Deklarata e shtrembëruar e zyrtarit rus ndjell frikë për një “luftë të madhe”
Konflitet e fuqive të mëdha, posaçërisht kërcënimet për luftë janë gjithmonë temë mediatike që prekin lexuesit dhe sjellin shumë klikime. Nga ana tjetër, nëse këto informata janë senzacionaliste, me mungesë të argumenteve, të përcjellura gabimisht dhe të hiperbolizuara i bëjnë dëm gazetarisë kualitative. Në tekstin që e analizojmë, deklaratat publike të zyrtarit rus janë shtrembëruar dhe shfrytëzohen për të alarmuar një luftë të pashmangshme mes Rusisë dhe Amerikës.
Në tekstin që analizojmë, portali Infomax përdor titullin: Alarmi u ndez : NATO po përgatitet për luftë të madhe me Rusinë.
Fillimisht titulli është bombastik dhe shumë senzacional. Titulli të lë përshtypjen se lajmi përmban informata të konfirmuara për këtë përgatitje nga NATO sepse në të fillimisht nuk shkruan që kjo është deklaratë nga një zyrtar dhe të citohet në mënyrë të duhur. Në të, problematik është dhe mbiemri “e madhe”, një hiperbolizim i shtuar nga autori i tekstiti, gjë që askund nuk e gjen në deklaratën origjinale të zyrtarit.
I lënë në këtë formë, duke përdorur dhe termin “u ndez alarmi”, titulli duhet si pohim dhe një gjë e kryer dhe si i tillë ka potencial të ndjell frikë te lexuesi.
Sa i përket tekstit, bëhet fjalë për një deklaratë të përcjellur keq, e qëndisur me elemente të cilat nuk i gjen në deklaratën origjinale. Në postimin e mediumit në fjalë në mënyrë të shkurtër është transmetuar deklarata origjinale e zëvendësministrit rus të Mbrojtjes, Aleksandër Fomin, të cilën e përcjellim nga agjencia ruse e lajmeve TASS.
Fomin në asnjë moment nuk shprehet me fjalët “Aleanca e Atlantikut të Veriut po përgatitet për një konflikt të madh të armatosur me Rusinë”, siç i ka përcjellur mediumi në fjalë. Në realitet, zyrtari rus thotë se ka dyshime për një konflikt të mundshëm të armatosur, pas provokimeve që vijnë nga NATO-ja ndaj Rusisë.
“Kohët e fundit, aleanca zgjodhi të bëjë provokime të drejtpërdrejta, që sjellin rrezik të madh për t’u zhvilluar në një konflikt të armatosur,” tha Fomin në një konferencë shtypi për atashetë ushtarakë të huaj dhe përfaqësuesit e ambasadave të huaja të akredituara në Moskë.
Gjithashtu, as fjalia “Konstrukti ushtarak i bllokut është ridrejtuar plotësisht në përgatitjet për një konflikt të madh të armatosur me intensitet të lartë me Rusinë,” nuk është e saktë sepse Fomin nuk ka folur as për “konflikt të madh” dhe as për “intensitet të lartë”. Në asnjë moment Fomin nuk përdor frazën “luftë e madhe”, as edhe në këtë verison më të zgjeruar të lajmit, sjellë nga Anadolu Agency në anglisht.
Teksti i mediumit në fjalë me tendencë ka transmetuar deklaratën e tij në mënyrën sa më të keqe me narrativ frikësues për të lënë përshtypje se lufta mund të fillojë në çdo moment. Gjithashtu, në tekst është e dukshme tentativa për të paraqitur Rusinë si fuqi të cilën duan ta sulmojnë të gjithë vendet e NATO-s.
Pjesa e dytë e tekstit, pasi është transmetuar siç është në deklaratën origjinale bie në ndesh me titullin dhe tekstin e sajuar të autorit. Në të zëvendës ministri rus i mbrojtjes ka lënë hapësirë për të kujtuar se dy palët nuk janë kundërshtare dhe se është në fuqi Deklarata e Romës e cila solli një marrëveshje mes NATO-së dhe Rusisë vite më parë dhe është platformë për dialog mes këtyre dy fuqive para çfarëdo konflikti apo mosmarrëveshjeje.
Autori i tekstit lëre se ka shtrembëruar deklaratën, por dhe, nuk e ka as palën tjetër, NATO-n, për të plasuar informatën e plotë se çka në të vërtetë përgatitet, si dhe për të verifikuar pohimin që e kanë bërë në titull duke “ndezur alarmin”.
Kulminimi i krizës mes Ukrainës dhe Rusisë ndodhi para 8 viteve me aneksimin e Krimesë Ukrainase nga Rusia.
Kjo ndjellje frike dhe shtrembërim të deklaratës është e papranueshme dhe nuk arsyetohet as me Kodin e Gazetarëve i cili thotë :
- Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari