Bojan Mariçiq: Propaganda antidemokratike nuk mund të zgjasë shumë, qytetarët janë të lodhur nga narrativat destruktive

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për “Vërtetmatësin”, ka folur për efektin e dezinformatave në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, si dhe për strategjitë që Republika e Maqedonisë së Veriut po ndërmerr për t’i luftuar ato. Sipas tij, nuk është vetëm shoqëria në Maqedoni është e sulmuar nga dezinformata, por bëhet fjalë për fenomen botëror. Më së shpeshti në diskursin publik, sipas tij, janë narrativët se “Ukraina sulmoi Rusinë”, “Perëndimi provokoi luftën”, “Rusia sulmoi në përgjigje të kërcënimeve të NATO-s” dhe dezinformata të ngjashme. Mariçiq beson se një keqinformim i tillë, megjithatë, nuk mund të bëjë shumë dëm politik, sepse qytetarët i njohin dhe nuk u besojnë atyre.

 

Shkruan: Мirosllava Burns

 

Zotëri Mariçiq, cilat janë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për dezinformatat ruse lidhur me luftën në Ukrainë? A konsiderohen si pengesë serioze në marrëdhëniet mes dy vendeve, nëse dhe sa ndërhyjnë në përmbushjen e detyrimeve tona si anëtare e NATO-s, a janë intensifikuar pas dëbimit të diplomatëve rusë nga vendi, dhe në përgjithësi si Qeveria e sheh dezinformimin rus në momentin aktual politik?

– Nuk është vetëm shoqëria e Maqedonisë që ballafaqohet me dezinformata, por edhe e gjithë bota, sepse ato janë problem global dhe asnjë shoqëri nuk është imune ndaj tyre. Bota demokratike është nën sulm të vazhdueshëm nga qendrat e propagandës së fshehtë që synojnë të fusin frikë dhe pasiguri në popullatë, të minojnë demokracitë dhe, në mënyrë të pandershme, manipuluese, në dëm të interesit publik dhe mirëqenies së qytetarëve, të përhapin ndikim të palëve të treta. Këto qendra ndikimi dhe pushteti nuk arrijnë të fitojnë mbështetjen e shumicës së qytetarëve përmes garës demokratike të koncepteve dhe ideve. Qeveria e ka kundërshtuar me vendosmëri dezinformimin dhe po krijon vazhdimisht partneritete në këtë betejë globale, me NATO-n, Facebook-un dhe Google, shërbimet e pavarura të kontrollit të fakteve, institucionet vendase, organizatat mediatike dhe mediat. Qeveria trajton dezinformatat në baza ditore, përmes sistemit të krijuar të komunikimit në krizë, të krijuar me mbështetjen e qeverisë britanike. Bëhet fjalë për sistem nëpërmjet të cilit në një kohë të shkurtë kontrollohet një lajm që është i dyshimtë dhe nëse është i rremë, përcaktohen menjëherë mënyrat dhe kanalet e reagimit, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij. Kemi futur edhe transparencën aktive të institucioneve në mënyrë që informacioni i saktë të jetë vazhdimisht i disponueshëm dhe i dukshëm për publikun, gjë që zvogëlon hapësirën e manovrimit të dezinformatorëve. Në fushën e legjislacionit dhe ndëshkimit, zgjidhja e dyshimeve për vepra penale të gjuhës së urrejtjes do të dërgojë gjithashtu mesazh serioz për dezinformatorët. Plani i qeverisë për trajtimin e dezinformatave është i gjerë, gjithëpërfshirës dhe i hapur dhe për suksese të reja është e nevojshme të përfshihen sa më shumë aleatë dhe përkrahës të fakteve të sakta, në prezantimin publik dhe të hapur të argumenteve.

 

Çfarë narrative dhe dezinformata, me origjinë nga Rusia apo media pranë Kremlinit, vini re më shpesh në diskursin publik? A i konsideroni të rrezikshëm dhe me kapacitet të madh për të shkaktuar dëme politike në vend?

Narrativa të tilla si “Ukraina sulmoi Rusinë”, Perëndimi provokoi luftën”, “Rusia sulmoi në përgjigje të kërcënimeve të NATO-s”, “Putin pushtoi Kievin brenda një dite”, “Amerikanët dhe britanikët duan luftë me çdo kusht”, dhe dezinformata të ngjashme që u përhapën nëpër botë erdhën edhe te ne, por në të njëjtën kohë mbështetja për Rusinë u nxit nga grupe të caktuara proruse, të cilat vepronin dhe veprojnë kryesisht përmes grupeve dhe faqeve në Facebook. Qeveria përballet me përhapjen e dezinformatave të tilla apo lajmeve të rreme përmes komunikimit të përditshëm të sinqertë dhe të hapur me publikun. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me partnerët tanë nga BE-ja dhe NATO, komunikojmë në mënyrë të koordinuar dhe bëjmë gjithçka që kemi në dorë që qytetarët tanë të informohen siç duhet, gjegjësisht të marrin informacion të saktë nga burimet përkatëse. Nuk besoj se mund të bëjnë dëm të madh politik, sepse qytetarët tashmë i njohin dhe nuk u besojnë. Sondazhet ndër vite kanë treguar mbështetje të fortë për anëtarësimin e vendit në BE, në mënyrë që narrativat që vijnë nga lajmet e rreme të mos marrin shpërndarjen dhe besimin e dëshiruar, por përkundrazi, ta bëjnë publikun më selektiv në lidhje me informacionin.

 

A vini re narrativa që përdorin pushtimin aktual të Ukrainës për të na distancuar nga NATO dhe rruga jonë drejt BE-së, narrativa përmes të cilave nga Maqedonia e Veriut kërkohet të bëjë zgjedhje midis Perëndimit dhe Rusisë, ku Rusia paraqitet si “vëllazërore”, sllave, vend ortodoks, ndërkohë që Perëndimit dhe institucioneve të tij, anëtare e të cilit vendi është apo aspiron tradicionalisht, i vihen lloj-lloj epitetesh negative për ta nxirë, paraqitur si të largët dhe të huaj, për të krijuar zmbrapsje e qytetarëve ndaj politikës, vlerave dhe arritjeve demokratike perëndimore?

– Keqinformimi minon besimin e qytetarëve në demokracinë dhe institucionet demokratike dhe përbën një sfidë të madhe për demokracitë dhe shoqëritë evropiane. Kjo është arsyeja pse ne duhet t’i zgjidhim ato në përputhje me vlerat dhe liritë evropiane. Qeveria është e përkushtuar në zbatimin e reformave evropiane dhe këtë e ka bërë me sukses në 5 vitet e fundit. Përafrimi i standardeve dhe vlerave evropiane me qytetarët tanë është synimi që kemi vendosur dhe po punojmë vazhdimisht në atë drejtim, duke përcaktuar kështu qartë të ardhmen evropiane të vendit. Qëllimi nuk është denigrimi i Rusisë, por të sigurohet fluksi i kontrolluar i informacioneve për publikun tonë, jo në aspektin e censurës, por përkundrazi, në drejtim të mundësimit të rrjedhës së informacionit përkatës dhe të saktë që do të informojë siç duhet publikun se çfarë po ndodh vërtet, jo vetëm në Ukrainë, por në Evropë dhe në botë në përgjithësi.

 

Sa jeni të kënaqur me zbatimin e Planit për veprim vendimtar kundër përhapjes së dezinformatave dhe kundër sulmeve ndaj demokracisë, që e propozoi qeveria e kaluar gati dy vjet më parë? A mendoni se plani tashmë duhet të ndryshohet, veçanërisht duke pasur parasysh situatën e re me luftën në Ukrainë? Apo mendoni se aktivitetet në këtë fushë duhet të koordinohen ndërkombëtarisht në bashkëpunim me partnerët perëndimorë? A ka ndonjë iniciativë apo aksion të përbashkët të tillë në nivel ndërkombëtar për momentin, në të cilat është përfshirë edhe Maqedonia e Veriut?

– Jam i kënaqur, por gjithmonë mund më mirë kur bëhet fjalë për zbatimin. Plani duhet të përmirësohet dhe të përshtatet me sfidat e kohës së re. Shumë nga masat e parashikuara në plan tashmë janë zbatuar, ndërsa inkurajojnë bashkëpunimin me Komisionin Evropian dhe kërkojnë përfshirjen në sistemin e sinjalizimeve të shpejtë (Rapid  Alert System), me qëllim shkëmbimin e informacionit mbi përmbajtjen dhe temat e fushatave të dezinformimit në të gjithë Evropën. Për më tepër, ne jemi të përfshirë në disa projekte rajonale të menaxhimit të dezinformimit. Kjo Qeveri vazhdon të mbështesë çdo aktivitet që vjen nga sektori civil sepse kjo është një luftë e përbashkët kundër përpjekjeve të organizuara që synojnë cenimin e procesit demokratik.


Qëllimi nuk është të denigrohet Rusia, por të lejohet rrjedha e informacionit përkatës dhe të saktë për atë që po ndodh realisht, jo vetëm në Ukrainë, por në përgjithësi, në Evropë dhe në botë.


Si po shkon tani zbatimi i sanksioneve ndaj Rusisë? A ka sulme, presione, dezinformata apo narrativa të rreme në këtë drejtim, përmes të cilave kërkohet zbutja apo heqja e tyre?

– Që nga fillimi i agresionit në Ukrainë, Qeveria e ka harmonizuar plotësisht politikën e saj me politikën e jashtme të BE-së dhe këtu nuk kemi lënë vend për dilema, ne kemi qëndruar qartë në anën e BE-së si vend kandidat për anëtarësim të plotë. Ne qëndrojmë së bashku në sanksionet kundër Rusisë në tërësi. Në aspekt të informacioneve, Maqedonia e Veriut krah për krah me aleatët, arriti të përjashtojë “RashaTudej” nga valët e saj. Propaganda antidemokratike nuk mund të zgjasë shumë sepse nuk bazohet në të vërteta, dhe nga ana tjetër qytetarët tanë tashmë janë të lodhur nga narrativat që padyshim nuk mbartin klimë miqësore, por kanë synime shkatërruese.

 

A paraqesin rrezik keqinformimi dhe narrativat ruse për perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe personalisht a mendoni se keqinformimi për luftën në Ukrainë arrin lehtësisht te qytetari i Maqedonisë dhe e mashtron atë?

– Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut është e përcaktuar qartë, Qeveria po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për ta mbajtur atë përkundër vendimeve në kuadër të politikës së zgjerimit të Unionit, të cilat na e vështirësuan ruajtjen e besueshmërisë dhe besimit mes qytetarëve në BE si partner i jonë. Fakti që dezinformatat për luftën në Ukrainë arrijnë lehtësisht te qytetari i Maqedonisë është fatkeqësisht i vërtetë, por nuk besoj se e mashtrojnë, sepse tashmë e kam thënë që qytetarët tanë kanë mundësi të përzgjedhin informacione dhe mendoj se e njohin të rremin, dhe nga ana tjetër kanë qasje në burimet përkatëse nga të cilat mund të informohen.

 

Sondazhet e ndryshme të opinionit publik në vend në një ose dy vitet e fundit tregojnë qëndrime shumë më pozitive ndaj Rusisë (madje edhe ndaj Kinës), në një farë mase mbështetje për anëtarësimin në Bashkimin Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia dhe të ngjashme. Cila është arsyeja për këtë dhe a po punon qeveria për rritjen e besimit në drejtim të anëtarësimit në BE?

– Unë personalisht nuk besoj që qytetarët të zgjedhin opsione të tjera përveç evropiane. Mendoj se sondazhe të tilla janë pjesë e tentativave për të deformuar imazhin e vërtetë dhe për të dezinformuar, madje edhe për të manipuluar publikun. Nga ana tjetër, sondazhet në mbështetje të perspektivës evropiane dhe anëtarësimit në BE tregojnë mbështetje të lartë publike për Unionin, megjithëse zhgënjimi nga pritja e gjatë për një datë për fillimin e negociatave është i dukshëm. Për këtë arsye, kjo është ndoshta për shkak të përpjekjeve të dëshpëruara të shumë partive për të ulur nivelin e lartë të besimit që gëzon qeveria nga qytetarët dhe mbështetjen e tyre për atë që ne bëjmë – reformat evropiane për një jetë më të mirë, përafrimi me standardet evropiane dhe proceseve në drejtim për të siguruar anëtarësimin e plotë në BE.

 

A mbetet e pandryshuar politika e përgjithshme e jashtme e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE apo kërcënohet nga narrativat dezinformuese ruse?

– Sigurisht që mbetet e pandryshuar, nuk do të ishte serioze që Qeveria t’i dorëzohej narrativave dezinformuese ruse kur ne punuam kaq intensivisht dhe me përkushtim në proceset integruese evropiane dhe ende po punojmë.


Dezinformatat për luftën në Ukrainë, fatkeqësisht, arrijnë lehtësisht te qytetari i Maqedonisë, por nuk besoj se e mashtrojnë.


Në dy muajt e fundit, sa ka zgjatur lufta në Ukrainë, në mediat e vendit mund të dëgjohet terminologjia e përdorur nga Kremlini dhe që pasqyron pikëpamjet dhe politikat e Kremlinit. Pra, në vend që të thuhet “pushtim i Ukrainës” ose “luftë në Ukrainë”, thuhet “operacion special i forcave ruse në Ukrainë”, njëri nga dy rajonet separatiste të Ukrainës në lindje të vendit, Donetsk, quhet “Republika Popullore e Donetskut”, dhe ngjashëm. Çfarë mendoni për përdorimin e termave të tillë në emisionet qendrore të lajmeve të këtyre mediave?

– Mirë, ne jemi mbi të gjitha vend demokratik me shkallë të lartë të lirisë së medias – këtë e konfirmuan renditja botërore e agjencive prestigjioze. Sipas Indeksit botëror të lirisë së medias të “Reporterëve pa Kufij”, Maqedonia e Veriut është ngritur me 33 vende në vitin 2021. Liria e shprehjes është e garantuar në vend, megjithëse me sa duket po abuzohet nga qendra të caktuara për të shtrembëruar imazhin, veçanërisht të luftës në Ukrainë. Këtu besoj se vetë mediat duhet të rishqyrtojnë narrativat dhe burimet nga të cilat marrin informacion dhe t’u ofrojnë qytetarëve informacion objektiv dhe të saktë. Përndryshe ata vetë rrezikojnë të humbasin shikuesit e tyre, sepse nuk mund të mbijetoni gjatë dhe të ruani mbështetjen e bazuar në informacione të pasakta.

 

Jo të gjitha vendet fqinje janë anëtarë të NATO-s, madje as kandidatë për anëtarësim në NATO dhe jo të gjitha janë anëtarë të BE-së. Në disa nga vendet fqinje ka struktura politike serioze dhe të rëndësishme që janë tërësisht pro-ruse dhe mbështesin pushtimin e Ukrainës. Vendet e tilla fqinje kanë sektorë të fuqishëm mediatik, të cilët kanë ndikim dhe mediat e të cilëve konsumohen në territorin e Maqedonisë së Veriut. Ka shumë që lavdërojnë dhe mbështesin hapur pushtimin e Ukrainës dhe politikat e Kremlinit. Cili është ndikimi i mediave nga vendet fqinje në përhapjen e dezinformatave ruse në Maqedoninë e Veriut?

– Ne punojmë në mënyrë aktive për të përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me vendet fqinje, ata janë fqinjët tanë dhe ne duhet të kemi marrëdhënie të ndershme dhe miqësore. Nisma “Ballkani i Hapur” në këtë kontekst ka rëndësi të madhe për të gjithë rajonin dhe është kontribut në bashkëpunimin rajonal të vendeve, përmes zbatimit të vlerave evropiane në rajon. “Ballkani i Hapur” kontribuon në thellimin e bashkëpunimit, duke hapur mundësi për konkurrencë më të madhe rajonale në tregun evropian dhe tregjet e tjera botërore dhe në drejtim të tërheqjes së investitorëve të huaj, por nga ana tjetër na lejon qeveritë që janë së bashku në nismën për shkëmbimin e informacionit, edhe në aspekt të informimit të qytetarëve. Pozicioni i disa strukturave politike në rajon nuk do të thotë domosdo rrezik apo kërcënim për Maqedoninë e Veriut, sepse tek ne situata nuk është e tillë. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj prioriteteve tona strategjike dhe me përkushtimin dhe vullnetin e Qeverisë për të adresuar sfida të tilla, besoj se nuk do të gjendemi në një situatë dezinformimi të gjerë rus. Qasja në media nga vendet fqinje ka ndikim, por nuk mendoj se nuk është vendimtar.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.