Çfarë dihet 24 orë pas rënies së raketës(ave) në fshatin polak në kufi me Ukrainën?

Të vetmet fakte të vërtetuara në mënyrë të besueshme deri në mesditën e 16/11/2022 janë se një ose dy raketa ranë në një fshat kufitar polak me Ukrainën, duke vrarë dy persona dhe se predha(at) ishin të prodhimit rus, por që nuk mund të konfirmohet se prej ku janë qëlluar, edhe pse deklarata e fundit e presidentit amerikan është se raketa është hedhur nga mbrojtja ajrore ukrainase

 

Lajmi i fundit është se origjina e raketës që ra në një fshat të Polonisë në kufirin me Ukrainën, ka të ngjarë të jetë nga forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase, njoftuan mediat botërore. Bëhet fjalë për origjinën e raketës(ve), në kuptimin nga është gjuajtur dhe e cila pasditen e së martës (15.11.2022), ka goditur një objektiv në fshatin polak Prezhevodov, 16 kilometra nga kufiri me Ukrainën, dhjetëra kilometra në veriperëndim të qytetit ukrainas të Lviv. Në incident janë konfirmuar dy viktima dhe disa dëme materiale, raporton Radio Lublin.

Pas hetimeve fillestare, të mërkurën më 16.11.2022, Polonia konfirmon se raketat janë të prodhimit rus, por autoritetet polake nuk mund të specifikojnë se kush i ka lëshuar raketat apo raketën, sepse ka dëshmi nga dëshmitarët okularë që pretendojnë se ka pasur dy raketa.

Vlerësimet fillestare nga tre burime amerikane të raportuara nga Associated Press sugjeruan se raketat e prodhuara ruse mund të jenë qëlluar nga ushtria ukrainase:

Tre zyrtarë amerikanë thanë se vlerësimet paraprake sugjeronin se raketa ishte gjuajtur nga forcat ukrainase ndaj një rakete ruse që synonte ta kapte atë mes një fushate për të shkatërruar infrastrukturën elektrike të Ukrainës të martën. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti sepse ata nuk ishin të autorizuar për të diskutuar çështjen publikisht, thuhet në lajmin e AP.

Mediat në mbarë botën raportuan dje se forcat ruse po kryejnë sulm masiv me raketa në të gjithë Ukrainën, duke synuar ndërtesa në Kiev dhe në qytete dhe qyteza të tjera në Ukrainë, kryesisht objekte energjetike-infrastrukturore. Këtë e dëshmon lajmi i publikuar në Deutsche Welle më 15 nëntor 2022, ku theksohet se ky është sulmi i parë masiv me raketa ndaj Ukrainës pas tërheqjes së forcave ruse nga Kherson.

Këto vlerësime janë ndoshta arsyeja pse presidenti amerikan Joe Biden, i cili po merr pjesë në samitin e G20/G7 në Bali, tha më herët sot se nuk ka gjasa që raketa të jetë lëshuar nga Rusia.

Sipas trajektores nuk ka gjasa që raketa të jetë lëshuar nga Rusia, tha Biden më 16/11/2022 pas një takimi urgjent të grupit G-7 kushtuar incidentit.

Rusia mohoi menjëherë se raketat ishin lëshuar nga forcat ose territori i saj, duke thënë se bëhet fjalë për provokim. Për dallim nga kjo, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pretendon se raketat ruse goditën Poloninë, por, siç theksojnë mediat perëndimore, pa ofruar prova.

Ky incident është i pari i këtij lloji që nga fillimi i agresionit të Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt 2022, dhe meqenëse Polonia është anëtare e NATO-s, rënia e raketës në territorin e një shteti anëtar nënkuptonte thirrjen e menjëhershme të një takimi të NATO-s në Bruksel në nivel ambasadorësh, i cili është në vijim

 

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.