urdhëruar mediat që të publikojnë vetëm informacione të ofruara nga burimet zyrtare.
Ai ndalon përshkrimin e veprimeve ruse në Ukrainë si pushtim apo luftë, dhe kërkon që të cilësohen “operacione speciale ushtarake”.
Më 4 mars, Roskomnadzor, ka thënë se ka “kufizuar” qasjen në mediat e pavarura, përfshirë disa faqe të Radios Evropa e Lirë, faqet ruse të kanaleve, BCC dhe Deutsche Welle, si dhe platformat, Facebook dhe Google.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Putin, ka thënë të enjten, 3 mars, se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.
Komentet televizive të Putinit kanë qenë në kundërshtim me deklaratat e qeverive të Perëndimit dhe agjencive të inteligjencës se fushata ushtarake e Putinit po përballet me probleme logjistike, gabime taktike dhe rezistencë më të madhe sesa është pritur nga Ukraina.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari