Deputetët sllovakë nuk derdhin ujë mbi flamurin ukrainas, sepse “janë ngopur nga reklamimi i Ukrainës”
Me shpërndarjen e video materialit, publiku mashtrohet se ngjarja ka ndodhur së fundmi, pra pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe se Sllovakia po anulon mbështetjen e saj për Ukrainën. Videoja u regjistrua më 8 shkurt të këtij viti, para se të fillonte pushtimi, gjatë një seance të nxehtë parlamentare ku diskutohej një marrëveshje e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën ditë, ministri i Mbrojtjes i Sllovakisë, Jaroslav Nad, kërkoi falje për veprimet e deputetëve të opozitës.
Po shqyrtojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, në të cilin shpërndahet një video me përshkrimin e mëposhtëm:
Ashtu si njerëzit janë të ngopur me koronën, janë ngopur edhe me reklamat për Ukrainën… Kjo është në Parlamentin e Sllovakisë.
Më pas shpërndahet video material që tregon se në parlamentin e Sllovakisë (vend në kufi me Ukrainën) dy politikanë mbajnë flamurin e Sllovakisë dhe derdhin ujë mbi flamurin e Ukrainës.
Mirëpo, me shpërndarjen e këtij materiali video, opinioni mashtrohet se ngjarja ka ndodhur së fundmi, pra pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe se Sllovakia po tërheq mbështetjen e saj për Ukrainën, gjë që nuk është e vërtetë.
Për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë?
Në video shfaqen dy politikanë të opozitës sllovake duke mbajtur flamurin sllovak dhe duke derdhur ujë mbi flamurin ukrainas. Videoja u regjistrua më 8 shkurt 2022, përpara se të fillonte pushtimi rus në Ukrainë, gjatë një seance të nxehtë parlamentare që diskutonte një marrëveshje të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fund të videos, dy politikanë hyjnë në kornizë, heqin flamurin e Ukrainës dhe njëri prej tyre i heq maskën nga fytyra tjetrit. E njëjta ngjarje e filmuar nga një kënd tjetër u postua nga agjencia sllovake e lajmeve TASR në YouTube dhe mund të shihet këtu.
Marrëveshja e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara u miratua më 9 shkurt të këtij viti, pavarësisht debateve të ashpra në Parlament. Marrëveshja lejon forcat amerikane të përdorin dy fusha ajrore në Sllovaki, e cila ndan një kufi të shkurtër malor me Ukrainën. Politikanët që mbajnë flamurin ukrainas janë nga qeveria, dhe dy politikanët që mbajnë flamurin sllovak dhe derdhin ujë janë Peter Krupa në të djathtë dhe Andrej Medvetsky në të majtë, anëtarë të partisë së ekstremit të djathtë Sllovakia Jonë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari