Dezinformatat janë po aq të rrezikshme sa dhe pandemia e COVID-19 (VIDEO)
Gjatë vitit 2021 u ashpërsua fushata dezinformuese (infodemia) lidhur me pandeminë e virusit COVID-19 në mediat sociale në nivel botëror, ndërsa në nivel vendor, vetëm ekipi i platformës për verifikimin e fakteve Vërtetmatës.mk demistifikoi mbi 500 përmbajtje të rrejshme rreth pandemisë dhe procesit të vaksinimit në gjuhën shqipe dhe atë maqedonase. Pasojat nga dezinformimi janë të ndryshme, ndër to, padyshim që është humbja e jetëve njerëzore.
Në Maqedoninë e Veriut, siç tregon doktoresha Aleksandra Georgieva në një intervistë për Portalb.mk, mohimi i ekzistencës së pandemisë ishte pasojë e drejtpërdrejtë e “infodemisë”. Kjo bëri që njerëzit të mos paraqitën në spital në fazën e hershme të infektimit me COVID-19 ose të kërkojnë alternativa kuruese pa u konsultuar me mjekët, gjë e cila më pas rezultoi me ngarkesën e kapaciteteve spitalore në vend.
“Jetojmë në epokën e rrjeteve sociale, ku qasja në internet nga popullsia e gjerë është gjithmonë edhe më e madhe. Kuptohet se kjo vjen me rreziqet dhe sfidat e veta, një ndër to janë të ashtuquajturat “fake news” ose lajmet e rrejshme. Pasojat nga ky fenomen i shikojmë në praktikën ditore, ku shohim pacientë që mjekohen duke u bazuar në internet pa u këshilluar me personelin mjekësor ose refuzojnë të vaksinohen me idenë se do t’ju futet mikroçip në trup. Bota momentalisht po lufton me dy pandemi, njëra pandemi është shkaktuar nga virusi COVID19 ndërsa pandemia tjetër nga lajmet e rrejshme. Kjo e dyta është me të vërtetë më e rëndë të parandalohet. Aspekti i dytë është ai psikologjik i cili lë pasoja psikologjike tek qytetarët sepse duke u shpërndarë me sensacionalizëm shpesh lajmet e rrejshme i japin dimensione apokaliptike pandemisë me COVID19″, deklaroi Dr. Aleksandra Georgieva.
Dezinformimi ka qenë një sfidë për vet mjekët, shumë prej të cilëve edhe pse me njohurinë e duhur mjekësore rreth pandemisë shpesh u desh ta vendojnë në dyshim profesionalizmin e tyre.
“Ndonjëherë lajmet e rrejshme janë aq mirë të fshehura në ndonjë postim sa është e vështirë që edhe një punonjës shëndetësor të thotë se nëse bëhet fjalë për informacion të vërtetë ose jo. Në këto raste, me qëllim që të shmangim kurthet nga lajmet e rrejshme është e nevojshme që ta kërkojmë burimin e lajmit të rrejshëm ose raport relevant për të njëjtin. Problemi është se nga një burim dalin më shumë informacione kontradiktore. Në fillim të pandemisë kishte aq shumë lajme sa opinioni me të vërtetë ishte i hutuar dhe nuk dinin kujt ti besojnë. Thënë shkurt ndonjëherë më pak lajme janë lajme më të mira”, u shpreh Dr. Aleksandra Georgieva.
Media të caktuara, të cilat përfitojnë në forma të ndryshme në kuadër të dezinformimit, tani janë orientuar rreth sëmundjes “Flurona”. Një sëmundje e cila paraqitet kur një person në të njëjtën kohë është i infektuar edhe me COVID19 edhe me grip sezonal.
“Edhe pse Flurona paraqet sensacion për mediat, në praktikë nuk kemi hasur komplikime të rënda tek këto pacientë. Për ta qartësuar, bëhet fjalë për një pacient i cili në të njëjtën kohë është i sëmurë me COVID19. Në këtë rast me gjasë të madhe mundet të flitet për variantin Omicron, i cili ka tendencë që të bëhet variant dominant dhe të kaloj variantin Delta i cili aktualisht është më dominant tek pacientët. Por, në të njëjtën kohë pacienti është i sëmurë edhe me grip sezonal. Kombinimi i simptomave është kombinim i simptomave të shkaktuara nga COVID19 por në të njëjtën kohë edhe të atyre të gripit sezonal, të tilla si: dhimbje të muskujve dhe nyejve, rritje e temperaturës e kështu me radhë. Për fat të mirë spitalet tona nuk nuk i kanë të mbushura kapacitetet spitale dhe nuk ndjejmë shtypje mbi shëndetin publik në këtë aspekt. Në praktikë përballemi me një tjetër problem i cili ka të bëjë me mungesën e stafit profesional. Një pjesë e madhe, bëhet fjalë për mjek dhe infermierë, të cilët për shkak të infektimit me COVID19 janë në izolim. Edhe nëse bëhet fjalë për infektim aspimtomatik izolim zgjat deri në 10 ditë, gjë që në spitale shkakton problem shumë të madh”, thekson Dr. Aleksandra Georgieva.
Edhe pse në opinion, ditëve të fundit, u fol se pandemia është drejt zhdukjes doktoresha Aleksandra Georgieva thotë se njerëzit duhet të mësohen të jetojnë me praninë e koronavirusit. Sipas të dhënave shkencore virusi do të zbutet dhe do ulet inçidenca e vdekjeve por nuk do të zhduket plotësisht.
“Në fillim të vitit 2022 drejtori gjeneral i OBSH-së doli me një deklaratë optimiste, i cili tha se presim që fundin e pandemisë me COVID19 ta presim gjatë këtij viti. Kuptohet, nëse kemi vaksinim racional, më konkretisht vaksinat të arrijnë në vendet me të ardhura të ulëta si dhe optimizmi i masave epidemiologjike në të gjitha vendet që ndjejnë shtypje mbi sistemet shëndetësore për shkak të numrit të madh të të hospitalizuarve. Në praktikë askush nuk mundet të parashikojë saktë se kur do të jetë fundi i pandemisë COVID19 sepse ajo varet nga shumë faktorë të cilat e pamundësojnë parashikim përfundimtarë. Megjithatë, padyshim se pasojat mbi sistemin shëndetësor bashkë me atë social do e tejkalojnë zgjatjen e pandemisë. Sipas mendimit tim personal, vendet nuk duhet të sforcohen me të ashtuquajturin zero COVID, sepse virusi edhe më tej do të jetë në mesin tonë dhe do të shpërndahet në popull edhe gjatë kohë pas përfundimit të pandemisë. Prandaj është e rëndësishme që të mos shkaktojë pasoja të rënda tek njerëzit dhe të minimizohet fataliteti”, tha Dr. Aleksandra Georgieva.
Sidoqoftë mjekët bëjnë apel që situata të shikohet me optimizëm dhe sa më shpejtë të rikthehemi në normalitet.
“Sidoqoftë duhet ta shikojmë me optimizëm këtë vit të ri dhe ta presim fundin e pandemisë me çka do të kthehemi në normalitetin e vjetër dhe do mundet të kemi socializim më intensiv me të afrimit tonë. Ky është një aspekt i rëndësishëm sepse njerëzit mbi të gjitha janë qenie sociale dhe në kuadër të definicionit të OBSH-së shëndeti paraqet mirëqenie të shëndoshë psikologjike dhe lumturi”, përfundoi Dr. Aleksandra Georgieva.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari