Dezinformatat mund të kontribuojnë në destabilizimin e vendit

Фото: Мета.мк

Maqedonia e Veriut është shënjestër e dezinformatave që synojnë të nxisin ndjenjat antiperëndimore te qytetarët e Maqedonisë dhe të mbrojnë alternativa të paqarta ndaj BE-së dhe NATO-s, tha presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në hapjen e konferencës “Trajtimi me dezinformata në Maqedoninë e Veriut” organizuar nga Fondacioni Metamorfozis

 

 

Deyinformatat janë të drejtuara edhe kundër orientimit tonë euroatlantik, veçanërisht që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Maqedonia e Veriut ka qenë cak i dezinformatave që synojnë nxitjen e ndjenjave antiperëndimore te qytetarët e Maqedonisë dhe përkrahjen e alternativave të paqarta ndaj BE-së dhe NATO-s. Për shkak të potencialit të tyre për të minuar përcaktimet strategjike, dezinformatat mund të kontribuojnë në destabilizimin e vendit, tha presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në hapjen e konferencës “Përballja me dezinformatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, përcjell Meta.

Pendarovski në konferencë shtoi se pandemia Covid-19, pushtimi rus i Ukrainës dhe kriza ekonomike dhe energjetike kanë treguar jo vetëm fuqinë e dezinformatave për t’u përhapur lehtësisht, por edhe se sa e vështirë është lufta për të njohur dhe luftuar ato.

Filtrimi i mendimeve personale dhe të kundërta kontribuon në rrënjosjen e paragjykimeve dhe vlerave të caktuara, gjë që rrit mosbesimin dhe thellon ndarjet në shoqëri, tha Pendarovski.

Presidenti shtoi se dezinformatat kanë për qëllim të krijojnë frikë, ndërsa problemi më i madh i shkaktuar nga dezinformata është dyshimi në rritje në opinionin e shkencës dhe njohurive të ekspertëve që vë në pikëpyetje të vërtetën objektive në nivel global.

Populli është lodhur duke pritur. Rezultatet e hulumtimit të Metamorfozis tregojnë se shumica e qytetarëve të Maqedonisë pajtohen që vendi ynë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por jo me çmimin e kompromiseve me vendet fqinje. Së dyti, për shkak të ngecjes së integrimit, ne kemi vite që merremi me veten në vend të reformave thelbësore evropiane. Kjo ndikon negativisht në funksionalitetin e institucioneve dhe sundimin e ligjit dhe krijon terren pjellor për përhapjen e dezinformatave, tha Pendarovski.

Presidenti gjithashtu theksoi se hulumtimet e viteve të fundit tregojnë se shumica dërrmuese e të rinjve në Maqedoni kanë prirje për liderë autoritarë, që është pasojë e drejtpërdrejtë e mbështetjes së narrativave autoritare që përhapen përmes dezinformatave.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili mori pjesë në konferencë me video-fjalim, u zotua se Qeveria dhe ai personalisht do t’i konsiderojnë të gjitha rekomandimet nga konferenca si kontribut thelbësor në krijimin e një qasjeje multisektoriale për reagim adekuat ndaj kërcënimeve dhe pasojave të shkaktuara nga dezinformatat.

Qeveria qëndron e palëkundur në kundërshtimin e dezinformatave dhe vendosjen e vazhdueshme të partneritetit në këtë betejë globale, së bashku me NATO-n, Facebook-un dhe Google-in dhe shërbimet e pavarura të kontrollit të fakteve, institucionet vendase, organizatat mediatike dhe mediat, tha Kovaçevski.

Drejtuesi i programit të Fondit për qasje në informacione, “Instituti DT”, Vukashin Petroviq, në fjalimin e tij iu referua ndikimit rus në përpjekjet për të shkatërruar vlerat demokratike evropiane.

Pavarësisht se si do të përfundojë lufta në Ukrainë, Rusia ka arritur të minojë agjendën demokratike që supozohej të ndodhte në dekadat e ardhshme, tha Petroviq.

Drejtoresha ekzekutive e “Fondacionit Shoqëria e Hapur Maqedoni”, Fani Karanfilova Panovska, tha se dezinformimi është pjesë endemike dhe e kudondodhur e politikës në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim. Ajo theksoi se përhapja e dezinformatave po bëhet rrezik në rritje për sigurinë e shteteve dhe institucioneve, e me këtë edhe për sigurinë e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre.

Dezinformatat po përparojnë më ashpër në mjediset që tashmë janë tronditur nga konfliktet e brendshme dhe ku besimi shoqëror dhe publik po luftojnë për të kapërcyer ndarjet politike, rajonale, etnike, fetare apo të tjera, tha Karanfilova Panovska..

Ajo shprehu shqetësim për të gjitha analizat që tregojnë se politika gjeostrategjike e Rusisë – dhe në masë shumë më të vogël ajo e Kinës – do të vazhdojë të fokusohet në Ballkanin Perëndimor si një pikë kritike në bllokimin e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s. Dezinformatat kanë qenë dhe ndoshta do të mbeten një mjet kyç në këto përpjekje.

Hendeku transatlantik i hapur nga administrata Trump ka krijuar mundësi që ende nuk janë kapërcyer, që Moska, Pekini dhe Ankaraja, si dhe aktorët vendas të përdorin dezinformatat për të minuar ndikimin evropian dhe euroatlantik, shtoi Karanfilova Panovska.

Drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhil Jashari, në fjalimin e tij tha se që nga viti 2010 kur janë kontrolluar mediat dhe të gjitha burimet e informacionit, vërehet se ka tendenca të cenimit të qeverisjes demokratike.

Rajoni dhe vendi ynë janë terren shumë pjellor për teori konspirative. Pamë se duhet të punojmë shumë për të krijuar një masë kritike njerëzish që kanë njohuri për të njohur burime jo të besueshme, propagandën, lajme të rreme dhe kanë aftësi të të menduarit kritik për të mundësuar disi shoqërinë tonë të bëhet imun ndaj ndikimeve të huaja, tha Jashari.

Ai theksoi se lufta ndaj këtyre “valëve” që po vijnë, sa herë që zhvillohet një proces i rëndësishëm politik, duhet të rregullohet në bashkëpunim me institucionet qeveritare.

Të përpiqemi të krijojmë kuadër apo strategji ligjore që do të na lejojë të përballemi më efektivisht me këtë fenomen, por edhe që institucionet shtetërore të jenë më transparente dhe të hapura për të mos lënë vend për asnjë spekulim dhe manipulim informacioni. Gazetarët dhe shoqatat profesionale duhet të përpiqen të forcojnë dhe zbatojnë më tej parimet për të cilat ata qëndrojnë dhe janë të rrënjosura në Kodin e gazetarisë profesionale, përfundoi Jashari.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.